Adila, Eldin dhe Zenid Guta po presin energjinë elektrike. Foto: Eleanor Rose/BIRN.

Familjet e Zhvendosura të Bosnjës Ende pa Energji Elektrike

Zenid Guta mund të shohë një kabllo elektrik nga dritarja e shtëpisë së tij të re, rreth 50 metra matanë oborrit.

Por llamba e zhveshur e varur në tavan ende nuk lëshon dritë.

Edhe pse infrastruktura e energjisë elektrike është në horizont, duhet paguar një tarifë lidhjeje prej 1,000 markash boshnjake (rreth 510 euro), dhe Zenid Guta –  i cili është i papunë, por jeton me ato pak euro që fiton duke shitur manaferrat dhe kërpudha – nuk mund ta përballojë atë.

Zenid Guta është ai që njihet si një i rikthyer. Ai ka lindur këtu, në fshatin e vogël malor të Bozanovicit, në Luginën e Drinas të Bosnjës dhe Hercegovinës lindore.

Familja e tij jetoi jashtë vendit deri në vitin 1993m kur kaosi dhe brutaliteti i luftës zhvendosi rreth 2,2 milionë njerëz, duke i shpërndarë disa prej tyre në të gjithë vendin dhe duke bërë që të tjerët të kërkonin strehim jashtë vendit.

Ai ishte një nga tre të parët që u rikthye në vitin 1996, pasi mizoritë morën fund dhe një aneks i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës, i garantoi të drejta njerëzve të zhvendosur për të kërkuar pronën ose të kompensoheshin dhe të ktheheshin në shtëpi.

Këtu lart, mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, bari është i ngrirë. Mjegulla e dhjetorit mbulon majat e kodrave që në verë janë të egra dhe të bukura.

Por dimri është i errët dhe familja tani përballet me dy ose tre muaj të vitit, kur bora i bën të pakalueshme rrugët dredharake, disa prej të cilave nuk janë të asfaltuara.

Megjithatë, ky është një përmirësim në krahasim me para se ai të zhvendosej këtu me gruan e tij Adila dhe djalin e tyre shtatë-vjeçar Eldinin në nëntor.

Kjo shtëpi e re u ndërtua me financim nga Programi i Strehimit Rajonal – një projekt i BE-së, SHBA-së dhe UNHCR-së, ndërsa Guta thotë: “Duhet ta shikonit se ku jetonte djaloshi i vogël para se të vinim këtu.”

Ai e ka fjalën për një kasolle, 300 metra më poshtë kodrës, të cilën ai e ndërtoi vetë me pllaka druri dhe metali.

Ai, gruaja dhe djali i tij kanë jetuar për vite me radhë atje, në varfëri, duke fjetur në dyshemenë e kalbur prej druri.

Kjo shtëpi ka një sobë, mure të suvatuara dhe mobilie, për ta lidhur me ujin e pijshëm, ai gërmoi një kanal rreth dy kilometra të gjatë për tubacionin e nevojshëm.

Ai këmbëngul me zell se s’i trembet punës së vështirë.

Por pavarësisht përmirësimit, jetesa pa elektricitet – pjesa e fundit në gjëegjëzën e tij – është ende shumë e vështirë.

Eldini i vogël duhet t’i bëjë detyrat gjatë ditës, duke qenë se gjatë natës mund të shikosh vetëm me qirinj dhe shikimi i tij është i dobët.

Një lavatriçe ngjan si një ëndërr e largët.

Një televizor ka mbledhur pluhur në një cep të dhomës – një dhuratë nga kushëriri i Adilës, gruas së Zenidit – por ai s’e di nëse punon, duke qenë se nuk e kanë vënë kurrë në prizë.

Shpesh Eldini e pyet të atin: “Kur do të mund të shoh filma vizatimorë?”

Me mijëra njerëz ende pa gjërat minimale në jetë

Ka ende rreth 98,000 persona në Bosnjë dhe Hercegovinë të cilët i përkasin përkufizimit “të zhvendosur brenda vendit”, ende bë pamundësi për t’u rikthyer në shtëpitë që ata lanë më shumë se 20 vjet më parë.

Pasi një sistem kompleks dhe i decentralizuar qeveritar u instalua me Marrëveshjen e Dejtonit – i plotësuar me një qeveri në nivel shtetëror, dy entitete, administrata dhe komuna kantonale – agjencitë dhe organet qeveritare janë të ndara dhe jo komunikuese.

Puna për rindërtimin e jetëve ka ecur përpara gjatë viteve, me numrin e të zhvendosurve në rënie pasi donatorët ndërkombëtarë derdhën miliona euro në skemat e strehimit, por puna ende nuk është e plotë, sepse burokracia dhe mungesa e efikasitetit kanë penguar disa herë progresin.

Nuk ka asnjë bazë të unifikuar dhënash që përmban fakte në lidhje me ata që janë të prekur, sipas oficerit të informimit publik Neven Crvenkoviç në UNHCR në Bosnjë, prandaj është e vështirë të dish se cilat janë nevojat e tyre.

Më shumë se 8,000 persona të zhvendosur të gjithë vendin ende jetojnë në më shumë se 150 “qendra kolektive” – strehime të përkohshme të ofruara nga autoritetet pas luftës – në kushte që janë “jo njerëzore”, tha Crvenkoviç.

