Mushkolaj: Në mediat në Kosovë nuk ka kulturë të ‘qepimit’

Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se në mediat në Kosovë nuk ka kulturë të ‘qepimit’.

Mushkolaj tha se artikulli me përmbajtjen “me i qepu Vjosës”, i publikuar në disa media, është një rast i izoluar dhe nuk duhet të përgjithësohet.

“Nuk ka kurrfarë filozofie, e as kulturë të “qepimit”, të mos provojmë prej një rasti të izoluar me kriju idenë që ne të gjithë jemi çu kundër presidentes. Nuk mund të thuash për një gabim joprofesional që nuk e di a ka qenë i qëllimshëm apo jo me i shti krejt mediat në një thes. Kjo nuk është kurrfarë fushate e qepimit. Mediat në Kosovë kanë probleme që i dimë të gjithë, mirëpo nuk mund t’i etiketosh me terma të tillë”, tha ai.

Mushkolaj tha se problem i mediave në Kosovë është mungesa e emrit dhe mbiemrit të autorit të shkrimit që publikohet.

“Unë personalisht edhe Këshilli vazhdimisht kemi kërkuar që tekstet të jenë me autorë edhe nuk kanë dalë, kjo nënkupton që është një joprofesionalizëm i mediave për shkak që nuk është autori i tekstit”, tha ai.

Të premten në tri media në Kosovë, Gazeta Express, Ekonomia Online  dhe rtklive.com është publikuar një lajm  me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, mirëpo në një pjesë të lajmit është porosia: “(mundesh me hjek krejt, veç nëse do m`i qepu Vjosës)”.

Presidenca ka vlerësuar se në këtë rast është bërë raportim joprofesional duke u bërë thirrje mediumeve përkatëse të kërkojnë falje publike.

Ekonomia Online të premten ka thënë se lajmi është marrë nga Gazeta Express dhe ka kërkuar falje për lëshimin.

Ndërsa Gazeta Express përmes një sqarimi të bërë sot i ka kërkuar falje presidentes Vjosa Osmani.