Ilustrim: Jeta Dobranja/Trembelat

Auditori gjen abuzime me automjetet zyrtare të Novobërdës

22 veturat zyrtare të Komunës së Novobërdës përdoren pa respektuar në tërësi rregulloren mbi përdorimin e tyre.

Raporti i Auditorit në Komunën e Novobërdës, ka vënë theksim të çështjes se gjendja e pasurive jo financiare e evidentuar në regjistrat e pasurisë si dhe e shpalosur në pasqyra financiare vjetore nuk ishte plotësisht e saktë.

“Në ketë regjistër nuk ishin evidentuar tokat në pronësi komunale, 22 automjete komunale si dhe investimet kapitale të bëra në vitin 2017 në vlerë 364,888 euro”, thuhet në raport.

Si pasojë e mungesës së mbikëqyrjes efektive menaxheriale sipas raportit nuk është zbatuar mjaftueshëm legjislacioni i prokurimit publik si dhe nuk janë zbatuar marrëveshjet e bashkëfinancimit.

Komuna sipas Raportit të Auditorit, ka në pronësi 22 automjete zyrtare të cilat i përdor për aktivitetet operative komunale. Lidhur me përdorimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare, sipas raportit komuna ka nxjerrë dhe aprovuar rregulloren e brendshme, megjithatë ajo nuk është respektuar gjatë përdorimit të automjeteve.

“Nga testimet e urdhëresave të udhëtimit për tri automjete, vërejtëm se nuk plotësohen urdhëresat e udhëtimit, nuk evidentohen kilometrat e kaluara si dhe në disa raste automjetet zyrtare përdoren pa aprovim paraprak thuhet në raport.

Mos zbatimi i rregullores së brendshme të aprovuar nga komuna sipas auditorit rritë rrezikun e keqpërdorimit dhe përdorimit të pa autorizuar të tyre, përfshirë edhe rritjen e shpenzimeve për karburante, për servisimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Komuna e Novobërdës gjithashtu nuk mban evidencë lidhur me lidhur me pasurinë më vlerë nën 1,000€, përfshirë dhe stoqet.

“Kjo gjendje ishte konstatuar edhe në raportin e vitit paraprak dhe ne kemi rekomanduar për të përmirësuar kontrollet në menaxhimin e pasurisë, mirëpo menaxhmenti i komunës përkundër zotimit për zbatimin e tij nuk ka marrë kurrfarë masash në ketë drejtim”, thuhet në raport.

Kjo komunë gjithashtu gjatë vitit 2017, nuk ka arritur t’i menaxhoj dhe raportoj obligimet ndaj furnitorëve në përputhje me kërkesat e Rregullores së thesarit 02/2013, për raportimin e obligimeve të papaguara të organizatave buxhetore.

“Ata nuk mbajnë libër të protokollit për evidentimin e faturave të papaguara dhe nuk raportojnë në baza mujore lidhur me obligimet e tyre”, thuhet në raport.

Mos raportimi i rregullt mujor i obligimeve, ose mos zbatimi i rregullave financiare, mund të rezultojë me pagesa të paplanifikuara nga buxheti i vitit të ardhshëm thuhet në raport si dhe mos mbajtja e një libri të protokollit për faturat e pranuara, mund të rezultojë me vonesa të pagesave të faturave apo edhe me pagesa të dyfishta.

Sipas këtij raporti për shkak të menaxhimit jo te mirë të procesit dhe mungesës së një monitorimi formal për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të AP-së, një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve kanë mbetur të pazbatuara, ose në proces të zbatimit, përfshirë këtu edhe rekomandimet nga vitet e mëhershme. Kjo sipas raportit tregon një mungesë të përqendrimit të personave përgjegjës në aplikimin e masave konkrete lidhur me zbatimin e tyre, që vijnë si rezultat i dobësive të identifikuara në komunë.

Në komunë ekzistojnë një numër dobësish në lidhje me sistemin aktual të auditimit të brendshëm si dhe ekzistojnë dobësi në kontrollet menaxheriale.