Artikulli “me i qepu Vjosës” përplas drejtorin e EO dhe këshilltarin e presidentes

Faton Osmani, drejtor ekzekutiv i portalit Ekonomia Online në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për artikullin, në të cilin ishte kjo porosi:  “Mundesh me hjekë krejt, veç nëse do mi qepu Vjosës”.

Ai tha se lajmi është marrë nga Gazeta Express dhe ka qenë i publikuar nga një praktikante.

Osmani ka thënë se ka qenë një “gabim teknik” ai artikull, përderisa ka akuzuar Presidencën për gjuhë akuzuese në reagimin e saj.

“Ka qenë i mbushur me një gjuhë akuzuese, përgjithësuese. Jam i habitur me gjithë atë gjuhë akuzuese të institucionit më të lartë të shtetit”, tha ai.

Në anën tjetër, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, përmendi edhe disa artikuj të tjerë që agjencia Ekonomia Online i ka marrë nga mediat e tjera e që, sipas tij, nuk kanë qenë të vërteta.

Kupina tha që gabimi në artikullin me përmbajtjen “me i qepu Vjosës” nuk duhet të arsyetohet.

“Ky gabim nuk mund të arsyetohet, është gabim fatal dhe për mua është për keqardhje sesi mund të arsyetohet pastaj narracioni që nuk e kemi bërë ne, e kanë bërë ata. Natyrisht që ne nuk kemi dashtë ta heqim nga reagimi EO, sepse deri sot nuk është ditur se e kujt është fajësia, sot ka dalë Express-i dhe e ka pranuar”, theksoi ai.

Të premten Zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lajmit të publikuar në dy media në Kosovë, Gazeta Express dhe Ekonomia Online me titull “LVV si pushtetarë, mburret se po kursen ujë, harxhon derivate sa dhjetëra rroga minimale”, në të cilin sipas Presidencës janë bërë shkelje profesionale.

Presidenca u ka bërë thirrje mediumeve përkatëse që të kërkojnë falje publike për këtë shkelje.

Ekonomia Online po atë ditë ka sqaruar se ka qenë një lajm i marrë nga Gazeta Express.

Ndërsa sot në një sqarim Gazeta Express ka treguar se si ka ndodhur rasti si dhe i ka kërkuar falje presidentes Vjosa Osmani.