Sfidat e ri-hapjes së xhamisë në Halabak pas rrahjeve dhe incidenteve

Një mesazh i shkurtër i shkruar në derën e xhamisë i pret banorët e fshatit Halabak të Podujevës. “Xhamia mbyllet përkohësisht deri në një vendim tjetër’ thuhet në letrën e vendosur nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës.

Mbyllja ndodhi   pas ngjarjes së 18 shkurtit pasi një person u rrah në ambientet e xhamisë ndërsa ky rast paraqet njërin prej rasteve të para ku BIK obligohet të mbyllë xhaminë deri në zgjidhjen e problemeve në mes komunitetit dhe imamit  të zgjedhur nga BIK.

Vendimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë, 18.02.2023, Foto: KALLXO.com

Në BIK nuk ka përgjigje nëse ky konflikt është për shkak të rrymave brenda komuniteti islam apo thjeshtë komuniteti nuk e pranon imamin e zgjedhur.

Imami Hyzdri Murseli, nuk ka pranuar të flasë deri në zgjidhjen e këtij problemi.

“Drejtohuni në Bashkësi Islame. Jo, jo, Bashkësia Islame çfarë do që vepron ajo mbetet, unë kam qenë i autorizuar për detyrën që kam bërë nga Bashkësia Islame, çfarë do që ajo kërkon dhe autorizon unë jap edhe prononcim. A e kuptuat, unë jam punëtor i saj dhe çdo gjë që vjen prej saj (BIK) unë e bëj”- tha Murseli përmes telefonit për KALLXO.com.

Në tërë  ngjarjen policia ka intervistuar disa persona mirëpo ende nuk ka një raport të qartë se ku qëndron saktë problemi.

Dyert e mbyllura të xhamisë në Halabak, Podujevë, Foto:KALLXO.com

Çka ndodhi në Halabak

Në këtë fshat disa nga banorët kishin vendosur që të refuzonin të kryenin ritet fetare pas imamit të autorizuar nga BIK në Podujevë, Hyzdri Murseli.

Kjo pasi këtë të fundit, një grup banorësh nuk po e konsideronin të denjët për tu falur dhe për të kryer ritet fetare.

Problemet në fshati me imamin nisën kur nisi edhe incidenti i parë i raportuar vitin e kaluar.

Në atë kohë një palë drita kishin qenë nisma e një problemi me imamin që ishte autorizuar nga Këshilli Bashkësisë Islame në Podujevë.

Në orët e mbrëmjes së 18 shkurtit, më shumë se katër banorë të fshatit Halabak ishin nisur drejtë xhamisë për të falur vaktin e akshamit.

Njëri nga ta, A.M., në një bisedë me KALLXO.com ka thënë se imami i autorizuar fillimisht kishte pasur mbështetjen e banorëve por ndërkohë kishin pranuar informacione për të dhe se nuk e kishin konsideruar të denjët.

“Fillimisht e ka pasur pëlqimin e banorëve për me qenë imam i xhamisë, por pas disa kohësh janë vërejtur disa sjellje e komunikim i tij dhe gjithashtu kemi marrë vesh disa sene të tjera në katund, e kjo më pas është përhapur dhe njëherë pati thënë se më kanë sulmuar nuk më kanë lënë me fal akshamin nisi me i bë senet mediatike dhe me këto veprime është konsideruar se ky imam nuk e ka pëlqimin tonë me i mbajtë ritet fetare në xhaminë në Halabak”- thotë ai.

A.M shpjegon tutje se imami mblodhi edhe persona të tjerë për të uzurpuar xhaminë në Halabak ndërsa kjo vërtetohet sipas tyre edhe me faktin se në incidentin e fundit, sulmin e kryen personat e dyshuar që ishin thirrur për të mbrojtur imamin.

B.A, një tjetër banor që ishte pjesë e incidentit të fundit tregoi për KALLXO.com se kishin kërkuar nga Bashkësia Islame të zgjidhnin problemin me imamin.

“Kanë qenë raste të një pas njëshme, ka qenë një problem i dritave, pastaj ka gënjy se ka marrë autorizim pa pasur hiç, me këto neve na ka hup besueshmëria për atë hoxhë edhe kemi shku në BIK si përfaqësues të katunit edhe ju kemi thanë me marrë një vendim sa më shpejtë ose me mbyllë xhaminë se kështu qysh po ec frikësohemi se ka me pas diçka që nuk kishim pas qejf me ndodhë”- rrëfen B.A.

B.A., shpjegon edhe se çka ndodhi në natën kritike të 18 shkurtit, natë në të cilën një bashkë vendas i tij u sulmua dhe mori tretman mjekësor.

“Ne kemi qenë duke shku si çdo natë, ndaj revoltës ndaj tij kemi thënë se nuk falemi pas tij ne jemi falë vet ai vetë me një qosh tjetër. Ne kemi qenë tetë persona, dy prej neve kanë hy në xhami normal, pas tyre unë edhe një banor tjetër edhe kur kemi tentu me hy ne atë banorin që ishte me mua e kanë ndalu dhe e kanë pengu i kanë thanë nuk mundesh me hy në xhami. Ata kanë qenë diku persona”- shpjegon B.A.

