Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj | Foto: KALLXO.com
Haradinaj e Limaj propozohen si dëshmitarë në gjykimin ndaj Begajt për 'Zonën Ekonomike të Malishevës'
Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj pritet të dëshmojnë në procesin gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe shtatë personave të tjerë.
Pos Begajt, për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë të akuzuar Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi.
Ata po akuzohen për rastin e “Zonës Ekonomike të Malishevës”, konkretisht se kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.
Lidhur me këtë çështje, avokati Ymer Huruglica, mbrojtës i ish-ministrit Bajram Hasani, i ka propozuar trupit gjykues që si dëshmitarë të thirren Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, i pari kryeministër e i dyti zëvendëskryeministër në kohën kur ishte vendosur që zonat kadastrale në fjalë të shpalleshin zonë me interes të veçantë.
Avokati Huruglica po pretendon se klienti i tij në cilësinë e ministrit vetëm e kishte bërë propozim-vendimin në Qeveri por jo të merret vendim për shpallje të zonës.
Trupi gjykues pas një konsulte e aprovoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Bajram Hasani dhe konsideroi se mund të thirren si dëshmitarë Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në seancën e radhës që pritet të mbahet më 25 korrik.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK