VIDEO - Kryeministri Kurti reagon për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

Mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti e nisi duke dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla, i i cili ndodhi mbrëmë në një lagje të kryeqytetit.

Kurti tha se mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm i gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet asnjëherë të lejojmë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë se sa liria e fjalës” – ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti i uroi shërim të shpejtë gazetarit Syla dhe tha se pret nga institucionet e rendit që rasti të trajtohet me “seriozitetin e duhur”.

Drejtori i Gazeta Metro dhe gazetari, Valon Syla është sulmuar mbrëmë nga tre presona në lagjen ‘Bregu i Diellit’ në Prishtinë.

Organet e drejtësisë e forcat e rendit në raportimet e ditës së sotme njoftuan se ende nuk ka ndonjë të arrestuar për sulmin që ka ndodhur mbrëmë ndaj gazetarit Valon Syla.

Ndonëse edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë e edhe Policia e Kosovës thanë se janë duke i kryer veprimet e nevojshme hetimore.

Kjo e para ka treguar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është cilësuar lëndim i lehtë trupor.

“Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim të plotë me Policinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore nga vendi i ngjarjes” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se në vazhdimësi janë duke u zhvilluar hetime në mënyrë intensive, me qëllim të sqarimit të rrethanave të këtij rasti si dhe identifikimit e sigurimit të prezencës së të dyshuarve në procedurën penale.

Përderisa në raportin 24-orësh policor është thënë se dje rreth orës 22:29 në rrugën ‘Ilir Durmishi’ ka ndodhur sulmi ndaj gazetarit Syla.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore” – ka thënë Policia.

Në anën tjetër, Syla në një intervistë ka thënë se personat që e sulmuan atë janë ‘islamikë fanatikë’.

“Tre islamikë fanatikë më kanë sulmu, shpejt shpejtë ka ndodhë edhe kanë ikë” – ka thënë ai për RTV Dukagjin.

Në anën tjetër, raportimi i Gazetës Metro tregon se gazetari Syla është sulmuar pas përfundimit të emisioni “Pressing” në Televizionin 7 ku ai kishte qenë i ftuar.

“Në mbrëmjen e sotme pas emisionit që kishte në Pressing në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar gazetari dhe drejtuesi i Gazeta Metro, Valon Syla. Ai është sulmuar nga disa persona para lokalit të quajtur ‘Image’. Syla ka pësuar lëndime të lehta trupore” – thuhet në raportimin e  Gazeta Metro.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar ashpër sulmin fizik ndaj Sylës, derisa ka kërkuar hetime urgjente për zbardhjen e rastit.

Gazetari Syla: Jam sulmuar nga tre islamikë fanatikë