Kuvendi Komunal i Prishtinës | Foto:KALLXO.com

Aty ku Shfajësimi e ka Emrin LDK

“Prima Justina” (Justina e Parë) thuhet se ishte emri i parë i Prishtinës i vënë nga perandori bizantin Justiniani. Thuhet se Prima Justina ishte themeluar nga vetë Justiniani dhe prandaj mbante dhe emrin e tij.

Por një shpjegim më domethënës mund të dëgjohet për këtë qytet ku stinët shkrihen me njëra-tjetrën.

Ndodh që brenda një dite të bjerë borë, pastaj shi, e më vonë të nxejë dielli. Dikujt i ka rënë ndërmend një lidhje mes kësaj klime dhe emrit të kryeqytetit të Kosovës. Prish-stina, pra vendi ku stinët prishen.

Në dimër nxen, e në verë ftohë. Ata që kanë jetuar këtu, do ta favorizonin këtë shpjegimin e dytë më shumë se atë “iliro-pellazgin”.

Kur jemi te iliro-pellzgët, stema e kryeqytetit është “Hyjnesha në Fron”. Një figurë e gjetur nëpër trevat e Kosovës së kohëve parahistorike.

Duket si një fytyrë me sy të mëdhenj ulur në një stol më shumë sesa në një fron. Duart në bel disi në mënyrë feminine kanë bërë që ta identifikojnë si grua, hyjneshë.

Ashtu ulur siç është, me duar në bel kjo figurë e paraqet mjaft mirë qytetarin e Prishtinës, që vazhdon e pi kafe deri sa shiu a bora që vjen menjëherë pas diellit e përzë brenda.

Por dhe në mes të dimrit mund t’i dalë dielli e t’ia ngrohë karrigen ku do të ulet e mbuluar me batanije për të vazhduar së shijuari kafenë.

E kështu, është e mundur që në dimrin e hershëm a të vonë, prishtinasit të pinë kafe jashtë. Kryeqytetasit i adhurojnë kafetë.

Ka dalë madje edhe nëpër medie ndërkombëtare se në Prishtinë mund ta pish makiaton më të mirë.

Për makiato të mëdha e të vogla, ka njëfarë njohurie “ekspertësh” në Prishtinë. Si nga ata që e servojnë, po ashtu, nga ata që e pinë.

Vetëm një rrugë përtej komunës, ngjitur me byrektoren më të mirë (siç flitet nëpër Prishtinë), në një kafene modeste, tymi i cigares vazhdonte ta zotëronte hapësirën ani pse në të dy anët e kafenesë dyert ishin të hapura.

Në vend të shpuzores, ishin vënë tabllat e filxhanëve. Këtë pamje e gjen shpesh nëpër Prishtinë.

Sidomos këtë zëvendësimin e shpuzoreve, a thua se është shpuzorja ajo që është e ndaluar me ligj, e jo pirja e duhanit në ambiente të mbyllura.

Ndërtesa e Komunës së Prishtinës gjendet mes rrugës që të çon te Xhamia e Llapit dhe Kuvendit të Kosovës.

Komuna e Prishtines
Komuna e Prishtines

Me Kuvendin e Kosovës e ndan monumenti jugosllav i Vëllazërim-Bashkimit. Sheshi i këtij monumenti që dikur shërbente si plato për fëmijët me patina e biçikleta, sot duket sikur një hapësirë e sapodalë nga lufta.

Dhe pyetja që i shkon nëpër mend secilit është: si ka mundësi që 10-20 metra nga ndërtesa e komunës, në të dy anët e saj mbizotëron dështimi? – i zbatimit të ligjit anti-duhan në njërën anë dhe dështimi për ta mirëmbajtur hapësirën publike në tjetrën.

Ndërkohë, salla e asamblesë komunale ishte gati për të xhiruar. “Institucionalistët” e LDK-së, të pasuar nga partnerët (dikur armiqtë e përbetuar) të PDK-së, zunë vendet në kohën që ishte paraparë për debat. Por kryetari nuk dukej askund. As ndonjë asamblist i “Vetëvendosjes”.

