Qendra e Malishevës nga Google Earth - ku shquhen 'rrathët aliene'

Malisheva, Nismëtarja e ‘Avazit të Vjetër’

Po të shihet nga lart, qendra e Malishevës duket sikur një nga ato vizatimet e jashtëtokësorëve nëpër fushat e të korrave. Këto janë forma gjeometrike të bëra nëpër fusha e të cilat nga lart duken të përsosura.

Do me thënë, krijohen figura në një pjesë të barit që shtypet në kontrast me  pjesën tjetër që rri në këmbë, dhe nga lart duket si i vizatuar për shkak të hijeve, por puna është se duhet të përmbajë forma të bukura gjeometrike.

Është me rëndësi të thuhet se ato që janë gjetur deri tash, konsiderohen të mistershme për sa kohë kanë madhësi që përfshijnë parcela tepër të mëdha e të cilat nuk do të mund të kryheshin nga dikush që nuk e ka në zotërim një helikopter, ashtu që me tërë atë saktësi ta kryente vizatimin nga lart.

Konspiracioni tenton të na bindë se ato bëhen nga jashtëtokësorët si metoda komunikimi apo shënjimi të territoreve të caktuara.

Sheshi qendror i Malishevës duket sikur një nga ato shenjat drejtuar jashtëtokësorëve. Disa rrathë koncentrikë që shpërndahen deri në disa të tjerë gjysmë-rrathë me të cilët lidhen me shirita që shërbejnë për shëtitje.

Në skaj është shtatorja e Adem Jasharit. Me gjasë është realizimi më i dobët i Adem Jasharit në bronz. Figura e tij është e deformuar disi çuditshëm, jo aq po të shihet nga para, sesa nga anash. Duket sikur dikujt diçka i ka ikur nga dora teksa ka punuar në të.

Lidhja e rrathëve të këtij sheshi mes vete t’i kujton ujëvarat e Mirushës. Për këtë në fakt njihet Malisheva.

Është fjala për 13 basene të vogla që krijohen nga 12 rëniet e ujit shkallë-shkallë. Mes basenit të gjashtë dhe të shtatë lartësia e ujëvarës arrijnë në 22 metra. Kjo ndodhet afër maleve të Gremnikut. Konsiderohet një pasuri natyrore  dhe mbrohet nga shteti. Thuhet se është e rrallë si dukuri natyrore.

Malisheva nuk është fort e madhe. Ajo ka rreth 60 mijë banorë dhe shteti i ka caktuar komunës 11.8 milion euro si buxhet vjetor. Malisheva ka qenë një bastion i PDK-së deri sa në vitin 2013 u shkaktuan përçarje brenda saj, me ç’rast u formua Nisma. Tani Malisheva qeveriset nga Ragip Begaj, pjesëtar i Nisma-s dhe kryetar i zgjedhur i komunës.

Salla e asamblesë komunale është një sallë fort e mirë. E rregulluar sipas standardeve ajo përbën një donacion të huaj. Dominon ngjyra kafe e një lloj materiali që imiton drurin. Salla është e lartë dhe disi e gjerë. Ka vend mjaftueshëm.

Edhe asamblistët filluan t’i zinin vendet. Në ballë të sallës ata vështroheshin nga Presidentja e Republikës, Adem Jashari dhe Skënderbeu. Sa u mbush asambleja dhe u dhanë instruksionet për përdorimin e mikrofonave debati ishte gati të fillonte.

“Betohem para qytetarëve dhe para zotit” – ishin fjalët e kryetarit Begaj që vëreheshin më shumë në klipin dyminutësh të premtimeve që kishte dhënë para se të zgjedhej kryetar.

Ndërsa tani, akuzat i artikulonte opozita e udhëhequr nga PDK-ja, e pamësuar me pozicionin e ri opozitar. Porsa artikulonte një akuzë, kundërakuza ishte krahasimi me si kishte qenë më parë.

Natyrisht kryetari nuk la pa i lëshuar edhe një sërë akuzash tjera për bëmat e PDK-së. Por këtu kishte një problem, se në vitet 2002-2009 kryetari aktual ishte nënkryetar i Komunës së Malishevës.

Pastaj në vitet 2009-2013 ishte kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës, ndaj asamblistët e PDK-së, jo pa të drejtë ngrinin pyetjen se pse kryetari nuk i kishte hapur këto çështje sa ishte kryesues. Por përgjigje nuk merrnin se vinin në radhë akuza të reja.

U përmend si pozitive fakti që rriqrat nuk kanë shkaktuar asnjë viktimë për këto dy vite. Këtu fjala është për insektet parazite që shkaktojnë ethe hemoragjike, të cilat u lajmëruan në Kosovë pas luftës dhe patën shkaktuar viktima të konsiderueshme.

Kryetari nuk është se merrte gjithë kreditet për vete – ai e quante “fatbardhësi” faktin që askush nuk ka vdekur gjatë ushtrimit të mandatit të tij, por edhe punët e spërkatjes nga sa duket ishin kryer me kohë.

Por përtej fitores së betejës kundër rriqrave, nga diskutimet në asamble dhe bisedat me qytetarë rrugëve të Malishevës, kupton se pak ka ndryshuar nga një qeverisje komunale në tjetrën.

Një çështje tjetër nxiti debat pak më të ashpër. PDK akuzonte se investimet që i kishte nisur në zhveshtoren e stadiumit kryetari nuk i ka çuar deri në fund vetëm për inate partiake. Dhe vërtet, zhveshtoret ishin në gjendje të mjerë nga sa shihej në fotografi.

Por kryetari e mohonte këtë dhe jepte arsye nga ato që i japin kryetarët. Përmendin zakonisht ndonjë afat të prokurimit a diçka të ngjashme, aq sa bëhet e pamundur të vërtetohet në kohë reale saktësia e asaj që thuhet meqë duhet kryer hulumtim në disa institucione.

Brenda temës së sportit u fol edhe për dresat e klubit basketbollistik të qytetit. Kryetari u lavdërua për subvencionet që kishte dhënë për basketbollin, por shpejt kryesuesja Jeta Xharra e pyeti për dresat e klubit të cilat kishin ndërruar ngjyrë gjatë dy viteve të fundit.

“Unë nuk përzihna në punë të klubit”, tha kryetari me një pamje sikur të një fëmije që do ta fshehë gotën e thyer. “Po shihet” – iu përgjigj kryesuesja Xharra.

Tërë salla qeshte ndërkohë që regjia shfaqte foton e basketbollistëve të klubit me dresa ngjyrë portokalli që ngjanin si militantë të Nisma-s më shumë sesa me basketbollistët pa parti të qytetit.