Skandali i ‘qepimit’ që shpërfaqi problemet e medias dhe politikës
Porosia ‘mundesh me hek krejt, veç qe don m’i qepo Vjosës’ të cilën gazetari i gazetës ‘Express’ e kishte lënë për redaktorin e tij, e që pastaj artikull me të njëjtën porosi ishte publikuar ngjalli një debat të madh për mediat në Kosovë.
Artikulli me titullin, “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale” përveç në gazetën Express, ishte marr edhe nga portali i mediumit publik RTK live, si dhe nga agjencia e lajmeve ‘Ekonomia Online’.
Përveç tendencës për të prodhuar lajme sapër t’i qepuar dikujtë nga politika, shpërndarja e shpejt e këtij lajmi nxjerri në pahë gazetarinë “Copy-Past”, kur një lajm i prodhuar nga një portal shpërndahet me shpejtësin e dritës nëpër portalet tjera.
Në anën tjetër, politika përmes këtij rasti tentoi të thotë se gjitha mediat kanë një trajtim të tillë e kjo më së shumti u shpërfaq nga deklarimi i burrit të presidentes, Prindon Sadriut.
Të parët që kanë kërkuar falje për publikimin e këtij lajmi ka qenë mediumi ‘Ekonomia Online’.
Në njoftimin e tyre, ata kanë sqaruar se burimi i lajmit ka qenë gazeta ‘Express’, duke shtuar se lajmi me porosinë e tillë është bërë publik nga një praktikante.
“Redaksia e pranon me keqardhje gabimin që ka lejuar një gazetare të papërvojë me publiku lajme (të huazuara nga mediet e tjera). Por, redaksia dëshiron të sqarojë se ky është një lëshim profesional, pavarësisht tendencës (nga zëdhënësi i një partie etj.) që t’i japë “ngjyrim” tjetër këtij lëshimi fatkeq”, ka shkruar në sqarimin e saj, Ekonomia Online.
Sipas një reagimi të Presidencës të publikuar po atë ditë, një porosi e tillë ka qenë tendencë e mediumeve për njollosje të figurës së presidentes Vjosa Osmani.
“Një sugjerim redaksional skandaloz në brendi të tekstit “mundesh me hjek krejt, vec nëse do m`i qepu Vjosës”, të cilin nuk kemi arritur ta verifikojmë se cili medium e ka vendosur brenda tekstit përbën shkelje të rëndë profesionale, tendencë të hapur mediale e politike të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes”, thuhej në komunikatën për media të presidencës.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi kishte theksuar se roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut.
“Duke marrë shkas nga një raportim joprofesional dhe joetik në disa media sot, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës edhe njëherë u kujton kolegëve gazetarë dhe punëtorëve të tjerë medialë rëndësinë për t’iu përmbajtur Kodit Etik të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodit Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës”, thuhej në njoftimin e AGK-së.
Mediumi publik, RTK, i cili poashtu kishte publikuar artikullin me të njëjtën përmbajte kishte kërkuar falje një ditë më vonë, më 5 shkurt, duke njoftuar se për publikimin e tillë janë marrë masa disiplinore ndaj përgjegjësve të portalit.
Për këtë dhe disa arsye të tjera, më 7 shkurt Bordi i Radio Televizionit të Kosovës kishte marrë vendim për suspendim të kryeredaktorit të portalit, Altin Ahmeti.
Në anën tjetër, Altin Ahmeti në një postim të tij në Facebook ka shkruar se gabimi në gazetari ka emër dhe mbiemër. Ai ka shkruar se si kryeredaktor e ka të pamundur që t`i kontrollojë rreth 400 lajme të cilat publikohen brenda një dite në portalin e RTK-së.
“Në gazetari gabimi ka emër ,mbiemër dhe është personal. Në disa media të ndryshme, për shkak të informatave të dala jo zyrtarisht nga njerëz brenda RTK-së , informata këto gjysmake të cilat më kanë njollosur personalisht dhe profesionalisht, u raportua se unë, Altin Ahmeti, jam shkarkuar apo suspenduar nga pozita e kryeredaktorit të uebfaqes së RTK-së”, ka shkruar Ahmeti.
Burimi i këtij lajmi, kishte qenë gazeta ‘Express’, e reagimin e tyre ky medium e ka bërë publik dy ditë pasi ka ndodhur skandali.
“Gazeta Express i kërkon falje publike Presidentes Osmani dhe kujtdo që është ndjerë i cenuar nga ky komunikim mes anëtarëve tonë të redaksisë. Gazeta Express siguron lexuesit e saj se nuk ka tendenca ndaj asnjë institucioni. Do të mundohemi ta respektojmë Kodin dhe Etikën Gazetareske”, thuhet në reagimin e këtij mediumi.
