Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Reagon burri i presidentes, thotë se ka respekt për punën e mediave dhe gazetarëve profesionistë

Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, ka folur sonte për reagimet që ngalli një koment i tij mbrëmë e që në shënjestër kishte gazetarët dhe mediat.

Komentin e publikuar mbrëmë Sadriu duket se e ka fshirë.

Ndaj këtij komenti pati reagime të shumta. Atë e dënoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e madje pati reagim edhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Viola Von Cramon.

Por, sonte, Prindon Sadriu ka shkruar sërish në lidhje me gazetarët. Ai tha se ka pasur dhe do të ketë respekt dhe mirënjohje për punën e mediave dhe gazetarëve.

“E kuptoj peshën e statusit tim të postuar mbrëmë (i cili qëllimshëm është devijuar nga disa), por dua të qartësoj se respekti dhe mirënjohja ime për punën e mediave dhe gazetarëve profesionist ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e pa rezervë”, ka shkruar Sadriu.

Prindon Sadriu është shprehur se do të jetë ithtar i mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe i gazetarisë profesionale e të pavarur.

“Përfundimisht, aq sa do të jem gjithnjë ithtar i mbrojtjes së lirisë së shprehjes, po aq shumë do të jem ithtar i promovimit dhe mbrojtjes së gazetarisë profesionale e të pavarur. Asnjëherë nuk kam synuar e as nuk synoj ta cenojë gazetarinë profesioniste, si profesion i domosdoshëm për demokracinë, për të cilën kontribuojnë shumë gazetarë e media të përkushtuara”, ka shkruar ai në Facebook.

Prindon Sadriu tha se reagimi i mbrëmshëm ka qenë për shkak të kërcënimeve dhe etiketimeve për bashkëshorten e tij, familjen e saj dhe familjen e tij.

“Dhjetëra kërcënime, përfshirë kërcënime me vdekje që bëhen ‘live’ nëpër emisione ndaj familjes sime, linçimet publike ndaj babait të Vjosës duke e shpallur atë polic serb që ka kryer krime ndaj shqiptarëve, paraqitja e familjes sime si njerëz që kanë vrarë shqiptarë, pastaj paraqitja jonë si kinse spiunë e shërbëtorë të Rusisë e udhëheqës të klaneve mafioze, e deri tek propaganda e çdoditshme për kinse pasuri luksoze e artikuj për gjoja abuzim pushteti, janë jo vetëm të pavërteta por edhe kanë rezultuar me cenim të sigurisë edhe ndaj fëmijëve tanë që nga viti 2019” ka thënë Sadriu.

.