Zinxhiri i humbjeve në një verë pa dasma

Punëtorë sezonal në restorante, valltarë, rrobaqepës, pastiçeri e biznese tjera do të goditen nga ndalimi i dasmave e ahengjeve tjera që pritet të ketë një efekt zinxhiror në ekonominë e Ferizajt.

Karriget e tavolinat e zbrazura në sallën e dasmave “Berisha Palace” në Ferizaj nuk janë pamje të zakonshme gjatë muajit qershor, muaj ky që shënon fillimin e sezonit së dasmave e ahengjeve tjera në Kosovë që zgjat deri në fillim të shtatorit.

Këtë vit për shkak të përhapjes së COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndalojë mbajtjen e ahengjeve, si formë e parandalimit të shpërndarjes së virusit vdekjeprurës. Por, ky vendim nga institucionet qendrore për Agon Berishën, pronar i “Berisha Palace”, do të ketë pasoja mbi biznesin e tij dhe 30 të punësuarit sezonalë.

Sipas tij, tashmë 15 prej dasmave të rezervuara në biznesin e tij, janë anuluar. 

Ndërsa ka edhe të tillë që nuk kanë marrë ende vendim, duke shpresuar se do të përmirësohet situata shëndetësore dhe se Qeveria do të lejojë mbajtjen e dasmave.

“Shumica e kanë lanë një opsion të dytë, e kanë rezervu edhe një datë tjetër për vitin tjetër, por kanë kërku që atë që e ka mos me ja largu, sepse ka mundësi që  i mbajnë”, tregon ai.

Në muajin qershor një grup pronarësh restorantesh e po ashtu këngëtarë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës duke kërkuar të lejohet mbajtja e dasmave që mbetet burim i rëndësishëm për shumë biznese të vogla e të mesme në gjithë Kosovën. 

Laura Sopaj, koreografe dhe udhëheqëse e ansamblit “Shamikuqet”, vendos dorën në zemër dhe thotë se nëse përshëndetjet mund të bëhen edhe në këtë mënyrë dhe vallëzimet mund të bëhen edhe pa i lidhur duart.

Në grupin e saj janë 36 vajza nga mosha 15 vjeçare e më lartë dhe për këtë verë kanë të planifikuara shumë dasma.

“40 dasma i kam të rezervume për vitin 2021 dhe me më kërku me zhvendos një datë për vitin tjetër është e pamundur, se 36 vajza janë një grup shumë i madh, por nuk është staf i madh sa me i menaxhu 17 dasma brenda një dite”, thotë Sopaj.

Përpos në Kosovë, Laura me grupin e saj kanë dasma në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri.

“Çdo vit i porositi defat e rinj nga një burrë në Tetovë edhe nëse merret vendimi na duhet me e ditë paraprakisht, sepse ato nuk mundem me u bë përnjëherë, por i duhet kohë”, shton ajo.

Berisha Palace dhe Shamikuqet nuk janë të vetmit në hall me krizën shëndetësore, meqë biznese të ndryshme do të preken nga kjo gjendje agonie.

Natyrshëm, anulimi i dasmave për shkak të pandemisë do të ketë një ndikim zinxhiror edhe në të tjera biznese të qytetit të njohur për afarizëm.

Mos mbajtja e dasmave po ashtu do të ndikojë edhe në rënien e blerjes së veshjeve më elegante për ahengje të ndryshme.

Dizajnerja Vlora Neziri e cila menaxhon biznesin e saj V&K së bashku me nënën dhe motrën e saj, ka të punësuara mbi 50 vajza dhe gra të moshave të ndryshme, të cilat kujdesën që të qepin fustane e veshje të tjera të ndryshme.

Duke shpresuar që dasmat nuk do të anulohen, Neziri tregon se deri më tani nuk ka pasur anulime të mëdha në krahasim me porositë që janë bërë por vështirësitë e kanë përcjellin biznesin e saj.

