Foto: Universiteti i Mitrovicës së Veriut

Qeveria vazhdon të heshtë për universitetin paralel në Mitrovicë

Më 20 gusht në pjesën veriore të Kosovës u hodh gurthemeli për ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë”.

Në këtë objekt është paraparë të investohen mbi 6 milionë euro nga Qeveria e Serbisë.

Por ky projekt deri më tani nuk i ka penguar fare Qeverisë së Kosovës, ani pse për këtë çështje ishte paralajmëruar 1 muaj më parë nga partitë opozitare gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës.

Pesë ditë pasi edhe zyrtarisht nisi ndërtimi i këtij institucioni të arsimit nga qeveria serbe, ekzekutivi kosovar nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar të shtetit të Kosovës.

KALLXO.com që nga 20 gushti ka kërkuar përgjigje nga zyra e kryeministrit, ministrja e arsimit por edhe komisioni Parlamentar, por ende nuk janë përgjigjur.

I quajtur ‘Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë të Veriut’ është themeluar në të njëjtën kohë me Universitetin e Prishtinës, por që nga paslufta ka funksionuar jashtë ligjeve të Kosovës dhe pa financimin e shtetit në territorin e të cilit vepron.

Kosova dhe Serbia kanë biseduar gjatë rreth njohjes reciproke të diplomave midis të dyja vendeve, duke i përfshirë edhe ato të “Universitetit të Mitrovicës Veriore”, por deri më tani vetëm Kosova ka njohur diploma, e Serbia asnjëherë.

Miratimi i Ligjit për Arsimin e Lartë, i domosdoshëm

Në vitin 2015, në kohën kur ministër i Arsimit ka qenë Arsim Bajrami, ishte një tentativë që ‘Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë’ të futet në juridikson të Kosovës, përmes Ligjit për Arsimin e Lartë.

Ky projektligj ishte përgatitur në vitin 2015 dhe për shkak të vërejtjeve të Listës Serbe, nuk u miratua ende sot e asaj dite.

Ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e ka quajtur shumë të dëmshëm ndërtimin e objektit të ri të këtij universiteti nga ana e Serbisë.

“Në fakt është një projekt krejtësisht i paligjshëm dhe i dëmshëm dhe me projektligjin për arsimin e lartë që nuk është votuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës, të cilin e kam përgatitur unë si ministër, shprehimisht kemi tentuar që këtë universitet ta fusin në juridiksionin e Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Ai dha detaje se ky projektligj kishte shkuar në fazën e diskutimit dhe miratimit në parlament, por sipas tij “fatkeqësisht për shkak të presionit ndërkombëtar dhe ai ligj sot e asaj dite, që nuk u miratua janë bërë 7-8 vite”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të arrijë një marrëveshje me Listën Serbe që ta votojë Ligjin për Arsimin e Lartë dhe ky universiteti t’i nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Qeveria duhet ta votojë ligjin për Arsimin e lartë, ai është i gatshëm. është në zyrën e ministres Nagavci, i punuar qysh në vitin 2016 dhe në atë ligj definitivisht ta fut këtë universitet në kontroll qeveritar, në funksion të ligjeve të Kosovës dhe mendoj që duhet patjetër që ky ligj sa më shpejtë të shkoj dhe eventualisht të arrihet një marrëveshje me listen serbe”, tha Bajrami për KALLXO.com.

Sipas tij, i ashtuquajtuari “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë’, është një projekt politik, ‘i cili s’ka të bëjë me arsimin e lartë por më tepër një ndërhyrje e drejpërdrejt në Kosovë’.

Bajrami po ashtu shtoi se ky universitet nuk futet në filtrat e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

“Në kohën time ky universitet nuk është akredituaar nga Agjencia e Akreditimit, por nga institucionet serbe”, shton ai.

Ai po ashtu thotë për KALLXO.com se ka tentuar që ta vizitojë këtë universitet dhe të krijojë kontakte me udhëheqës, por se nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë.

“Kam tentuar sa isha ministër që ta vizitojë këtë universitet dhe të ftoj rektorin e këtij universiteti që ta njeh Kosovën. Po ashtu kam ofruar që serbët që dëshirojnë të vijnë në UP  të hapim katedra edhe drejtime në gjuhën serbe, por s’kanë dashur por edhe bashkësia ndërkombëtare nuk na ka lejuar që të marrim masa më radikale”, ka thënë ish-ministri.

Ndërsa, Aulonë Memeti, drejtoreshë ekzekutive në organizatën ‘Admovere’, thotë se ndërtimi i këtij universiteti ka filluar duke u bazuar në Ligjin për Arsim në Komunat e Kosovës që është miratuar në vitin 2008.

