Rigjykimi i Kleçkës Nis me Kërkesë për Paraburgimin e Limajt

Seanca më shumë kishte të bënte më çështjet procedurale rreth dilemave për aplikimin e dispozitave të kodit të vjetër apo atij të ri të procedurës penale, rreth caktimit të dëshmitarëve dhe marrjes parasysh të deklaratave të tyre, çështjes së masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve dhe deklarimit të të pandehurve në lidhje me akuzat që ngarkoheshin.

Me propozimin e prokurorisë dhe pajtimin e mbrojtësve të të pandehurve, aktakuza nuk u lexua fare.

Pasi kryetari i panelit gjyqësor pyeti të pandehurit nëse kanë kuptuar akuzën dhe nëse e ndjejnë vetën fajtorë, të pandehurit Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj,Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj më pas u deklaruan se ndjejnë vetën të pafajshëm për të gjitha pikat që i ngarkonte aktakuza.

Seanca vazhdoi me shqetësimet e mbrojtësve në lidhje me provat e “redaktuara” siç i quanin vetë mbrojtësit, sipas të cilëve, një pjesë e provave nuk ishin të plota ose ishin të fshira. Sipas avokatit Florim Vertopi, i cili mbronte të pandehurin Naser Krasniqi, “Gjykata duhet t’i dorëzojë mbrojtjes origjinalin e deklaratës së dëshmisë së Zogajt (dëshmitarit X) nga pika 1 deri në pikën 5”.

Kryetari i trupit gjykues deklaroi se provat origjinale të cilat i posedon gjykata, për të cilat konfirmoi se janë një pjesë të fshira-paplota, do të trajtohen në seancat vijuese nëse do të jetë e nevojshme.

Pas pauzës prej 1 ore e gjysmë, me kërkesën e gjykatës që mbrojtja ta unifikojë listën e dëshmitarëve që do të dëgjohen në shqyrtimet e radhës, gjykata vendosi që nga 43 dëshmitarë sa janë gjithsejtë në rastin Kleçka, të dëgjohen dëshmitë e tetë dëshmitarëve, përkatësisht dëshmitarët A, C, I, B, Y, M, Bislim Zyrapi dhe Morfologu. Ndërsa për pjesën tjetër të dëshmitarëve, prokuroria dhe mbrojtja u pajtuan që të lexohen deklaratat e dëshmive të tyre dhe eventualisht të ftohet ndonjë dëshmitar nëse do të konsiderohet e nevojshme.

Mbrojtësit e të akuzuarve Shaban Shala, Rifat Mazreku, Naser Krasniqi, Arben Krasniqi, Sabit Shala, Naser Shala, Behlul Limaj dhe Nexhmi Krasniqi, i propozuan gjykatës që ndaj klientëve të tyre të hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe të shqiptohet masa e paraqitjes në stacionin policor ose edhe ndonjë masë tjetër më e lehtë.

“Kanë pushuar shkaqet dhe arsyet ligjore se përse u është caktuar masa e arrestit shtëpiak”, theksoi avokati Megjid Syla, i cili është mbrojtës i të pandehurit Sabit Shala dhe kërkoi nga gjykata aprovimin e kërkesës së të gjithë mbrojtësve.

Prokurori Maurizio Salustro kundërshtoi propozimin e mbrojtësve duke shtuar se “situata duhet të qëndrojë kështu si është”. Për më tepër, prokurori kishte përgatitur më shkrim kërkesën e tij për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj Fatmir Limaj, të cilën edhe ia dorëzoi gjykatës. Një gjë e tillë u kundërshtua nga mbrojtja e Fatmir Limajt, e cila për më shumë se një orë, argumentoi të kundërtën.

Ndër të tjera, mbrojtësi Karim Khan theksoi se kërkesa e prokurorisë për paraburgimin e Limajt “Është për të dramatizuar rritjen e efektit në prag të gjykimit kryesor dhe asgjë më tepër”.

Mbrojtësi Khan shtoi se “Një qasje e tillë nga ndjekja nuk është e kënaqshme e as e qëndrueshme në këtë institucion e aq më tepër për një prokuror me përvojë nga EULEX-i i cili do të duhej të ishte mësim për prokurorët vendorë”.

Sipas tij, Fatmir Limaj do të vazhdojë të bashkëpunojë më organet e drejtësisë.

Në lidhje më të gjitha këto propozime, kryetari i trupit gjykues deklaroi se do t’i pleqnojnë në trup gjykues dhe pas konsultimit, do të vendoset eventualisht në mëngjesin e ditës së nesërme.

Në muajin nëntor të vitit 2012, Gjykata Supreme e Kosovës kishte pranuar ankesën e prokurorisë ndaj aktgjykimit lirues për Fatmir Limajn dhe tre bashkëluftëtarëve të tij në rastin Kleçka, duke e kthyer rastin në rigjykim. Në arsyetim, kryetari i kolegjit, Gerrit-Marc Sprenger, tha se Gjykata e Qarkut i ka përzier pranueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e deklaratave të dëshmitarit X. Sipas gjykatës, mbrojtja ka pasur mundësinë ta pyesë dhe ta ballafaqojë dëshmitarin me atë çka ka deklaruar para prokurorit.

Një muaj më vonë  Gjykata Supreme kishte kthyer në rigjykim edhe gjashtë të pandehurit tjerë Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, edhe pse në mars të vitit 2012 ishin shpallur të pafajshëm në rastin “Kleçka”, të akuzuar për krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë më 23 prill.