Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi për Qeverinë Kurti: Tri vjet keqqeverisje, izolim e frikë- tri vjet mashtrim

Në trevjetorin e ardhjes së Vetëvendosjes për herë të dytë në pushtet, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka akuzuar Qeverinë Kurti për mashtrim, keqqeverisje e degradim.

Këto kritika, ai i ka bërë përmes përmes një video materiali të publikuar në Facebook.

Në këtë video, ndër tjera përfshihen raportimet për ambasadorin Martin Berishaj, arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe raportimet për emërime politike.

Pos tyre, në video përmenden edhe pagat e ulëta, rritja e çmimeve, sanksionet, dështimet në diplomaci e të tjera.

“Tri vjet degradim – korrupsion – nepotizëm. Tri vjet keqqeverisje – izolim – frikë. Tri vjet mashtrim!”- ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Më 22.03.2024, në trevjetorin e emërimit të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë paralajmëruar konferencë për media.

Qeveria e Kosovës u votua më 22 mars 2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.