Presidenca fton mediat të kërkojnë publikisht falje për artikullin me përmbajtjen "me i qepu Vjosës"

Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lajmit të publikuar në dy media në Kosovë, Gazeta Express dhe Ekonomia Online me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, në të cilin sipas Presidencës janë bërë shkelje profesionale.

Presidenca ju ka bërë thirrje mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publike për këtë shkelje.

“Kërkojmë nga redaksitë e mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publikisht për këtë shkelje profesionale, sepse nuk është hera e parë që ndiqet një qasje e tillë në raportimet e tyre për Presidenten”, njofton Presidenca.

“Në tekstin e publikuar thuhet se “Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani – e cila garoi në listën zgjedhore të VV-së, ku kjo parti fitoi mbi 50% të votave – para pak ditësh, publikoi me krenari shpenzimet e Osmanit, duke thënë se asnjë cent s’u shpenzua dosido””, thuhet tutje në reagimin e presidencës.

Presidenca ka theksuar një pjesë të lajmit që thuhet “mundesh me hjek krejt, vec nëse do m`i qepu Vjosës”, pjesë të cilën Zyra e Presidentes e quajti shkelje të rëndë profesionale.

“Një sugjerim redaksional  skandaloz në brendi të tekstit “mundesh me hjek krejt, vec nëse do m`i qepu Vjosës”, të cilin nuk kemi arritur ta verifikojmë se cili medium e ka vendosur brenda tekstit përbën shkelje të rëndë profesionale, tendencë të hapur mediale e politike të vazhdueshme për denigrim dhe njollosje të Presidentes”, thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatë thuhet se mediat të cilat e publikuan atë lajm po ia hedhin fajin njëra- tjetrës që sipas Presidencës nuk përbën gabim por qëllim.

“Mediat e apostrofuara ia hedhin fajin njëra-tjetrës për këtë skandal, teksa kjo praktikë e këtyre mediumeve, u dëshmua se nuk përbën gabim, por qëllim”, thuhet në njoftim.

Mediumi Ekonomia Online (EO) ka reaguar sot gjatë ditës në lidhje me lajmin e publikuar, duke thënë se artikulli është kopjuar nga Gazeta Express dhe pastaj publikuar tek mediumi i tyre.

“Shkrimi është postuar nga një gazetare praktikante, e cila nuk e ka vërejtur që brenda tekstit ka dhe një fjali: “mundesh me hjek krejt, veç që don m’i qepu Vjosës”. Sapo është vërejtur nga redaktorët, lajmi është fshirë. Për gabimin e rëndë profesional, gazetarja praktikante nuk do të jetë më pjesë e redaksisë”, thuhet në reagimin e mediumit Ekonomia Online.

“Redaksia e pranon me keqardhje gabimin që ka lejuar një gazetare të papërvojë me publiku lajme (të huazuara nga mediet e tjera). Por, redaksia dëshiron të sqarojë se ky është një lëshim profesional, pavarësisht tendencës (nga zëdhënësi i një partie etj.) që t’i japë “ngjyrim” tjetër këtij lëshimi fatkeq”, ka shkruar në sqarimin e saj, Ekonomia Online.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët i kanë ftuar gazetarët dhe mediat të respektojnë Kodin e Etikës.

“Duke marrë shkas nga një raportim joprofesional dhe joetik në disa media sot, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës edhe njëherë u kujton kolegëve gazetarë dhe punëtorëve të tjerë medialë rëndësinë për t’iu përmbajtur Kodit Etik të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodit Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

AGK gjithashtu theksoi se roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë mediumin Gazeta Express në numrin kontaktues të tyre në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Fotografi e artikullit të publikuar në mediumin Ekonomia Online | Foto: ZPRK