Ai thotë se personat që ishin para xhamisë kishin të vetmin qëllim, pengimin e procesit të kryerjes së riteve fetare në atë kohë.

“Ne ju kemi thënë se kemi ardhë me u falë me i kry punët tona dhe me u largu nëpër shtëpi tona. Njëri nga ta e ka nxjerrë armën dhe e ka godit një prej personave që ishte në anën tonë pra që ishim shku me fal namazin”- tregon tutje B.A.

Pas këtij veprimi, B.A., dhe A.M., kishin lajmëruar edhe policinë ndërsa të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ankuesit në polici theksojnë se nga të dyshuarit vetëm një prej tyre ishte i fshatit Halabak.

“Kemi shku në polici dhe i kemi dhënë deklaratat tona, policia na ka thënë se jeni viktima në këtë rast dhe personat e dyshuar janë në arrati. Po atë natë, BIK pastaj vendosi me mbyll xhaminë”- përfundon B.A.

Policia e Kosovës në raportin zyrtar kishte njoftuar se të dyshuarit ishin identifikuar ndërsa dy ditë pas  incidentit ata ishin dërguar në stacion policor për intervistim.

“Personat e dyshuar pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tyre është hapur rast për veprat penale lëndim trupor dhe armëmbajtje pa leje”- thuhet në një përgjigje të Policisë së Rajonit të Prishtinës për KALLXO.com.

Halabaku numëron dy incidente në xhaminë e njëjtë. Policia e Kosovës i ka thënë KALLXO.com se përveç rastit të fundit të 18 shkurtit në këtë xhami një tjetër rast ishte raportuar në janar të vitit të kaluar.

Xhamia në fshatin Halabak, Foto: KALLXO.com

Podujeva me probleme brenda komunitetit islam

Jo shumë muaj pas incidentit të parë që ishte regjistruar në fshatin Halabak për shkak të imamit të xhamisë atje, më saktësisht në korrik të vitit të kaluar një rrahje e rëndë mori vëmendjen e opinionit publik.

Një imam ishte rrahur rëndë ndërsa i njëjti ishte dashur të kryente edhe ndërhyrje kirurgjike për shkak të lëndimeve që kishte marrë.

KALLXO.com kishte raportuar se në fshatin Lupç të Podujevës imami Zeqir Berisha ishte sulmuar nga tre persona të dyshuar.

Në atë kohë BIK kishte konfirmuar se imami Zeqiri ishte sulmuar në hapësirat e xhamisë, akt ky i cili sipas tyre konsiderohej i papranueshëm.

“Sulmi ndaj imamit në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveç sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar”- thuhet në njoftimin e BIK pas rrahjes së imamit.

Për rastin e rrahjes brutale të imamit Zeqiri, ishin arrestuar tre persona, vëllezër mes vete.

Në dosjen e prokurorisë që kishte siguruar KALLXO.com pas arrestimit të të dyshuarve, thuhej se imami ishte goditur me mjete të forta dhe kishin tentuar të privojnë nga jeta të njëjtin.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 21 korrik 2022 rreth orës 22:00, te Xhamia në fshatin Lupç, Komuna e Podujevës, të pandehurit në bashkëkryerje, me dashje që ta privojnë nga jeta, e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin – dëshmitarin, Zeqir Berisha, Imam i Xhamisë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore”, thuhet në dosje.

Tutje tregohet se imami ka pësuar tri fraktura në kokë dhe një në dorën e djathtë. Ai thuhet se është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku është operuar dhe është në gjendje të rrezikut për jetë.

Të pandehurit, B. M. 27 vjeçar, A. M., 29 vjeçar dhe Sh. M., 26 vjeçar ishin mbajtur në paraburgim për disa muaj.

Sfidat e zgjidhjes 

Ngjarja e 18 shkurtit të këtij viti që ndodhi në fshatin Halabak nuk kaloi përmasat e asaj që ndodhi me imamin Berisha.

Përçarja e banorëve për të frekuentuar xhaminë sipas tyre ndodhi për shkak të imamit të asaj xhamie i cili kishte një autorizim për të kryer ritet fetare nga KBI në Podujevë.

Tensione, rrahje, kërcënime ndaj hoxhallarëve në Podujevë janë të raportuara disa.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Kryetarit të KBI-së në Podujevë, Mensur Hoti në lidhje me këto sjellje të dyshimta te banorët por që deri në publikim të këtij shkrimi i njëjti nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Hoxha nga Drenasi, Osman Musliu i cili vetë ka qenë disa herë i kërcënuar, e sulmuar nga persona të dyshuar në një bisedë me KALLXO.com thotë se problemet e pa trajtuara ndër vite sjellin veprimet të cilat po ndodhin aktualisht në disa vende të ndryshme të Kosovës.