Në tetor, mediat lokale raportuan se një plan për të mbyllur këto qendra dhe për të zhvendosur banorët deri në vitin 2017 ishte vonuar dhe se data e fundit e mbylljes ishte shtyrë për në vitin 2020, pasi puna për të siguruar strehimin e  ri social për ta ka ecur më ngadalë sesa ishte parashikuar.

Operacionet e UNHCR-së në vend do të ulen gjatë viteve në vazhdim ndërsa projekteve të tyre u afron fundi dhe ajo është përpjekur të theksojë te autoritetet vendase nevojën për të vazhduar identifikimin dhe ndihmimin e më të varfërve, sesa të mbështeten te kuotat që obligojnë që ndihma të ndahet në mënyrë të barabartë mes boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.

Të paktën 1,765 shtëpi të të rikthyerve në të gjithë vendin janë identifikuar zyrtarisht si në nevojë për t’u lidhur me rrjetin e energjisë elektrike.

Ministrja e të Drejtave të Njeriut dhe Refugjatëve, Semiha Borovac, tha për mediat lokale në tetor se zonat më të prekura janë Krajina dhe Bosnja lindore, ku jeton edhe Zenid Guta.

Në shtator, u nënshkrua një memorandum midis Borovac dhe ministrave të entitetit për Personat e Zhvendosur dhe Refugjatët, ministrat e entitetit për Energjinë, Minierat dhe Industrinë dhe drejtorët e tri kompanive të energjisë elektrike.

Qëllimi i marrëveshjes ishte përshpejtimi i procesit të rikthimit për familjet që prisnin ende energjinë elektrike.

Borovac tha për mediat vendase se të rikthyerit duhet të gëzojnë lidhje falas në rrjetin e energjisë elektrike, si edhe mbështetje teknike brenda gjashtë muajve.

Shumë njerëz, përfshirë edhe Zenid Guta – që kanë paraqitur një kërkesë, e cila kushton rreth 60 marka boshnjake (rreth 30 euro), por iu tha se komuna ende po merret me zgjidhjen e letrave për lidhjen e tij – po presin ende me ankth.

Efektet e zhvendosjes afatgjatë

Nuk është e vështirë të imagjinohet se dy dekada zhvendosje shkaktojnë përçarje dhe disavantazhe të mëdha për personat e prekur.

Në shtëpitë pa energji elektrike, fëmijët e lindur nga familjet e zhvendosura nuk mund të hyjnë në internet, të shikojnë filma apo edhe të lexojnë lehtësisht mbrëmjeve në shtëpi.

Sipas OJQ-së Unioni për Rikthim të Qëndrueshëm dhe Integrime në Bosnjë dhe Hercegovinë, disa familje pa energji elektrike janë të detyruara të migrojnë – sidomos në dimër – për të jetuar në shtëpi me qira ose me familje të tjera diku tjetër.

Në zonat rurale, disa fëmijë nga shtëpi të tilla duhet të shpërngulen gjatë semestrave shkollore për t’u arsimuar në zona urbane.

“Në shumicën e rasteve, prindërit po përpiqen të sigurohen t’i çojnë fëmijët e tyre të paktën në shkollë fillore, dhe shumë fëmijë nuk e vazhdojnë më tej shkollimin e tyre – që është shkolla e mesme apo universiteti,” tha për BIRN një zëdhënës i OJQ-së.

Të rikthyerit që kthehen në zona ku tani janë pakicë etnike shpesh përballen gjithashtu me diskriminim.

Problemi më i madh për njerëzit e zhvendosur, sipas OJQ-së, është gjetja e punës.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, sektori publik punëson rreth 0.8 për qind dhe një për qind të të rikthyerve,” tha zëdhënësi.

“Njerëzit që jetojnë në zonat rurale merren me agrikulturë dhe kërkojnë të integrohen vetë në mënyrë të qëndrueshme, por kanë nevojë për stimuj të tillë si mekanizim dhe blegtori,” shtoi ai.

Një e ardhme më e shndritshme për fëmijët

Zenid Guta dhe gruaja e tij kanë një jetë të këndshme, thonë ata, përveç mungesës së elektricitetit.

Ata marrin një ndihmë të vogël financiare nga shteti për Eldinin, ndërsa autoritetet kantonale së fundmi kanë garantuar transportin që djali të shkojë në shkollën e tij, e cila është gjashtë kilometra larg.

“Është e vështirë,” thotë ai, por shton: “Ky është vendi ku linda dhe ku ndihem më mirë. Në çdo vend tjetër, jam një i huaj. Ky është vendimi im dhe i gruas time, të jetojmë këtu, në tokën tonë.”

Ata kanë dy lopë, por në të ardhme shpresojnë të blejnë edhe një tjetër dhe të ndërtojnë një kasolle për bagëtitë pranë shtëpisë së tyre në mënyrë që të prodhojnë qumësht dhe djathë për ta shitur.

Mësuesit thonë se Eldini është i talentuar, sipas Zenidit, i cili tregon me krenari fletoren e ushtrimeve të djalit të tij.

Edhe pse jetojnë në një mal të largët, në pritje të lidhen përsëri me botën e jashtme nëpërmjet televizorit dhe lajmeve në radio, Zenidi është më i shqetësuar t’i japë Eldinit një jetë më të mirë.

“Do t’ia dalim në një farë mënyre,” thotë ai, “por fillimisht, le të ketë dritë për djalin tonë.”