“Nënat e Srebrenicës” falënderojnë presidenten Osmani për fjalimin në Këshillin e Sigurimit

 “Nënat e Srebrenicës”, organizatë në Bosnjë e Hercegovinë, e cila përfaqëson rreth 6 mijë nëna dhe gra të veja, e ka falënderuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për fjalimin përkrahës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në New York më 22.04.2024.

Përderisa pranë presidentes Osmani në OKB qëndronin katër gra të Kosovës që kanë përjetuar në lëkurën e tyre vuajtjet e luftës në Kosovë, Osmani ka folur edhe për vuajtjet e viktimave në Bosnjë.

“I jemi mirënjohëse presidentes Osmani. Fjalimi i saj për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, viktimat shqiptare të gjenocidit, janë dëgjuar nga e gjithë bota. Fjalime të tilla do të kujtohen për gjenerata. Faleminderit!” – shkruan në postimin e “Nënave të Srebrenicës” në rrjetin social “X”.

Delegacioni i Kosovës, përveç presidentes Vjosa Osmani, përbëhej nga të mbijetuarat e luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Goodman, Elhame Muqolli, Fahrije Hoti dhe Shyhrete Tahiri Sulimani.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kritikoi delegacionin e Kosovës duke thënë se ato nuk e kanë vendin aty.

Kryesuesja e seancës para se t’ia kalonte Osmanit fjalën tha se ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara.

“Në lidhje me delegacionin e Kosovës, nuk kemi të bëjmë asgjë me të. Ky është protokoll i Kombeve të Bashkuara, sikur që nuk i tregojmë emrat e delegacionit tënd që është akredituar këtu”- tha kryesuesja.

Ndërkaq në kundërpërgjigjen e saj, presidentja Osmani tha se katër gratë që janë ulur pas saj, përveç se janë avokuese të drejtësisë, janë edhe pjesë e kabinetit të saj.

“Dua të informoj anëtarët e këtij Këshilli që përveç që janë avokuese të drejtësisë, katër gratë që janë të ulura pas meje janë gjithashtu pjesë e kabinetit tim. Pra ato janë këtu si pjesë e ekipit të këshilltarëve, sepse ato punojnë në kauza që janë shumë të rëndësishme për zemrën time siç është mbështetja për gratë që janë të mbijetuara të dhunës seksuale, por edhe mbështetëse të familjeve që kanë vuajtur nga lufta”- ka deklaruar Osmani.

Shoqata “Nënat e enklavave të Srebrenicës dhe Zepës” organizojnë protesta duke kërkuar të vërtetën dhe drejtësi.