Gazetari Syla: Jam sulmuar nga tre islamikë fanatikë

Drejtori i Gazeta Metro dhe gazetari, Valon Syla është sulmuar mbrëmë nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

Personat që e sulmuan atë, sipas vet gazetarit janë ‘islamik fanatikë’.

“Tre islamikë fanatikë më kanë sulmu, shpejt e shpejtë ka ndodhë edhe kanë ikë” – ka thënë ai për RTV Dukagjinin.

Syla është pyetur nga gazetari se pse mendon se ka ndodhur ky sulm, mirëpo kësaj pyetje nuk iu është dhënë përgjigje.

E kjo pasi forcat e rendit ndaluan gazetarin Bekim Ibishi për të vazhduar intervistën, nën pretekstin se nuk lejohet xhirimi brenda emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Siç edhe mund të shihet në videon e publikuar, gazetari i sulmuar kishte pranuar që të prononcohej për RTV Dukagjinin.

Puna e gazetarit të këtij mediumi fillimisht ishte ndaluar nga sigurimi i QKUK-së e më pas edhe nga zyrtarët policorë që ishin në krye të detyrës.

Atij iu ishte kërkuar që të ndalonte xhirimin dhe i njëjti më pas ishte urdhëruar që të dilte jashtë objektit të emergjencës, gjatë kohës sa i njëjti kërkonte që t’i lejohej vazhdimi i marrjes së prononcimit të gazetarit të sulmuar.

Ibishi më pas ishte futur në zyrën e rojeve dhe të zyrtarëve policorë që gjendet pranë emergjencës në QKUK.

KALLXO.com ka kontaktuar me gazetarin në fjalë përderisa i njëjti ka thënë se aty iu është marrë një deklaratë se pse është futur në objekt pa autorizim.

“Rast nuk më kanë hapur dhe më kanë liruar pas 15 minutave” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, raportimi i Gazetës Metro tregon se gazetari Syla është sulmuar pas përfundimit të emisionit “Pressing” në Televizionin 7 ku ai kishte qenë i ftuar.

“Në mbrëmjen e sotme pas emisionit që kishte në Pressing në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar gazetari dhe drejtuesi i Gazeta Metro, Valon Syla. Ai është sulmuar nga disa persona para lokalit të quajtur ‘Image’. Syla ka pësuar lëndime të lehta trupore” – thuhet në raportimin e Gazeta Metro.

Gazeta Metro shprehet e shqetësuar me sulmin ndaj kolegut Syla dhe akte të tilla cenojnë shprehjen e lirë.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Sylës, derisa ka kërkuar hetime urgjente për zbardhjen e rastit.