Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fitorja e basketbollistit jashtë parketit “në minutat shtesë”

Dhjetë vjet pasi e ka lënë parketin e basketbollit, Alban Hyseni i ka dhënë një “trepikësh” të rëndësishëm partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, me fitoren e tij në Gjilan në garën për kryetar të komunës.

E diela në mbrëmje, derisa po përfundonte numërimi i votave, shumë vetulla në Vetëvendosje rrinin të ngrysura për shkak të rezultateve që vinin nga tereni.

Në selinë e Alban Hysenit në Gjilan po këndohej tjetër këngë.

Me një diferencë prej rreth 800 votash, Hyseni u bë kandidati i parë për kryetar të komunës që e mundi në garë Lutfi Hazirin e LDK-së, atë që deri në atë mbrëmje konsiderohej i pamposhtur në parketin e politikës lokale në Gjilan.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Hyseni ka marrë 21 mijë e 374 vota, ndërsa Lutfi Haziri 20 mijë e 515 vota.

Ndonëse ka pasion kriminologjinë, nevoja për ndryshim e ka shtyrë Alban Hysenin që t’i futet garës për të parin e Komunës së Gjilanit.

Në një intervistë në Kallxo Përnime, Hyseni ka treguar se humbja e LVV-së në Gjilan në zgjedhjet e vitit 2013 e ka bërë të mendoj që në vitin 2017 t’i futet garës për të parin e komunës, por që një hap të tillë nuk e ka marrë as atëherë.

“Në njërën anë ka qenë përgatitja politike që besoj më ka munguar në atë kohë, ndërsa në anën tjetër mungesa e përvojës në një institucion siç është universiteti ku kam pasur edhe përvojë menaxheriale edhe akademike por jo në nivelin mbase të duhur dhe të mjaftueshëm për të pasur bazë”, tha Hyseni.

Rrugëtimin e tij në politikë, Alban Hyseni e ka filluar si një 21-vjeçar në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), parti me të cilën edhe u ngrit të krye të Komunës së Gjilanit.

Sipas një biografie të publikuar në webfaqen e kësaj partie, Hyseni ka të përfunduar Fakultetin Juridik dhe mban titullin master në programin Juridik Penal.

Në vitin e katërt të studimeve ka filluar punën si tutor studentësh, për të vazhduar më pas si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale përgjatë viteve 2013-2015.

Hyseni po ashtu ka qenë i angazhuar në kolegjin “Arbëri” dhe në Koordinator i Kolegjit UBT në Gjilan.

Përveç jurist e politikan, Hyseni në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e klubit të basketbollit “Drita” në Gjilan.

Basketbollin si sport ai ka ushtruar që nga viti 2003 deri në vitin 2011.

Çka i premtoi Alban Hyseni gjilanasve?

“Me thjeshtësi dhe modesti në qasje si dhe me vendosmëri dhe guxim në paraqitje”, Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se synon ta udhëheqë Komunën e Gjilanit.

Problemin e ujit të pijes, kanalizimit dhe bërllokut për gjilanasit ka premtuar se do ta zgjidhë brenda mandatit 4-vjeçar.

Hyseni po ashtu ka premtuar krijimin e zonave të gjelbra si dhe hapësira rekreative.

“Në projektin tonë i kemi dy projekte më të mëdha, te penda e Livoçit dhe në pendën e Përlepnicës që përfshin krijimin e dy qendrave rekreative- sportive. Projekti i tretë është krijimi i rripit të gjelbër e që ka për synim rritjen e hapësirës së gjelbër. Po ashtu do të kemi edhe “Green Pockets” në të gjithë qytetin”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa për të zgjidhur tollovinë në qytet, ai ka premtuar një parking si dhe dy nënkalime.

Brenda mandatit 4-vjeçar, Alban Hyseni gjilanasve i ka premtuar 3 çerdhe, dy në fshatra dhe një në qytet.

Po ashtu ka premtuar digjitalizimin e bibliotekës së qytetit si dhe pajisjen me laborator për shkollat e këtij qyteti.

“Brenda mandatit tonë të parë, secila shkollë do të jetë e pajisur me laborator dhe me mjete të konkretizmit.  Shumë shpejtë do të mund të realizojmë edhe një laborator të modelit 3.0 të teknologjisë, të realitetit virtual me ç’rast na duhet një analizë de në cilën prej shkollave e ka efikasitetin më të madh”, ka thënë ai.

Përveç kësaj, ai ka premtuar edhe zonën ekonomike për qytetarët e Gjilanit si dhe autostradën Gjilan-Prishtinë.

“Zona ekonomike 7 milionë euro investim, janë 13 hektarë tokë të identifikuara deri më tani, është në afërsi të autostradës. Autostrada Gjilan-Prishtinë do të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2. Unë po flas edhe në emër të asaj që kemi biseduar edhe me z. Kurti, me kryeministrin”, tha ai në “Debat Përnime”.

Pasuria e kryetarit të ri të Gjilanit

Alban Hyseni është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në vitin 2019, në të cilat kishte marrë 7 mijë 767 vota.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Hyseni ka deklaruar disa prona të paluajtshme të cilat kapin vlerën e mbi 700 mijë euro.

3 shtëpi, 4 toka dhe një vikendicë për të cilat shumicën i ka deklaruar se i ka në pronësi të përbashkët e janë nga puna e prindit jashtë vendit dhe të cilat kapin vlerën 771 mijë e 490 euro.

Ndërsa si pasuri të luajtshme, Alban Hyseni ka deklaruar dy vetura, njëra në pronësi të përbashkët me bashkëshorten në vlerë prej 8 mijë e 500 euro, ndërsa tjetrën në emër të tij në vlerë prej 2 mijë e 200 euro. Të dy këto vetura Hyseni ka thënë se i ka blerë më kredi.

Kryetari në ardhje i Gjilanit, Alban Hyseni po ashtu ka deklaruar se ka kredi rreth 7 mijë e 500 euro në një nga bankat e Kosovës, 4 mijë euro i ka për blerje të veturës, 1 mijë euro për pagesën e borxhit për studime si dhe 2 mijë e 500 euro për nevoja personale.