Në pritje të “yjeve” të VV-së filluan biseda të vogla mes asamblistësh. Mes tyre janë ulur shefja e personelit të Kryeministrisë Vlora Dumoshi dhe zëvendës ministri i drejtësisë Lirak Çelaj.

Këta dy “supermenë” me siguri arrijnë t’i kryejnë punët e tyre në nivel qendror me suksese të mëdha e po ashtu u del kohë të merren me punët e kryeqytetit. Një “supermen” tjetër që punon edhe ministër edhe si asamblist, Blerand Stavileci, nuk dukej në sallë.

Kalojnë 20 minuta nga koha e paraparë. Po asnjë i Vetëvendosjes nuk ishte në sallë. Si i thonë një fjale “janë 15 minuta akademikë”. Po këto 20 çfarë ishin? Minuta post-akademikë?

Në sallë filloi mbizotërimi i një heshtjeje. Dëgjoheshin vetëm shkreptimat e aparatit fotografik. Kryetari bashkë me stafin e tij dhe asamblistët e “Vetëvendosjes” futen në sallë. Heshtja sa vjen e thellohet.

Dikush nga asamblistët shfleton për herë të fundit dokumentacionet për çështjet që do t’i ngre. Vendosen mikrofonat në sakon e kryetarit dhe heshtja bëhet frikësuese. “Qetësia para stuhisë” më duket i thonë. Po këtu atmosfera ishte e një qetësie para uraganit.

Debati fillon. Lëshohen si në çdo komunë tjetër premtimet e para dy vjetëve. Ujë 24 orë për qytetarët e kryeqytetit brenda 24 muajve; çerdhe e shkolla; transport të mirëfilltë publik; ishin premtimet e dhëna nga kryetari Shpend Ahmeti.

Kryetari fillon me një falënderim të çuditshëm: “Faleminderit për debat. Është rast i rrallë pasja e debatit në këtë sallë”, tha ai dhe vazhdoi me shpjegimet për përmbushjen e premtimeve.

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Ai përmendi një çështje me rëndësi, atë të ndalimit të ndërtimeve pa leje dhe planeve fiktive të ndërtimeve ku sqaronte si e kishte gjetur Prishtinën ku natyrisht akuzonte opozitën, më saktësisht LDK-në që kishte qeverisur në kryeqytet për më shumë se një dekadë.

Kryesuesja e përkohshme Jeta Xharra ngriti çështjen e autobusëve dhe ujit. Kryetari Ahmeti prapë me akuza ndaj opozitës në asamble e pozitës në qeveri.

I akuzoi ata për bllokim projektesh e mosmiratim të planeve që do t’u sillnin shërbime të mira qytetarëve.

Sami Hamiti, ekonomist, ish-kryesues i asamblesë nga radhët e LDK-së, i cili ishte arrestuar për korrupsion dhe ende është në proces gjyqësor, e kritikonte kryetarin për mungesë komunikimi.

Sami Hamiti, kryesues i kuvendarëve të LDK-së
Sami Hamiti, kryesues i kuvendarëve të LDK-së

Lirak Çelaj, aktor, zëvendësministër i drejtësisë dhe asamblist nga radhët e PDK-së, e akuzoi kryetarin Ahmeti për vënie të komunës në shërbim të partisë së tij, “Vetëvendosjes”.

Shpend Ahmeti, profesor i ekonomisë dhe aktivist i shoqërisë civile dikur, tash kryetar komune nga radhët e VV-së, akuzoi sërish opozitën.

Për Lirak Çelajn tha se dikur i urrente të LDK-së, por sapo u arrit koalicioni në nivel qendror ai kish ndryshuar mendim.

Lirak Çelaj asamblist i PDK-së në mes
Lirak Çelaj asamblist i PDK-së në mes

Pastaj vazhdoi me akuza për Kryeministrin të cilin e citoi kur po fliste për problemin e ujit. Sipas Ahmetit, Kryeministri i paska thënë “a pe sheh Shpend që SHIK-u e ka ujin”.

