Daniel Serwer

Daniel Serwer: Kriza parlamentare e dobëson Kosovën

Profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës, duke i cilësuar si një sfidë për funksionalitetin e institucioneve, por jo si kërcënim për stabilitetin e brendshëm të vendit.

Në një intervistë për RTK, Serwer tha se përplasjet aktuale në Kuvendin e Kosovës janë të zakonshme në sistemet parlamentare, mirëpo Kushtetuta nuk ofron një zgjidhje të qartë për to.

“Kjo është një lloj mosmarrëveshjeje që haset shpesh në sistemet parlamentare. Megjithatë, kushtetuta e Kosovës nuk ofron një mekanizëm të qartë për zgjidhjen e saj”- u shpreh ai.

Sipas tij, perceptimi i qytetarëve për krizën është më mirë i dukshëm nga brenda, ndërsa nga jashtë, shoqëria kosovare duket se funksionon normalisht.

“E vlerësoni ju më mirë se unë nëse qytetarët janë realisht të shqetësuar. Nga jashtë, duket se shoqëria vazhdon të funksionojë normalisht” – tha Serwer.

Ai paralajmëroi se ngërçi aktual cenon imazhin e Kosovës në rajon.

“Pa dyshim, po. Për Kosovën është një pengesë serioze të mos ketë një qeveri plotësisht funksionale dhe të fuqizuar” – theksoi ai, duke shtuar se megjithatë nuk pret destabilitet të brendshëm si pasojë e kësaj.

Serwer theksoi se kriza parlamentare ndikon edhe në pozicionin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Dialogu, në fakt, është i pezulluar, jo vetëm për shkak të situatës në Kosovë, por edhe sepse Serbia nuk ka treguar gatishmëri për të zbatuar marrëveshjet e arritura më herët. Në këtë kuptim, kriza e dobëson Kosovën në përgjithësi”- vlerësoi profesori amerikan.

I pyetur nëse Beogradi mund ta shfrytëzojë situatën, ai u përgjigj tha se “Beogradi me gjasë do të tentojë. Megjithatë, gjendja e brendshme në Serbi është më pak stabile dhe më pak demokratike sesa ajo në Kosovë”.

Sa i përket reagimit të partnerëve ndërkombëtarë, eksperti amerikan nuk beson se kjo krizë do të shihet si një problem afatgjatë.

“Unë nuk mendoj se kjo është pasqyrim i problemeve më të thella dhe afatgjata. Kosova ka pasur rotacion të pushtetit në mënyrë të përsëritur pa këtë lloj bllokade, e cila kësaj here është krijuar nga një rezultat zgjedhor i paqartë dhe politikanë kokëfortë”- theksoi Serwer për RTK.

Serwer nënvizoi se pa qeveri funksionale, Kosova nuk mund të bëjë përparim në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së.

Si hap urgjent, ai sugjeroi që liderët politikë të arrijnë marrëveshje për krijimin e një qeverie funksionale.

“Ardhja në një marrëveshje për formimin e një qeverie funksionale dhe të fuqizuar është hapi i parë i domosdoshëm” – u shpreh Serwer.

Në fund, ai shfaqi bindjen se Kosova ka kapacitet për ta forcuar kulturën e saj demokratike dhe për të përballuar sfidat.

Kuvendi i Kosovës më 30.08.2025 nuk arriti ta zgjidhte nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha e konsideroi të përmbyllur konstituimin legjislaturës së nëntë.

Më 01.09.2025 është paralajmëruar edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, teksa, megjithëse nuk është publikuar ndonjë agjendë, kryeparlamentari Basha, ka paralajmëruar se në këtë mbledhje do të diskutohet se si të veprohet tutje me punën e Kuvendit.