Stacioni i Autobusëve || Ilustrim: Trembelat

Skenari i Dyshimtë i Kryeshefit për Rehatimin e Vetes

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar detaje të reja për punësimin kontrovers të Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj ndërmarrje në një pozitë më të ulët. Në Stacionin e Autobusëve nuk kishte pozitë të Drejtorit Teknik.

Gjatë periudhës sa Ylber Çitaku ishte kryeshef e kishte iniciuar ristrukturimin e kësaj ndërmarrje. Në mesin e ndryshimeve ishte edhe hapja e një vendi të ri të punës, atë të Drejtorit Teknik.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se e njëjta pozitë ishte krijuar bazuar në planit e biznesit 2017/19. E pas hapjes së vendit të ri të punës, ishte shpallur konkursi në muajin korrik të vitit 2017. Gazeta ka raportuar se në pozitën e drejtorit teknik ishte pranuar në punë kryeshefi, Ylber Çitaku.

Aktualisht ushtruese e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv është Shqipe Durmishi. Ajo ka treguar duke iu referuar dokumentacionit të Ndërmarrjes, në të kaluarën, pozita e drejtorit teknik ka ekzistuar.

Por, ajo ishte shuar. Durmishi ka treguar se më vonë detyrat dhe përgjegjësitë që i ka pas drejtori teknik i janë ndarë: shefit të shërbimit të transportit, shefit të shërbimit teknik dhe zv.KE përgjegjës për sektorin e Operativës.

Kjo pozitë, sipas Durmishit, është rikthyer përmes ristrukturimit të planit të biznesit 2017/2019, rregullores për organizim të brendshëm dhe me organogram. Organogrami i ri është bërë gjatë kohës sa Çitaku ka qenë kreshef i ndërmarrjes.

“Me shkuarjen në pension të shefit të shërbimit të operativës, me lëvizjen e zëvendëskryeshefit, janë krijuar rrethanat për një ristrukturim. Ristrukturimi është bërë përmes planit të biznesit 2017/19, rregullores për organizim të brendshëm dhe me organogram. (Me riorganizimin e ri të Ndërmarrjes pozita e drejtorit teknik nuk është pozita e vetme që është kthy ose që ka ndryshuar në emërtim)”, ka thënë Durmishi.

Ilustrimi: Trembelat

Sipas Durmishit, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit Teknik i ka kryer për këtë periudhë kohore Zv.drejtori Teknik, Behxhet Thaçi. I njëjti në të kaluarën kishte qenë drejtor teknik në Ndërmarrje.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka shkruar lidhur me procesin e dyshimtë të konkurrimit të kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku, për pozitën e drejtorit teknik në këtë ndërmarrje.

Durmishi, tha se për pozitën e drejtorit teknik ka pasur konkurs publik, i cili ka qenë i shpallur më 11 korrik 2017. Sipas saj Ylber Çitaku kontratën për postin e drejtorit teknik e kishte nënshkruar më 11 gusht 2017. Përveç tij, kontratën nga ana e punëdhënësit e kishte nënshkruar Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit, sepse ai ishte në pushim.

“Në kohën kur z.Çitaku është pranuar në pozitën e drejtorit teknik, ndërmarrja ka qenë me U.D. të KE-së, pra nuk ka qenë z.Çitaku duke ushtruar detyrën e KE-së”, ka thënë Durmishit.

Ajo është pyetur nëse kjo përbën konflikt të interesit, mirëpo nuk është lëshuar për të bërë vlerësime.

“Nuk jam e sigurt a është konflikt interesi”, ka thënë Durmishi.

Çitaku ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se për punësimin e tij ishte konsultuar me zyrën ligjore, fakt i cili nuk përmendet nga Durmishi.

Ajo ka dhënë detaje se si ka funksionuar ndërmarrja gjatë kohës së Citaku kishte dy kontrata valide me të njëjtën ndërmarrje.

Sipas saj, Çitaku e kishte vazhduar të mbante postin e kryeshefit edhe pas nënshkrimit të kontratës së dytë, ndërsa pozitën e drejtorit teknik e kishte ngrirë duke e mbajtur me ushtrues detyre.

Çitaku ka dhënë dorëheqje më 8 shkurt 2018 nga pozita e kryeshefit, për të kaluar në pozitën e re të tij, atë të drejtorit teknik.

Sipas saj, nëse një konkurrim dhe punësim i tillë ka konflikt interesi do të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura, në konsultim me Bordin e Drejtorëve dhe zyrën ligjore.

Aksionar i vetëm i kësaj ndërmarrje është Komuna e Prishtinës e cila udhëhiqet nga Shpend Ahmeti. Ky i fundit pasi ka arritur ta bëjë shumicën në asamblenë komunale, i ka emëruar aksionarët e rinj të kësaj ndërmarrje. Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe me aksionarët e Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve”.

Drejtori i Administratës në komunën e Prishtinës, njëkohësisht aksionar në “Stacionin e Autobusëve”, Muhedin Nushi, ka thënë për gazetën JnK, se janë të informuar rreth punësimit të ish kryeshefit ekzekutiv të N.P,L,  “Stacioni i Autobusëve”, në pozitën e drejtorit teknik.

Nushi tha se e kanë diskutuar këtë çështje, por nuk ka treguar se cilat do të jenë masat.

“Ne si Komision i Aksionarëve i kemi diskutuar dhe dakorduar çështjet e ecurisë së zhvillimit të kësaj ndërmarrjeje si dhe të problemeve organizative të ndërmarrjes që në takimin e parë të Komisionit. Një nga pikat e diskutimit ishte edhe çështja e cekur nga Ju (punësimi i Citakut në pozitën e drejtorit teknike). Për të gjitha veprimet që do t’i ndërmerr Komisioni i Aksionarëve të NP “Stacioni i Autobusëve”, sh.a. Prishtinë, me kohë do të informojmë të gjitha mediat”, është përgjigjur Nushi.

Gazeta JnK, ka kërkuar edhe një interpretim ligjor nga ana e inspektoratit të Punës, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Ndryshe, sipas Shqipe Durmishit, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit teknik janë të përshkruara në rregulloren për organizimin e brendshëm të Ndërmarrjes dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me mbarëvajtjen dhe organizimin  e punëve në Operativë.

Çitaku kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrje më 8 shkurt të këtij viti me arsyetimin se nuk kishte përkrahje institucionale.

Kurse, për pozitën e drejtorit teknik kishte nënshkruar kontratë në gusht të vitit 2017 dhe kjo pozitë mbulohej me ushtrues detyre.

Kryeshefi Punëson Veten në Stacionin e Autobusëve