Fjala ishte për bordin e ujësjellësit, i cili sipas kryetarit Ahmeti, nuk ka pasur ndryshime rrënjësore. Madje raportohet për politizim të tij.

Debati sa vinte e nxehej ndërkohë akuzat bëheshin më konkrete. Sami Hamiti e akuzoi kryetarin Ahmeti se ka fshehur një dokument gjatë komunikimit të kryetarit me ministrinë e ambientit lidhur me një çështje rreth urbanizmit.

Tani akuza ishte për fshehje. Kryetari do të duhej të jepte përgjegjësi.

Por në fytyrën e tij nuk vërehej ndonjë farë shqetësimi. Përkundrazi, fytyra e tij përçmuese sa herë fliste dikush nga opozita ishte në top formë. Këtë akuzë ai e quajti qesharake.

Ai tha se një pjesë e mirë e qeverisë është në këtë asamble dhe ngriti çështjen se si kishte mundësi që Hamiti pretendonte se gjatë një komunikimi me qeverinë e tyre, ai paska mundur të fshehë dokumente.

Shihej se kishin nevojë t’ia thoshin njëri tjetrit plot gjëra. Po këtu s’kishim ardhur për terapi grupore, por për të marrë vesh si është puna me projektet e mbetura përgjysmë në komunën e Prishtinës.

Erdhi koha për të parë premtime të tjera dhe në televizorin e madh të vendosur në ballë të sallës u lëshua një tjetër incizim nga premtimet e 2013-ës.

Fjala ishte për çerdhet dhe bibliotekat.

Kryetari Ahmeti përmendi disa çerdhe, ndërkohë që fliste për kënde leximi po ashtu. Kryesuesja Xharra ngriti çështjen e bibliotekave.

Por kryetari vazhdonte të fliste për kënde të leximit në 12 shkolla. Pas insistimit të kryesueses Xharra që të shpjegohej, Ahmeti filloi të bënte qartësime konceptesh, për kryesuesen, asamblenë, zëvendësministrat, pjesëtarët e tjerë të qeverisë dhe për popullin që do ta shihte përmes televizorit.

Ishte fjala për atë se për kryetarin 12 këndet e leximit ishin 12 biblioteka. Ai duke ngritur pyetjen – Ç’është biblioteka? – sqaronte se biblioteka është vend me libra ku ka hapësirë për të lexuar.

Të gjithë filluam ta besonim këtë lloj sofizmi po të mos na e prishte qetësinë dikush nga radhët e LDK-së që ngriste akuza për çështjen e bibliotekave.

Mirë kjo, po ç’ti bënte njeriu këtij paradoksi që LDK-ja që e kish qeverisur e qeverisur Prishtinën për 14 vjet tani ankohej për mungesë bibliotekash?

Megjithatë, biblioteka e qytetit e përfunduar që në vitin 2013 ende s’është hapur për arsye krejt banale që nuk tolerohen.

Kryetari akuzonte LDK-në se kishte lënë punët pa kryer, përmes një punëkryesi që nuk e ka bërë punën s’i duhet dhe bodrumet e ndërtesës qenkan mbushur me ujë.

Hajde edhe këtë po e marrim për të vërtetë. Po siç do të thoshin bashkëkombësit tanë në Shqipëri: “Ç’ne qe dy vite lale?” – a është normale që një kryeqyteti t’i shkojnë dy vjet (e nëse nuk kryhet këtë vit edhe më shumë) pa bibliotekë për shkak të një banaliteti izolimi apo pikje uji?

Dhe për të mos përfunduar me kaq, kryetari Ahmeti nuk pranonte të jepte një afat hapjeje të bibliotekës.

Për habinë tonë, ai thoshte se nuk jepte afate, se po të mos e hapte në afatin e premtuar, pastaj opozita në komunë do ta akuzonte për vonesë e ndoshta edhe për ndonjë rrezik bakteriesh siç ishte me rastin kur komuna kishte vendosur që fëmijëve të shkollave fillore t’u jepte qumësht.

