Foto: Universiteti i Mitrovicës së Veriut

PDK e sfidon kryeministrin Kurti për ndërtimin e universitetit në Mitrovicën e Veriut

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, ka kërkuar informacione nga kryeministri Albin Kurti se a është në dijeni për ndërtimin e një universiteti në komunën e Mitrovicës së Veriut.

“Në një sipërfaqe prej 10 mijë e 500 metra katror në Veri të Mitrovicës ka filluar ndërtimi i Universitetit me degë të matematikës, ekonomi, drejtësi, shkenca të natyrës dhe rektorati, të gjitha të financuara nga Serbia. A jeni në dijeni për këtë projekt në veri të Mitrovicës?”, ishte pyetja e deputetes Musliu Shoshi.

Kryeministri Albin Kurti, tha se Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës parasheh status të veçantë për universitetin në komunën veriore të Mitrovicës.

“Ky universitet menaxhohet nga komuna atje e cila ka të drejtë të bëjë investime në infrastrukturën e saj dhe nuk kërkohet pëlqim i veçantë nga autoritetet tjera. Ky projektligj është miratuar në qeveri më 19 maj 2008 ndërsa dy ditë më vonë 21 maj 2008 është miratuar edhe në Kuvend. Shpejtësia me të cilin koalicioni i atë hershëm PDK – LDK e ka menaxhuar këtë proces ka bërë që unë sot të përgjigjem shkurt në pyetjen tuaj”, tha Kurti.

Musliu Shoshi tha se ky universitet nuk është bërë nga Komuna e Mitrovicës por nga shteti i Serbisë.

“Për ndërtim kërkohet leje e veçantë nga Ministria e Ambientit”, tha ajo.

Kurse Kurti tha se nuk ka dyshim që funksioni i këtij universiteti nuk është legjitim pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me ligjin për arsimin në komuna dhe nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

“Për këtë arsye ky universitet nuk financohet nga RKS dhe nuk do të financohet deri sa funksionimi i tij të jetë në përputhje me ligjet e RKS”, tha Kurti.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut (UMV) që prej vitit 1999 nuk ka funksionuar në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë të Kosovës, mirëpo i ka zbatuar rregulloret e Serbisë.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe programet e tij nuk kalojnë fare nëpër filtrat e përvitshëm të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, institucionit që merret me akreditimin e programeve në nivelin e arsimit të lartë në vend.

Marrëveshja politike që legalizoi diplomat e universitetit paralel të Prishtinës