Pronarët e kompanive të udhëtimit sfidojnë shtetin
Pronarët e kompanive të autobusëve nga Prizreni kanë arritur ta sfidojnë shtetin dhe të bllokojnë qarkullimin e linjës Prizren – Prishtinë nëpërmjet autostradës.
Kompanitë e autobusëve që operojnë nga Prizreni në Prishtinë, vazhdojnë të mbajnë linjat e tyre nëpërmjet rrugës së vjetër e cila e bënë më të gjatë udhëtimin e tyre drejtë Prishtinës dhe anasjelltas.
Në emisionin #KallxoPernime, më 09.01.2025 u transmetua denoncimi i kompanisë se transportit ndërurban “Plisi” nga Ferizaj, e cila edhe pse e pajisur me licencë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për mbajtjen e vijave të udhëtimit nga marsi i viti 2024 nuk ka operuar.
Kjo, sepse qysh në ditën e parë të operimit të tij pronarët dhe shoferët e kompanisë u sulmuan në hyrje të stacionit të autobusëve në Prizren nga disa përfaqësues të kompanive atje.
Avokati Burim Halili, që përfaqëson kompaninë nga Ferizaj ka treguar se kompania e klientit të tij edhe pse e pajisur me licencë nga Ministria nuk po mundet të punojë pasi ka hasur në rezistencën e kompanive nga Prizreni.
“Disa ditë pasi klienti ynë është pajisur me licencë nga Ministria e Infrastrukturës për mbajtjen e linjave Prishtinë – Prizren nëpërmjet autostradës ka filluar të punojë dhe në momentin kur ka mbërritur në Stacionin e Autobusëve në Prizren pronari dhe shoferët e kompanisë janë sulmuar nga pronarët dhe përfaqësuesit e kompanive nga Prizreni. Rezistencë për mos me leju operimin ka pasur edhe para diku 4 muajve kur ia kanë bllokuar autobusin dhe nuk e kanë lënë me operu. Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 4 personave por që ende nuk kemi mbajtur seancë lidhur me sulmin e parë”- thekson Halili.
Lidhur me sulmimin e ndodhur me 04.03.2024, ne afërsi të stacionit të autobusëve në Prizren, prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj 4 personave, por gjykata e Prizrenit ende nuk ka caktuar seancë.
“Të pandehurit Meriton Gavazaj, Faton Kuçi, Valmir Gavazaj e Sami Gavazaj, në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim i sulmojnë fizikisht të dëmtuarit Besim Mustafa dhe Qazim Mustafa, në atë mënyrë që derisa të dëmtuarit ishin në autobusin e kompanisë ‘Plisi’ nga Ferizaji, e kur inspektorati komunal të njëjtit i kishin ndal për kontroll rutinor, të pandehurit kanë shfrytëzuar momentin duke hyrë brenda në autobus me ç’rast, pa ndonjë paralajmërim, vetëm për faktin se kompania Plisi kishte marr licencën nga Ministria e Infrastrukturës për të bartur pasagjerët në relacionin Prishtinë – Prizren, përmes autostradës, të njëjtit të revoltuar me këtë vendim, sulmojnë fizikisht të dëmtuarit duke i goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit”- thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Prizrenit.
Sami Gavazaj, i cili është edhe përfaqësues i shoqatës në Prizren, thotë se kompania e tij qe 30 vjet i ka ato vija të udhëtimit. Lidhur me aktakuzën ai thekson se janë 4 persona, e aty atë ditë kanë qenë mbi 50 persona. Gavazaj pretendon gjithashtu se është duke e mbrojtur bukën e fëmijëve të tij.
“Jo bre vëlla, gabim është. Ai ka hyrë në vijat tona. Qysh ta lejojmë ne atë. Si në autostradë, si kështu njëjtë është. Me një minutë nisemi kush hypë. P.sh. këndej kah ne, kah autostrada s’ka dallim pesë apo dhjetë [minuta] më së shumti. I vetmi ai është t’u e ba atë problem. Kanë dalë krejt, nuk kam dalë vetëm unë. Ka dalë shoqata e Suharekës, shoqata e Dragashit dhe e Rahovecit. Krejt jemi kanë afro 40-50 veta që jemi kanë aty. Hala jemi në gjykatë. Na kanë qu në Polici neve. Ne i kemi largu ata se janë kanë 50 veta, u kanë situata e keqe. Nuk kemi kaluar me një grusht…, u kanë situata e keqe o vëlla, se po ta merr bukën prej gojës. Si mos ta mbroj veten kënd kam me e mbrojt unë, bukën e fëmijëve të mi s’i mos ta mbrojë çka kam me bo unë”- thotë Gavazaj.
