Skender Hyseni takon Grenellin: LDK pajtohet që tarifa të hiqet menjëherë dhe pa kushte

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni ka bërë të ditur se  sot e ka pasur një takim të gjatë me të dërguarin e posaçëm të  presidentin amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Hyseni ka njoftuar se në këtë takim “të gjatë dhe shterrues”, bisedën e kanë përqendruar në aspekte të veçanta të zhvillimeve në Kosovë dhe rajon.

Ai ka shtuar se , Shtëpia e Bardhë dhe ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia “që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë”.

“Por, Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatësisht nga sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe liderëve të saj, ishte mesazhi i Ambasadorit Grenell, duke shtuar se Amerika nuk mund të vazhdojë të shpenzojë qindra miliona dollarë për ushtri dhe ndihma e projekte tjera në një vend ku qeveria punon kundër interesave të qytetarëve të saj”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Zyrtari i LDK-së, mes tjerash thotë se e ka siguruar Grenelli se për LDK-në dhe popullin e Kosovës, partneriteti strategjik dhe miqësia e veçantë me SHBA-të janë të shenjta dhe të pazëvendësueshme.

“LDK pajtohet dhe mbron qëndrimin që tarifa të hiqet menjëherë dhe pa kushte, ashtu siç kërkohet nga Presidenti Trump”, është shprehur Hyseni.

Kryeministrit Albin Kurti po i kërkohet që menjëherë të heq tarifën 100 për qind, pas paralajmërimeve të ShBA-së, për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Skender Hysenit në Facebook:

Sot pata një takim të gjatë me Ambasadorin Richard Grenell në Shtëpine e Bardhë në Washington

Me autorizimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, sot, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe Sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LDK-së, u prita në Shtëpinë e Bardhë në Washington nga i Dërguari i Posaçem i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell.
Gjatë një takmi të gjatë dhe shterrues, bisedën e përqëndruam në aspekte të veçanta të zhvilimeve në Kosovë dhe rajon.
I përkushtuar fuqishëm për të çuar Kosovën dhe rajonin përpara drejt një zhvillimi dinamik ekonomik, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Amerika është aleat i palëkundshëm i Kosovës dhe popullit të saj dhe mbetet fuqishem e përkushtuar ndaj interesave jetike të saj.
Por, Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatsisht nga sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe liderëve të saj, ishte mesazhi i Ambasadorit Grenell, duke shtuar se Amerika nuk mund të vazhdojë të shpenzojë qindra miliona dollarë për ushtri dhe ndihma e projekte tjera në një vend ku qeveria punon kundër interesave të qytetarëve të saj.
E sigurova Ambasadorin Grenell se për LDK-në dhe popullin e Kosovës, partneriteti strategjik dhe miqësia e veçantë me SHBA-të janë të shenjta dhe të pazëvendësueshme.
LDK kurre nuk do te lejojë qe ky partneritet të prishet.
LDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur që të koordinohet dhe harmonizohet ngushtë me SHBA-të në çdo fushë.
LDK pajtohet dhe mbron qendrimin që tarifa të hiqet menjëhere dhe pa kushte, ashtu siq kërkohet nga Presidenti Trump.
Partneriteti me Amerikën nuk ka alternative.

Skender Hyseni