“Ne mund të mos pajtohemi dhe kjo mund të mos na pëlqejë, por duhet të kujtojmë se Ligji për Arsim në Komunat e Republikës së Kosovës është miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 21 maj 2008, me ç’rast neni 14 shtjellon kompetencat e zgjeruara të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Konkretisht, pika f përcakton se: “Komuna gjithashtu do të sigurojë që universiteti të ketë objekte dhe financim adekuat për veprimtarinë e tij nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe burimet e tjera institucionale”, thotë ajo.

Por sipas saj, fondet për universitetin nga Republika e Serbisë duhet të jenë transparente dhe të bëhen publike, në pajtim me ligjet e Kosovës

“Tash për tash duhet parë se a janë bërë publike fondet e Republikës së Serbisë dhe se a janë në përputhje me ligjet e Kosovës, siç e përcakton ligji. Kurse duhet patjetër që shumë shpejtë të gjendet një modalitet që të adresohet çështja e Universitetit të Mitrovicës së Veriut”, thotë Memeti për KALLXO.com.

Ajo shpreson që situata e krijuar të shërbejë si ‘kujtesë’ dhe ‘këndellje’ për deputetët e Kuvendit të Kosovës, ‘në mënyrë që të jenë më të vëmendshëm dhe më të përgjegjshëm gjatë shqyrtimit dhe votimit të ligjeve e rregulloreve në parlament’.

Në anën tjetër, anëtari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Jahja Kokaj, e ka quajtur provokim nga ana e Serbisë ndërtimin e objektit të “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”.

“Është një nga provokimet e radhës sepse ne e dimë që historikisht që Universiteti i Prishtinës i ashtuquajtur në Mitrovicë është ndërtuar në mënyrë paralele me universitetin aktual të Kosovës në Prishtinë, prandaj një provokim i cili e insiston të ashtuquajturën Kosovë dhe Metohi e cila është një fantazmë që qëndron në kokat serbe”, ka thënë për KALLXO.com deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të rektorit të “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”, Zdravko Vitosheviq, por deri në publikim e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com po ashtu ka kërkuar një qëndrim edhe nga ana e kryetarit për Komisionit për Arsim, Ardian Gola, por nuk ka kthyer përgjigje.

Reagimet e opozitës dhe pozitës

Më 7 korrik, gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi pati një pyetje për shefin e qeverisë kosovare, Albin Kurti.

“Në një sipërfaqe prej 10 mijë e 500 metra katror në Veri të Mitrovicës ka filluar ndërtimi i Universitetit me degë të matematikës, ekonomi, drejtësi, shkenca të natyrës dhe rektorati, të gjitha të financuara nga Serbia. A jeni në dijeni për këtë projekt në veri të Mitrovicës?”, ishte pyetja e deputetes Musliu Shoshi.

Kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës parasheh status të veçantë për universitetin në komunën veriore të Mitrovicës.

“Ky universitet menaxhohet nga komuna atje e cila ka të drejtë të bëjë investime në infrastrukturën e saj dhe nuk kërkohet pëlqim i veçantë nga autoritetet tjera. Ky projektligj është miratuar në qeveri më 19 maj 2008 ndërsa dy ditë më vonë 21 maj 2008 është miratuar edhe në Kuvend. Shpejtësia me të cilin koalicioni i atë hershëm PDK – LDK e ka menaxhuar këtë proces ka bërë që unë sot të përgjigjem shkurt në pyetjen tuaj”, ishte përgjigjë Kurti.

Por, që nga ajo seancë, ekzekutivi kosovarë nuk u deklarua më asnjëherë për ndërtimin e objektit të “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”.

Ndërkohë, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar duke thënë se shefi i qeverisë, Albin Kurti duhet të reagoj dhe të ndërmarrë veprime. Ndërsa në reagim, është kritikuar edhe qasja e zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit i është përgjigjur LDK-së përmes një reagimi në Facebook.

Ai thotë se e vërteta në këtë reagim është se Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe se Ligji për Arsimin në Komuna i nenit 14 i jep kompetencë speciale për menaxhimin e këtij universiteti.

Ndërsa, e pavërteta në reagimin e LDK-së, sipas Popovcit qëndron tek deklarimi se asnjë qeveri deri më tani nuk e ka legjitimuar një universitet i cili, sipas reagimit”, jo vetëm që kundërligjshëm mbanë emrin e “Universitetit Publik të Prishtinës”, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Republikës së Serbisë”.

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten (20 gusht) në Mitrovicën Veriore.

Serbia nis ndërtimin e objektit të “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”