“Së pari, duhet cekur se ka një mungesë të jashtëzakonshme të strategjisë dhe politikave brenda këtij institucioni (BIK). Pra krerët të cilët i kanë zënë vendet kyçe në këtë institucion nuk ia kanë as idenë se çfarë përgjegjësie kanë, se kanë vizionin se për ku janë nisur e po na drejtojnë e pastaj kjo dërgon në mungesë të strategjive e politikave të mirëfillta”- thotë Mulla Osmani për KALLXO.com.

Tutje ai shton se mungon edhe vullneti edhe dëshira për të rregulluar institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës.

“E kur në krye të institucionit janë njerëz që në plan të parë kanë interesin personal e kolltuqet e tyre atëherë aty krijohet hapësirë për lloj lloj grupesh. Sot njerëz të cilët kanë pasur ligjërime ekstreme dhe aspak në përputhje me rregulloret e Bashkësisë Islame janë rehabilituar brenda këtij institucioni nga krerët e BIK”- kritikon mënyrën e funksionit të Bashkësisë Islame, hoxha nga Drenasi.

Osmani thotë tutje edhe se në BIK duhet të punësohen njerëz me kritere.

“Në kushte normale, çdo i punësuar do ishte normale të plotësonte disa kritere, tu përmbahej disa rregullave e besa të përcillte disa trajnime e ligjërime e pastaj të punësohej. Por ka ndodhur e kundërta. Si përfundim sot në Bashkësi Islame nuk ka kritere as të punësimit e as të veprimit”- thotë tutje Osmani.

Sipas hoxhës Osmani, mundësia që grupet e individët e caktuar të marrin në kontrollë xhamitë e ndryshme është një situatë e dhimbshme.

“Fatkeqësia më e madhe është se krerët e BIK-ut përballë kësaj gjendje janë të pafuqishëm ngase njëherë nga bërë koalicion më këto grupe duke i legjitimuar pa asnjë kriter e tash duket se përveç atyre po na del dardhë me bishtë të gjithë neve”- përfundon hoxha Osmani.

Bedri Elezi nga Instituti i Kosovës për Studime Ndërkombëtare, thotë se grupet radikale herë pas here kanë krijuar situata të ndryshme, duke përmendur edhe pjesëmarrjen në luftërat Siri e Irak.

Ai shton se pjesëmarrja e këtyre grupeve radikale ka filluar të jap rezultat negativ në shoqëri tani.

“Këto raste vërtet janë serioze sepse po na tregojnë se grupet radikale po dojnë me marrë terrene të caktuara apo me zgjeru zonën e ndikimit me çka në një të ardhme me pasë një kontrollë më të madh te komuniteti mysliman në Kosovë”- thotë Elezi.

Ai shton se nga periudha e pandemisë Covid-19, Podujeva ka hyrë në listën e zonave të prekura nga radikalizmi.

“Në të kaluarën nga zonat e nxehta apo me potencial radikal nuk ka qenë Podujeva por që nga pandemia, ka disa aktivitete befasuese nga kjo zonë që nuk është konsideru si e prekur nga grupet radikale”- shtoi ai.

Elezi shpjegon se strategjia e grupeve të dyshimta radikale është të shtrijnë sa më shumë ndikimin e tyre.

“Sipas strategjisë që këta veprojnë, zakonisht këto grupe kanë filluar duke bërë promovimin e metodologjisë së tyre, shtrirjen në zona të caktuara dhe njëra nga veprimet interesantë është marrja në posedim dhe kontroll të xhamive si vende kyce për ushtrimin e aktiviteteve të tyre që nuk munden me u mbulu sepse as policia asnjë institucion, nuk ka të drejtë me pengu zhvillimin e aktiviteteve në xhami”- thotë ai.

Jashtë xhamive ka raste kur policia edhe ka arrestuar persona të dyshuar.

Elezi kritikoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës për të cilën thotë se nuk po merret seriozisht me rastet që po raportohen dhe po ndodhin ngjashëm sikurse ato që janë regjistruar në Podujevë.

“Efikasiteti i institucioneve tona qojnë dhe janë shkaktar që kemi rritje të strukturave radikale në Kosovë, këtu hyn edhe BIK-u”- shtoi Elezi.

Raste të ngjashme të incidenteve mes xhematit nëpër xhami të ndryshme në Kosovë, janë të regjistruara në dosjet policore.

Kosova numëron më shumë se kosovarë të cilët u bindën nga grupet radikale të marrin pjesë në luftërat e huaja në Siri e Irak.

Dhjetëra prej tyre kanë vdekur në këto zona ndërsa Kosova po vazhdon të punoj në riintegrimin e mbi 100 të rikthyerve mes tyre, fëmijë, gra e burra.

Fëmijët kanë nisur shkollimin, gratë kanë mbajtur kurse të ndryshme e madje edhe janë të vetëpunësuar, ndërsa burrat janë bërë pjesë e programit të rehabilitimit përmes burgjeve pasi të njëjtit i janë nënshtruar edhe drejtësisë për pjesëmarrjen në luftërat në Siri e Irak.

Disa muaj më parë, ekipi i KALLXO.com kishte publikuar një dokumentar i cili tregon nisjen e ekstremizmit islam në Kosovë dhe pasojat që u shkaktuan nga kjo.