Shtyhet seanca ndaj Ragip Begës, dëshmitari i vetëpropozuar nxirret jashtë nga gjykatorja

Në mungesë të një dëshmitari në Gjykatën e Prishtinës është shtyrë seanca ndaj ish kryetarit të Komunës së Malishevës Ragip Begës. Në këtë rast, pos Begajt të akuzuar janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Krasniqi, Faton Thaçi dhe Ahmet Rrahmani.

Të njëjtit po akuzohen për veprën penale të keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas gjykatës dëshmitarit nuk i dihet vendqëndrimi, andaj edhe ftesa për te dëshmuar nuk ka mundur t`i dorëzohet dëshmitarit.

Pas kësaj gjykata mori vendim që do të bëhet përpjekje që të sigurohet fizikisht dëshmitari, e në rast që prezenca e dëshmitarit nuk është e mundur do të dëgjohet përmes video linçeve.

“Merr vendim që ky dëshmitar të tentohet të sigurohet për seance e ardhshme gjyqësore, nëse nuk mundemi fizikisht ta sigurojmë pasi që të marrim informata të sakta për vend ndodhjen e tij, do të tentojmë që përmes video linçeve ta dëgjojmë”- ishte vendimi i gjyqtarit.

Në këtë seancë u paraqit edhe Hazir Hoxha, i vetëpropozuar si dëshmitar, me kërkesën që dëshiron të jap dëshmi lidhur me këtë rast.

Hoxha kishte bërë kërkesë në prokurori që të ftohet në cilësinë e dëshmitarit, por prokurori i rastit mohoi të ketë pranuar ndonjë shkresë të tillë.

“K Ë R K E S Ë – Kërkojmë që të më ftoni si dëshmitar në këtë çështje pasi që posedojmë dokumente të mjaftueshme që vërtetojnë se jemi ne pronarë të zonës kadastrale Bellanicë, K.Malishevë si palë e dëmtuar”- thuhet në kërkesën e Hoxhës për prokurorinë speciale.

Por prokurori i rastit mohoi të ketë pranuar një shkresë të tillë nga Hazir Hoxha, njëjtë u deklarua edhe Kryetari i trypit Gjykues duke thënë që nuk ka pranuar asnjë lloj shkrese.

“Meqenëse dëshmitari i vetëquajtur ose personi qe pretendon që të jetë dëshmitar në këtë proces gjyqësor, unë nuk kam asnjë lloj informata se çka do ti shërbej gjykatës dëshmia e tij sepse në zyrën time nuk kam pranuar asnjë shkresë deri më tani, që të na jep një argument të rëndësishëm se ky dëshmitar është i rëndësishëm. Sido qoftë, në qoftë se gjykata e vlerëson se ky dëshmitar i vetëpropozuar është i rëndësishëm të dëgjohet, prokuroria nuk ka vërejtje”- tha prokurori Naim Abazi.

Hazir Hoxha më pas është përjashtuar nga salla e gjykimit pas mos përfilljes së urdhërave të gjyqtarit Vesel Ismajli.

Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, dhe Ahmet Rrahmanaj.

Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë, prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.

Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale I ka transferuar dhe tentuar që t’i transferoj me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.

Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund ti ndiqni në këtë – LINK