Në qoftë kështu, kësaj veç opozitë s’i thonë, por a nuk e kupton kryetari se kontratën nuk e ka me opozitën, por me neve qytetarët e Prishtinës.

Se pavarësisht çfarë thotë opozita, qytetarët janë në dijeni të faktit që biblioteka s’është hapur dhe kur të vijë puna te votat, ato me siguri nuk do t’jua japë opozita, por qytetarët pa bibliotekë të Prishtinës.

Çështja tjetër me rëndësi jetike për Prishtinën është uji. Në fakt është për turp fakti që kryeqyteti i Republikës nuk ka ujë 24 orë për qytetarët e vet.

Kryetari kishte premtuar se nëse kjo nuk ndodhte për 24 muaj pas marrjes së mandatit ai do të jepte dorëheqje. 24 muaj kanë kaluar dhe dorëheqje nuk ka dhënë, por llogari do të jepte se si ka vajtur puna që projekti për furnizim me ujë është ndërprerë.

Kryesuesja provizore Xharra hapi një votim sa për ta konstatuar gjendjen me ujë. Kërkoi të ngrisnin dorën ata që mbrëmë nuk kishin pasur ujë nëpër banesat e tyre. LDK-ja ishte ajo asamblistët e së cilës në 100% të të pranishmëve ngritën duart lart.

E tërë salla përfshirë dhe kryetarin Ahmeti qeshën. LDK-ja që për 14 vjet e kishte qeverisur Prishtinën sot me zell të madh ngrinte duart për të treguar se nuk ka pasur ujë.

Fytyrat e tyre ishin sikur të fëmijëve që ngrenë dorën kur mësuesja pyet nëse janë kryer detyrat e shtëpisë, veçse këtu po flisnim për moskryerje detyrash për 14 vjeç.

Debati_Prishtine_042

Me gjasë ishte dita botërore e paradoksit, veçse Ban Ki Moon ka harruar të na lajmëronte.

Në anën tjetër problemi merrte trajtën e diçkaje të komplikuar. Çështja është krejt e thjeshtë: LDK-ja që qeverisi gati një dekadë e gjysmë nuk e kishte kryer punën, bordi i ujësjellësit që konsiderohet i politizuar dyshohet se është përfshirë në korrupsion, financuesit kanë ndalur mbështetjen, kryetari nuk e ka mbajtur premtimin, seksi pas orës 11 në mbrëmje nuk mund ta ketë edhe dushin e përbashkët të çifteve.

Sikur ky të ishte problemi! Po rrobat e palara, po përgatitja e fëmijëve për shkollë? Po thjesht pirja e ujit a shkuarja në banjë për të kryer nevojat? Po ç’ti bëjmë thjesht faktit që jetojmë në shekullin XXI?

Ndërkohë që në televizorin në ballë të sallës lëshohej videoja ku kryetari premtonte rregullime në trafikun urban, kryesuesi i asamblesë nga radhët e LDK-së i bënte me shenjë kryetarit duke nxënë me dorë faqet e veta si për t’ia përshkruar se e kishte fjalën për faqet e kryetarit që para dy vitesh nuk i paska pasur aq “bucko” sa ç’i ka tash.

Kryetari qeshte dhe nga tërheqja e fytyrës “kajmaku” i mblidhej nën mjekër dhe vazhdonte të dukej simpatik, si ata baballarët që i lejojnë fëmijët t’u japin shuplaka në faqet e trasha, ndërkohë që hunda dhe sytë u ngërdheshen disi agresivisht kur qeshin.

Për çështjen e mungesës së autobusëve të rinj që ishin premtuar qe sa, u mor vesh se krejt çka pritej ishte njëfarë konfirmimi i çuditshëm që kryetari thoshte se duhej lëshuar nga ministri i financave nga radhët e LDK-së.