Në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ishte organizuar një debat me përfaqësuesit e mediave dhe organizatave mediale në Kosovë, për të diskutuar jo vetëm për skandalin e ‘Qepimit’ por edhe për gazetarin copy-paste.
Faton Osmani, drejtor ekzekutiv i portalit Ekonomia Online në këtë debat kishte akuzuar këshilltarin për media të presidentes, Bekim Kupinën se ka përdorur gjuhë përgjithësuese ndaj mediave.
“Ka qenë i mbushur me një gjuhë akuzuese, përgjithësuese. Jam i habitur me gjithë atë gjuhë akuzuese të institucionit më të lartë të shtetit”, ka thënë Osmani.
E në anën tjetër, Bekim Kupina këshilltarë për media i presidentes Vjosa Osmani ka thënë se artikulli në fjalë nuk do arsyetim.
“Ky gabim nuk mund të arsyetohet, është gabim fatal dhe për mua është për keqardhje sesi mund të arsyetohet pastaj narracioni që nuk e kemi bërë ne, e kanë bërë ata. Natyrisht që ne nuk kemi dashtë ta heqim nga reagimi EO, sepse deri sot nuk është ditur se e kujt është fajësia, sot ka dalë Express-i dhe e ka pranuar”, ka thënë ai.
Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se në mediat në Kosovë nuk ka kulturë të ‘qepimit’.
Mushkolaj tha se artikulli me përmbajtjen “me i qepu Vjosës”, i publikuar në disa media, është një rast i izoluar dhe nuk duhet të përgjithësohet.
“Nuk ka kurrfarë filozofie, e as kulturë të “qepimit”, të mos provojmë prej një rasti të izoluar me kriju idenë që ne të gjithë jemi çu kundër presidentes. Nuk mund të thuash për një gabim joprofesional që nuk e di a ka qenë i qëllimshëm apo jo me i shti krejt mediat në një thes. Kjo nuk është kurrfarë fushate e qepimit”, ka thënë ai.
‘Polemika’ e bashkëshortit të presidentes me mediat në Kosovë
Më 9 shkurt, edhe bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu ishte përfshirë në diskutimet për skandalin e qepimit.
Në një postim të cilin e kishte fshirë më vonë, Prindon Sadriu i cili është edhe diplomat por edhe pjesëtar i komponentës rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i kishte shpërndarë reagimin e Presidencës me mbishkrimin ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.
Më vonë ai tha se nuk i ka quajtur ‘ndërmarrje të përbashkëta kriminale” të gjithë gazetarët, por vetëm një pjesë të tyre.
“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1,200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar ai në facebook.
Ndaj kësaj deklarate të Sadriut, kishte reaguar Viola Von Cramon raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, e cila ka thënë se po përcjell me shqetësim atë që ajo e quan kampanjën denigruese kundër gazetarëve në Kosovë.
“Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, ka thënë ajo.
Pasi kishte fshirë postimin e parë, Sadriu kishte bërë edhe një postim tjetër duke thënë se ka respekt për punën e mediave.
“E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”, ka shkruar Sadriu.
Një ditë më vonë, me 10 shkurt Federata Evropiane e Gazetarëve – EFJ, ka reaguar pas deklaratave nga të Sadriut.
“EFJ i bën thirrje Prindon Sadriut t’i ndalojë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve”, ka shkruar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk kishte dashur të jap koment pas pyetjes së KALLXO.com për reagimet të cilat i kishte bërë bashkëshorti i saj në drejtim të mediave.
Ndërsa në një deklaratë të mëvonshme, Osmani kishte thënë se deklarimi i bashkëshortit të saj ishte nxjerrë nga konteksti.
“Sa i përket reagimit të Prindonit, ai e ka bërë një qartësim dje, i cili prapë ka dalë nga konteksti, për dy arsye. Ai e qartëson shumë mirë që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë, nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale. Me të vërtetë është absurditet të mveshni fjalë që nuk janë thënë”, ka thënë presidentja në një intervistë dhënë RTK-së.
Më 10 shkurt, organizatat Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ),Indeksi mbi cenzurën Instituti Ndërkombëtar i shtypit (IPI), Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt ( Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë, Shoqata e Gazetarëve të BH, Shoqata e Gazetarëve Kroatë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, Sindikata e Mediave të Malit të Zi), Fondacioni The Daphne Caruana Galizia , i kanë shkruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke u bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të përdorimit te gjuhës diskredituese dhe denigruese që shënjestron gazetarët, të organizuar nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.
Një ditë më vonë, me 11 shkurt, këtij grupi të organizatave me kërkesën e njëjtë i është bashkuar edhe Organizata ‘Reporterët pa Kufij’.
Me seli në Paris, Reporterët pa Kufij është një OJQ e pavarur me status konsultativ me Kombet e Bashkuara, UNESCO-n, Këshillin e Evropës dhe Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF).
Ajo është OJQ-ja më e madhe në botë e specializuar në mbrojtjen e lirisë së medias.