Abelard Tahiri dëgjohet si dëshmitar në gjykimin ndaj Ragip Begajt
Në gjykatën në Prishtinë sot është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit Abelard Tahiri, në rastin ku i akuzuar është ish kryetari i Malishevës Ragip Begaj për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar në rastin e ‘Zonës Ekonomike’ në Malishevë.
Në këtë rast, pos Begajt të akuzuar janë edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Krasniqi, Faton Thaçi dhe Ahmet Rrahmani.
Në cilësinë e dëshmitarit sot është dëgjuar deputeti i kuvendit të Kosovës, Abelard Tahiri.
Tahiri në pyetjen e prokurorit Naim Abazi se në mbledhjen e Qeverisë në cilësinë e ministrit të Drejtësisë atë kohë, a keni pasur vërejte në lidhje me propozimin për shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik, Tahiri tha që nuk e kishte kundërshtuar në asnjë rrethanë themelimin e kësaj zone ekonomike.
“Me sa më kujtohet e kemi pas një debat për këtë pikë dhe në asnjë rrethanë nuk e kam kundërshtuar themelimin e kësaj zone, sepse e kam pa me interes të veçantë për banorët e asaj zone…”- u përgjigj Abelard Tahiri.
Ai tutje shtoi që nuk ka pasur dyshim në qëllimin e mirë të institucioneve për themelimin e kësaj zone ekonomike.
“Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim qëllimin e mirë prej institucioneve për themelimin e kësaj zone”- tha Tahiri.
Tutje në pyetjen e prokurorit Abazi drejtuar Tahirit, se a e dinte koston financiare të këtij propozim-vendimi për shpronësim të këtyre pronave, Tahiri tha që kërkesa e tij në atë mbledhje ishte që të mos vendoset dhe të shtyhet si pikë për mbledhjet e radhës.
“Me sa mbaj mend unë kam kërkuar në atë mbledhje që të mos vendoset, nuk më kujtohet që është diskutuar për shumën financiare, kam kërkuar që të shtyhet si pikë për mbledhjet e radhës”- u përgjigj Tahiri.
Për fund Tahiri tha që mbetet në tërësi prapa deklaratave të dhëna më herët për këtë proces gjyqësor.
Sot ka qenë e paraparë që të dëgjohet edhe dëshmitari Burim Rreci, por sipas njoftimit të policisë të njëjtit nuk i dihet vendndodhja.
Seanca e radhë për këtë rast është caktuar më datën 21 dhjetor të këtij viti.
Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaçi, dhe Ahmet Rrahmanaj.
Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Këtë, prokuroria pretendon se e kanë bërë në atë mënyrë që si persona zyrtarë kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.
Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave në atë mënyrë që duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferoj me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.
Shkrime të tjera në lidhje me këtë rast mund ti ndiqni në këtë-LINK