Se nuk do të lejon operimin e kompanisë nga Ferizaj në linjën Prishtinë – Prizren e thotë edhe i akuzuari tjetër Faton Kuçi, ai pretendon se një kompani e prish punën e mbi 50 kompanive të tjera dhe se jo vetëm këtë kompani por asnjë kompani tjetër nuk do ta lejojnë të operoi aty. Ndaljen thotë se do e bëjnë duke protestuar.
“Ne kemi bërë protestë me ndalu atë. Kush u kanë ai person që ka ardhur të mbajë atë linjë. Nëse ai e mban atë linjë, neve na paralizon punën. Ne jemi 50-60 operatorë që duhet të mbyllim punën nëse e lejojmë atë të punojë. Kjo është esenca, ai na pengon të gjithëve tash pse i teket dikujt të aplikojë për një linjë në autostradë d.m.th. krejt trasenë tonë e paralizon. As nuk ka me i marrë pse paralizohet traseja qe e kemi ne, ne jemi duke shkuar në Prishtinë, s’ka nevojë me shku tjetër kah a po kupton. Jo, s’e ka sulmuar askush, amo me punu s’kemi me lanë me punu, jo atë por kushdo që vjen, po na çka mundemi me bo me u shtri para tij, ai le të na shkelë, ndryshe nuk ka. Absolut kurrkush hiç, absolut, ne fizikisht s’kemi me i prekë por protestë kemi me ba …, kështu s’ka me mujtë ai”- thekson Kuçi.
Ne aktakuzë thuhet se i akuzuari tjetër Valmir Gavazaj e ka pranuar se e ka goditur me grusht një anëtar të familjes Mustafa nga Ferizaj. Por Valmiri kur u kontaktua nga Kallxo.com se janë shtyrë brenda autobusit dhe nuk e ka goditur atë person.
“Ne e kemi dhënë verdiktin tonë në prokurori dhe në gjykatë. I kemi dhanë ato fajësitë tona që i kemi pasë. Ne jemi kanë mbi 80 veta aty, nuk jemi kanë veç ne, po unë e kam kry atë në gjykatë dhe në bazë temës nuk kam çka foli më tepër për këtë temë. Jo, jo jemi shtyrë mes vete na. Nuk e kam thanë në deklaratë jemi shtyrë. Por tashti e dinë, ata për çka, a po kupton? 80 veta kemi dalë qaty, s’u kanë puna vetëm te Valmiri apo te dikush tjetër”- tha Gavazaj.
Ndërsa Meriton Gavazaj thotë se nuk e dinë pse është në aktakuzë. Ai thekson se aty ka qenë sikur edhe mbi 50 peronat e tjerë dhe nuk e ka sulmuar askënd.
“Unë veç kam hyrë me i nda, kam hy mos me u bo më e madhe edhe nuk është se kam pasë ndonjë send të involvuar. Ne kemi dalë të protestojmë në mënyrë paqësore, por tani aty eskaloj situata prej plotve, jo vetëm prej neve, prej familjes sonë, se aty nuk u kanë veç familja jonë, janë kanë 30 transportues me familjarë. Tjetër kush e nisi, na e hëngrëm diqysh. Unë hiç as s’kam pasë të bëj me këtë, s’jam kanë hiç i përfshirë, qysh jam kanë prej punës qashtu”- thekson Gavazaj.
Nazmi Gashi, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, thekson se janë njoftuar se ka problem lidhur me operimet sa i përket linjës së autostradës Ibrahim Rugova por që nuk kanë mundësi të ndërhyjnë pasi ky rast ka kaluar ne organet e rendit.
“Ne çdo 3 vite hapim thirrjet për linjat e reja të transportit të udhëtareve ndërurban, sa i përket autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut nuk kemi pas të interesuar që të kemi linjë nga Hani i Elezit, Kaçaniku për në Prishtinë, ndërsa në autostradën “Ibrahim Rugova” kemi dhanë licencë por atje jemi njoftuar se ka probleme dhe kompanitë që operojnë nga rruga e vjetër kanë kundërshtuar dhe tash ky problem ka kaluar ne organet e rendit dhe kjo i tejkalon kompetencat tona për ndërhyrje”- potencon Gashi.
Përfaqësuesit e kompanive të transportit të linjave urbane e ndërurbane në Kosovë që nga vitet e pasluftës kanë pasur probleme në mes veti. Lidhur me problemet rreth linjave të udhëtarëve në mes të përfaqësuesve të kompanive të ndryshme janë përdorur edhe armët edhe ka pasur edhe viktima në të kaluarën ne disa qytet të Kosovës, përveç viktimave ne vazhdimësi është raportuar për rrahje e sulme ne mes të përfaqësuesve të kompanive të transportit të udhëtareve.