Foto :Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Z.Mësues nuk jemi përgatitë

 

“Z. Mësues nuk jemi përgatitë” – kjo ishte një frazë që e dëgjonim shpesh kur shokët e shoqet tona nuk mësonin mësimin.

Atëkohë kishte dy lloj mësuesish; ata që vendosin me e notu me 1-sh dhe mos me u marrë me nxënësin dhe të tjerët që vendosnin që në orën e mësimit e pas saj të përkushtoheshin dhe t’i mësonin mësimin nxënësit dhe kështu ta edukonin për profesionin dhe jetën.

Në kohën kur jemi duke u përballur me lajmet e rreme, këtë frazë shoqëria jonë është duke e dëgjuar shpesh të interpretuar nëpërmjet rezultateve të testit të PISA-s.

Mesazhi është i qartë nxënësit në Kosovë nuk kanë të zhvilluar aftësinë e mendimit kritik dhe kjo është alarm për shoqërinë për shkak se informacioni të cilin e pranojnë mund të jetë i rrejshëm e madje edhe i rrezikshëm.

Duke mos zhvilluar mendimin kritik tek nxënësit ne i kemi lënë ata të ekspozuar në një ambient të egër që mundëson krijimin e një ambienti të rrezikshëm.

Dëshmitë për ambientin e rrezikshëm janë lehtë të qasshme. P.sh një veturë luksoze mbi një bartëse të automjeteve që tërhiqej nga një autobus u shndërrua në një lajm viral i cili pretendonte të tregonte për nivelin e varfërisë në vend e në diasporë.

Dikush nga karrigia në zyrë, pa një makinë lidhur prapa një autobusi dhe pa asnjë informacion arriti në konstatimin se kjo bartje po bëhej për shkak se mërgimtari kishte mbetur pa para për të paguar naftën e makinës së shtrenjtë.

Lajmi që në të vërtetë ishte lajm i rremë u shpërnda në 53 faqe online ndërsa analiza tregon për një gjendje të rëndë në mekanizmat verifikues të mediave në Kosovë.

Lajmi përpos mungesës së profesionalizmit tregon edhe mungesën e mendimit kritik tek 53 publikues të cilët do duhej të paktën t’i bënin vetes pyetjet në vijim:  Sa është e besueshme që një gjë e tillë të ndodhë? Kush mund të jetë milioneri që ka para për veturë mbi 100 mijë euro e nuk ka para për naftë?

Gjendja është edhe më e rëndë kur kuptohet fakti se më shumë se 15 nga publikuesit e këtij informacioni ishin antarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të cilët  zotohen që të raportojnë bazuar në standardet e këtij Këshilli të cilat kërkojnë që publimi i një informacioni të kaloj të paktën në tre filtra të konfirmimit.

Publikimi i këtij lajmi të tillë është alarm i cili tregon që këto redaksi duhet të nisin të ndryshojnë rregullat e punës dhe formën e konfirmimit të informacionit. Përndryshe, bazuar në këtë logjikë çdo ditë do kemi situata të tilla ku veprimet e qytetarëve do paragjykohen.

Është e thjeshtë për tu konstatuar se me standardet e tilla të raportimit të gjitha makinat në tregun e makinave pronarët i kanë nxjerrë në shitje për shkak të varfërisë, apo edhe më keq, të gjitha kafshët në tregun e kafshëve po shiten për shkak se pronarët nuk kanë para.

Për tu shmangur situatat e tilla mediat duhet të marrin masa dhe të nisin investimet në staf dhe cilësi.

Një hulumtim i kryer së fundmi nga Këshilli i Mediave të Shkruara i cili ka targetuar vetëm mediat kredibile anëtare të KMSHK-së, ka treguar se 33% e mediave të anketuara i kanë vetëm dy (2) redaktorë, dhe me vëllimin e publikimeve është e qartë që redaktorët nuk arrijnë as të shikojnë titujt e le më të redaktojnë materialet.

Gjendja është më e rëndë tek lektura ku mbi 50% e mediave pranojnë që fare nuk kanë lektor.

Në krizën e redaktimit tek mediat serioze dilema është se çfarë është duke bërë shoqëria për t’u përballur me materialet jocilësore që janë të qasshme në Kosovë.

Kosova është e fundit në listën e PISA-s dhe kjo tregon që nxënësit në shkollat tona nuk janë ende të përgatitur për të lexuar në mënyrë kritike. Leximi kritik është alfa dhe omega në luftën ndaj lajmeve të rreme. Ne si shoqëri po hyjmë edhe në një vit ku arsimi nuk ka ndryshuar dhe nuk premton që do i zhvilloj këto kapacitete tek nxënësit.

Në situatën në të cilën ndodhet vendi, Qeveria duhet me urgjencë të nisë planet për të rritur aftësitë e nxënësve për të lexuar në mënyrë kritike në internet, në të kundërtën lajmet si ai i makinës do vazhdojnë të perceptohen si të vërteta.