Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme. Foto: Kallxo.com

Rruga politike ndërkombëtare e Skender Hysenit

Anëtarit të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme Skender Hysenit, të martën iu besua pozita e koordinatorit shtetëror për dialogun me Serbinë, nga kryeministri dhe bashkëpartiaku i tij Avdullah Hoti.

Hyseni i cili ka një përvojë të gjatë politike veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar, pritet të bartë përgjegjësinë e një marrëveshje të mundshme me Serbinë.

Kjo pasi vetëm dy ditë pas emërimit në detyrën e re, ai pritet që këtë të enjte, më 23 korrik të përfaqësojë Kosovën në Bruksel në kuadër të të cilit takim, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se do të diskutohet edhe për draftimin e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Hyseni ka qenë një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkaq karrierën e tij politike e kishte vazhduar nga afër edhe me figurat kyçe të LDK-së ndër vite, si ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe ish-kryeministrin Isa Mustafa.

Në mars të këtij viti, Hyseni kishte pasur edhe një takim të bujshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Ai kishte njoftuar se në këtë takim “të gjatë dhe shterrues”, bisedën e kishin përqendruar në aspekte të veçanta të zhvillimeve në Kosovë dhe rajon, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë dhe ambasadori Grenell kërkonin me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia “që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”.

Ky takim kishte ndodhur pak javë pas formimit të Qeverisë LVV-LDK me kryeministër Albin Kurtin, përderisa LDK-ja ishte tërhequr nga dakordimi në programin qeverisës së tarifa të zëvendësohej me reciprocitet, duke kërkuar nga Kurti të hiqte vendimin dhe për çdo masë tjetër të koordinohej me ShBA-të.

Lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Hyseni ishte deklaruar edhe në vitin 2018.

Koordinatori shtetëror për dialogun Skender Hyseni dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 21 korrik 2020, Foto: Zyra e Kryeministrit

Në nëntor të atij viti, Skender Hyseni në një intervistë për KALLXO.com pati thënë se ideja e presidentit të Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit me Serbinë e cila, sipas tij, nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën është një fantastikë shkencore ndaj të cilës duhet pasur kujdes.

Sipas Hysenit, përvoja e ridefinimit të kufijve në vendet e Ballkanit ka prodhuar luftëra dhe nuk ka ofruar zgjidhje të qëndrueshme për asnjërën palë duke shtuar se dialogu me Serbinë duhet ta vazhdojë për çështje të interesit të përbashkët dhe jo për çështje të hapura siç është statusi i Kosovës.

“Kryesia e LDK-së mendon që çfarëdo ideje për rikonstruktim të territoreve në Ballkan mund të prodhojë konflikte të reja dhe ne insistojmë që dialogu të bëhet të interesit të ndërsjellë dhe jo për çështje të hapura siç është statusi. Për interes të ndërsjellë Kosova dhe Serbia do të bisedojnë përjetësisht, unë të ardhmen e shoh me marrëdhënie të mira e pakta marrëdhënie funksionale që do t’ua mundësojë të dyja vendeve të ecin drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s”, ishte shprehur ai.

Hyseni mes tjerash kishte theksuar se dialogu me Serbinë, nuk mund të zhvillohet dhe të përmbyllet pa konsensus të forcave politike.

Biografia e Skender Hysenit

Sipas një biografie të publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Skender Hyseni është lindur më 17 shkurt 1955, në Podujevë.

Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në qytetin e lindjes, ndërkaq studimet universitare në Prishtinë, në degën e gjuhës dhe letërsisë angleze.

Pas përfundimit të studimeve universitare, Hyseni thuhet se vëmendjen e tij e ka përqendruar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme dhe sistemeve politike. Ka qëndruar për studime të shkurta në Bloomsburg State College, SHBA (1978) dhe në Universitetin e Aberdinit, Skoci (1986).

Ndërkaq tutje thuhet se angazhimin e tij politik Hyseni e ka lluar me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës më 1989, për t`u angazhuar në Qendrën për Informim të Kosovës (QIK) më 1992, si gazetar dhe përkthyes.

Ai ka qenë njëri nga redaktorët dhe bashkëthemeluesit e Kosova Daily Report (buletin lajmesh në gjuhën angleze).

Pas zgjedhjes së Ibrahim Rugovës, president i Kosovës më 1992, Hyseni i bashkëngjitet ekipit të ngushtë të tij, për t’u bërë njëri nga këshilltarët e tij kryesorë në prag të konferencës së Rambujesë, ku ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës.

Pas luftës së Kosovës, ai ka vazhduar të jetë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë, si këshilltar i parë i presidentit Rugova, deri në vdekje të këtij të fundit. Ka vazhduar të jetë këshilltar kryesor politik edhe i Presidentit Fatmir Sejdiu.

Anëtar i të gjitha delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status, Skender Hyseni, njëherazi edhe zëdhënës i Ekipit Negociatior të Kosovës, në zgjedhjet 2007 për Parlamentin e Kosovës është zgjedhur deputet.

Ndërkaq, në seancën e parë të këtij kuvendi është zgjedhur ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Është anëtar i kryesisë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Skender Hyseni qenë anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Më 3 prill 2008, Hyseni është zgjedhur ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës. Detyrën e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës e ka përfunduar me 18 tetor 2010. Po këtë vit zgjidhet deputet dhe anëtar i Komisionit Për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me 9 dhjetor 2014, Hyseni zgjidhet Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga Isa Mustafa (LDK).

Ai është i martuar dhe ka katër fëmijë.