 “Jemi ballafaqu me të gjitha, më e vështira ka qenë për mu Kaltrinën edhe mamin, pasi që triat e udhëheqim biznesin, nuk ka qenë hiç e lehtë, me ju thanë punëtoreve që e kena ndërpre procesin e punës, prodhimit”, rrëfen ajo.

Gjatë sezoneve të kaluara në verë në biznesin V&K janë punësuar mbi 20 punëtore sezonale, ndërsa këtë vit nuk do të ndodhë e njëjta gjë, madje sipas Nezirit është dashur të largohen dhe disa punëtore të cilat kanë punuar me orar të rregullt. “Edhe për këtë vit janë planifiku 20 me i marr, por gjë e cila bie poshtë. Jemi mundu që ato të cilat janë shtylla kryesore në familje mos me i largu,” thotë ajo duke ngrysur fytyrën.

Bardha Begisholli, pronare e lokalit “Bardha Begisholli” sallon bukurie, tregon vështirësitë e njëjta që i  ka sjellë pandemia.

 “Verës bahemi rreth 15 punëtore, unë punoj me tri motrat e mia, gati shumica jemi familjarë edhe punëtore të tjera, por këtë vit hala nuk kanë dal punëtorët në punë”, thotë Begisholli.

Ajo tregon se nëse këtë verë nuk do të mbahen dasmat, në punë nuk do të kthej punëtoret e saja sepse nuk do të ketë punë të mjaftueshme për të gjitha.

Begisholli sikurse shumë biznese të tjera të vogla ia kanë parë  sherrin pandemisë pasi iu kanë munguar furnizimet për shkak të mbylljes së kufijve për muaj të tërë, deri në fillim të qershorit kur Qeveria mori vendim të hapë kufijtë me shtetet fqinje.

Kjo i ka ndodhur edhe Rina Mehmetit, e cila ka dyqanin e materialeve “Emina’s’ në Ferizaj, e cila tregon se shumica e materialeve janë prej Dubait dhe Indisë dhe porositë nuk munden  me u realizu për shkak mbylljes së kufijve, por shton se edhe interesimi është shumë më i vogël për blerje në kohë pandemie.

“Në fillim kur janë kanë rastet e para me coronavirus panik ka qenë më e madhe, mund të them se 50% e klientëve na kanë thirr edhe anulim ndoshta nuk ka pasë, por ka pasë rezerva,” thotë Mehmeti.

Panikun dhe rënien e fuqisë blerëse e vëren edhe Mersije Sahehu. Në lokalin “Jana’s Cosmetics”, Shehu duke drejtuar dorën tek produktet të cilat janë të përgatitura për shitje, të cilat përdoren si dhurata në dasma.

“Verën e kalume e kam pasë edhe një punëtore plus, e tash njëherë përnjëherë jo, nuk mendoj me e kthy(në punë). Veren e kalume kam pas kozmetikë ma shumë se tash, prej kohës që është  mbyll,  janë mbet mbyll.”, ka thënë Shehu.

Pak ahengje mund të paramendohen pa tortë. Kjo ka bërë që shumë pastiçerë të fillojnë biznese familjare që padyshim se do të goditen nga ndalimi i mbajtjes se ahengjeve.

Lina’s Cake është emri i lokalit i cili ndodhet në oborrin e shtëpisë së Adelinës, e cila punon së bashku me fëmijët dhe burrin e saj.

Ajo tregon se nëse porositë e marra deri tani do të anulohen, ajo detyrohet që në punë të mos kthej tre punëtoret e saja sezonale. “Gjatë sezonit marr më shumë edhe dy tjera, nganjëherë kam nevojë edhe ma shumë. Nëse anulohen unë nuk i marr punëtorët të cilat i kam marrë zakonisht verës,” tregon Salihu përderisa me njërën dorë vendos copëzat e materialit punës mbi tortë.

Me rritjen e të infektuarve me COVIDd-19, është vështirë të imagjinohet mbajtja e dasmave në Kosovë, mirëpo edhe po të lejoheshin, efektet në bizneset e vogla dhe ato të mesme veçse kanë lënë shenjat e para.