Dy vjet pas, kryetari gjithçka e shpjegonte me LDK-në dhe (keq)qeverisjen e saj 14 vjeçe. S’pati asnjë çështje që u ngrit e të mos lidhej mosrealizimi i saj me LDK-në ose sabotazhën e pretenduar të opozitës në përgjithësi.

Opozita kuptohet e kundërshtonte duke thënë se kishte të bënte me një procedurë që duhej zhvilluar në asamble, por ajo që është me rëndësi të dihet është se ministria e financave në disa muajt e fundit nuk ka dhënë asnjë përgjigje për atë se si duhet vepruar, ndërkohë që 51 autobusët që duhen blerë për këtë projekt presin në ndonjë sallon nëpër vendet e Evropës.

E trafiku në Prishtinë, është kaotik. Ajri i papastër. Dioksidi dhe peroksidi i sulfurit sipas kryetarit Ahmeti janë në përmasa alarmante. Sipas tij kjo vjen nga kualiteti i dobët i naftës në Kosovë.

E autobusët që pritet të jenë të standardeve europiane, harxhojnë pak. Lëvizja e veturave private do të kufizohej po t’i kishim autobusët, sipas VV-së. Kësisoj ajri do të jetë më i pastër e Prishtina më e shëndetshme.

Madje do t’i kontribuojmë edhe botës duke ulur ndotjen dhe ngrohjen globale. Aq sa kemi mundësi.

Regjistrimi i popullsisë tregon se në Prishtinë jetojnë më pak se 200 mijë banorë, ndërkohë që në faqen e komunës kjo kundërshtohet duke konsideruar se “Manipulohet me shifra, por duke u mbështetur në analiza dhe numrin e votuesve, numri rezident i qytetarëve në qytetin e Prishtinës, mund të jetë përafërsisht 400 mijë, ndërsa me fshatrat deri 470 mijë.” Kjo ishte e njëjta shifër e banorëve të cilën Isa Mustafa e kishte dhënë në debatin pas-zgjedhor 4 vjet më parë duke e mohuar kategorikisht numrin e banorëve sipas regjistrimit zyrtar të “200 mijë banorëve me letra” – më në fund, LDK e VV po pajtohen në diçka.

Sidoqoftë, këta 200 mijë apo 400 mijë qytetarë, nuk kanë bibliotekë që do të mund t’u përgjigjej kërkesave të tyre; nuk kanë ujë 24 orë; nuk kanë autobusë të rregullt; por ama, e kanë kryetarin hero të ndaljes së ndërtimeve pa leje që nuk i ka realizuar plot premtime tjera të rëndësishme; kanë opozitë që ankohet për bakterie në qumështin e fëmijëve dhe që ankohen për mungesë uji pas 14 vjetësh qeverisjeje; e kanë xhunglën urbane dhe shadërvanet që hedhin ujë me drita me ngjyra si dhe kunjat që janë ngjitur vende vende nëpër Prishtinë për këmbësorë; kanë trotuare të rinj, por edhe këto trotuare janë pa pistë për çiklistë. Kështu Prishtina bëhet kryeqyteti i vetëm në Ballkan pa shteg biçikletash. Si rrjedhojë me një numër të madh fatalitetesh ne trafik ku biçiklistët kanë humbur jetët. Madje ka pasur edhe protesta të biçiklistëve për këtë punë dhe kjo ishte një nga premtimet e kryetarit. Sot, dy vjet pas nuk ka shteg biçikletash. Nuk dihet nëse për këtë punë e ka fajin LDK-ja.

Por, në vend se të vozisin biçikleta në trotuarët e rinj, “prishtinalitë” e kanë njëri-tjetrin për t’u ankuar e për të pirë kafe në pafund kafene që gjenden në secilën rrugë.

Dhe po, i kanë “katunarët” që ju shërbejnë si mjet për shfryrjen e frustrimit për të gjitha dështimet e tyre, tek kruajnë kokat e tyre – siç do të thoshte ish kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli –  “kokëpalarët” e qytetëruar, ndërkohë që thithin ajrin helmues të cigareve që ndezin në ambiente të brendshme duke shkelur kështu ligjin.