Begaj dhe të akuzuarit tjerë edhe sot para gjyqit
Ragip Begaj dhe 7 të akuzuarit tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e ‘Zonës Ekonomike në Malishevë’ edhe sot kanë dalë para gjyqit.
Në këtë seancë u dëgjua zyrtarja e Agjencisë të Zhvillimit të Bujqësisë (AZHB) Manushaqe Bytyqi.
Prokurori special Naim Abazi, dëshmitares Bytyqi i parashtroi pyetjen se a kishte kushte artificiale në rastin ku Kushtrim Berisha, si fitues i grandit nga agjencia, kishte autorizuar familjarin e tij Nazmi Kafexholli për menaxhimin e projektit në vitin 2017.
Bytyqi për këtë çështje deklaroi se e kishte njoftuar drejtorin e departamentit dhe kryeshefin në detyrë dhe janë zhvilluar ekspos-kontrolla nga të cilat janë duke ngritur padi.
“Për gjykatën edhe prokurorinë mund të deklarohem se jo vetëm për këta dy persona po për të gjithë projektet e 2017-tës janë duke u zhvilluar shqyrtimet e raportit të eksposteve dhe në bazë të rezultateve të këtyre, me kërkesë të drejtorisë së autorizimit brenda AZHB-së ne jemi duke ngritur padi tash me dhjetëra si rezultat i këtyre raporteve”- tha Bytyqi.
Së fundmi, sipas propozimit të prokurorit, gjykata mori vendim që të kërkohen raportet e ekspos kontrollave në këtë rast.
Prokuroria Speciale vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Begajt, Hajdin Berishës, Bashkim Krasniqit, Malë Krasniqit, Bajram Hasanit, Faton Thaçit, Nazmi Kafexhollit dhe Ahmet Rrahmanajt.
Sipas dosjes së prokurorisë Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaçi akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit si persona zyrtarë duke keqpërdorur detyrën kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, si dhe duke e shpallur këtë pjesë zonë me interes të veçantë.
Nazmi Kafexholli sipas aktakuzës së prokurorisë akuzohet për veprën e mashtrimit.
Për këtë Kafexholli akuzohet se kishte përfituar grante nga Ministria e Bujqësisë në atë mënyrë që duke qenë në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe duke ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte marrë me qera pronën nga i ndjeri M.H. dhe në të kishte ngritur pemishte.
Ndërsa Ahmet Rrahmanaj nga prokuroria akuzohet për shpëlarje të parave duke ditur se këto parcela janë blerë me aktivitete kriminale i ka transferuar dhe tentuar që t’i transferojë me qëllim të shmangies nga pasojat juridike.
Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK