Persona të afërt me parti politike emërohen në pozita të zyrtareve për sinjalizim
Në emisionin #KallxoPernime është diskutuar për Ligjin për sinjalizim, i cili shërben si mjet shtesë për luftimin e dukurive korruptive.
Por ky ligj dhe rregullorja e cila përcakton procedurën e trajtimit të rasteve të sinjalizimit, nuk e ka sqaruar qartë se kush mund të emërohet në pozitën e zyrtarit për sinjalizim.
Në Postën e Kosovës së fundmi zyrtari për sinjalizim është caktuar Visar Jonuzi, i cili kishte qenë financues i partisë në pushtet, pra Vetëvendosjes.
Labinot Leposhtica, Udhëheqës i Zyrës ligjore në Kallxo.com ka thënë se në këtë ligj është lënë një liri shumë e madhe për të caktuar në këtë pozitë këdo që institucioni dëshiron, pa u përcaktuar kriteret kualifikuese të kësaj pozite.
“Në ligj dhe rregullore thuhet vetëm se personi përgjegjës për sinjalizim duhet të ketë integritet, por nëse lihet si e tillë është abstrakte, e pazbatueshme dhe është tërësisht në diskrecionin e institucionit dhe udhëheqësit të atij institucioni”, ka thënë Leposhtica.
Sipas tij personi në pozitën e sinjalizimit duhet të përfaqësojë besim dhe integritet pasi që sipas tij, procesit të sinjalizimit i jepet kahje e mbrapshtë apo e mbarë varësisht nga zyrtari për sinjalizim.
Ndryshe Kallxo.com, javës e kaluar kishte raportuar se Visar Jonuzi, është caktuar zyrtar përgjegjës për trajtim të rasteve të konfliktit të interesit në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës. Jonuzit, i cili mban pozitën e koordinatorit për paga dhe benifite në këtë ndërmarrje, i është caktuar edhe kjo përgjegjësi e re nga kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Raci.
Në po të njëjtin vendim, theksohet edhe fakti se i njëjti do t’i zbatojë dispozitat ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, evidentimin e sinjalizimit dhe krijimin e regjistrit për ta.
Gjithashtu, Jonuzi, sipas vendimit, me marrjen e sinjalizimit fillon më pas procedurat e brendshme të hetimit administrativ, vlerësimit dhe pretendimet e tjera të ngritura në rast.
KALLXO.com ka gjetur se emri i Visar Jonuzit figuron 12 herë si donator i Vetëvendosjes në raportet financiare të kësaj partie për vitin 2021.
Në pushtetet e kaluara Kallxo.com kishte raportuar se si zyrtarët për sinjalizim kishin qenë të afërt me PDK-në. Hulumtimi i Kallxo.com i botuar në mars 2020 identifikoi 3 raste të tilla. Vëllai i Latif Gashit, deputetit të PDK-së ishte emëruar sinjalizues në Administratën Tatimore të Kosovës. Në Komisionin e Pavarur për Media, zyrtar për sinjalizim ishte caktuar Ardiana Sejdiu Musmurati, e reja e Bastri Musmuratit, sekretar i PDK-së. Si dhe, në Ministrinë e Integrimeve Evropiane zyrtar për sinjalizim ishte emëruar Novitet Nezaj, ish kandidat i PDK-së për deputet.
Vetëm 80 nga 180 institucione publike e kanë emëruar zyrtarin për sinjalizim
Të gjithë punëtorët e institucioneve publike të Kosovës kanë të drejtë ta dinë se kush është zyrtar për sinjalizim në atë institucion ku punojnë. Është obligim i udhëheqësit të secilit institucion t’i informojë punëtorët se kush është zyrtari për sinjalizim, por në Kosovë shumica e institucioneve publike hezitojnë edhe ta informojnë punëtorin se kush është ky zyrtar, por hezitojnë madje ta caktojnë këtë zyrtar.
Caktimi i zyrtarit përgjegjës për sinjalizim është fillimi i zbatimit të ligjit për sinjalizim. Agjensioni Antikorrupsion e ka për detyrë monitorimin e këtij ligji e në të cilin janë deponuar edhe sinjalizime të jashtme.
Blerim Kelmendi, drejtori i Departamentit të hetimeve në AAK, ka thënë se në vitin 2020 janë iniciuar 23 kundërvajtje ndaj udhëheqësve të institucioneve publike, për moscaktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim.
“Është dukuri që punonjësit e institucioneve publike nuk e dinë kush është zyrtari përgjegjës për sinjalizim. Në të kaluarën vetëm përcaktimi i këtij zyrtari ka qenë një hap shumë i rëndësishëm në vazhdimin e respektimit të këtij ligji, megjithëkëtë edhe pas kaq vitesh ende përballemi me këtë dukuri”, ka thënë Kelmendi.
Sipas tij, secili drejtues i institucioneve e di që duhet të caktohet zyrtari përgjegjës.
“Ne i kemi informuar me anë të emailit që këto institucione duhet të njoftojnë stafin për zyrtarin përgjegjës për sinjalizim duke e publikuar në ueb-faqe”, ka shtuar më tej Kelmendi.
Agjensioni Antikorrupsion e konfirmoi për Kallxo që institucionet për të cilat u fol në debat kanë caktuar zyrtar për sinjalizim. Në RTK ky zyrtar është Bekim Shehu, ndërsa në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është Petrit Bruqi.
Ndryshe në vitin 2019, në AKK, kanë qenë vetëm 3 raste të sinjalizuesve të jashtëm, ndërsa në krejt sektorin publik kanë qenë vetëm 2 raste. Në 2020-ën, kanë qenë 10 raste në AKK ndërsa në sektorin publik 136 raste, shkelje këto të çfarëdo rasti. E në vitin 2021, janë vetëm 9 raste të sinjalizuesve të jashtëm, ndërsa në gjithë sektorin publik, 37 raste. Kurse në vitin 2022, janë 14 raste dhe 99 në sektorin publik.
Kallxo.com ka mbi 500 raste të lajmëruara nga sinjalizuesit brenda institucioneve të Kosovës prej 2019 deri më tash prej kur ka hyrë ligji në fuqi.
E përjashtuan nga puna pasi lajmëroi parregullsi në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore
Në emisionin #KallxoPernime, avokati, Korab Sejdiu ka treguar se qe tri vite ka filluar ta trajtoj rastin e zyrtarit të prokurimit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili kishte sinjalizuar drejtorin e këtij e institucioni duke pretenduar që ishte vënë nën trysninë e tij për të nënshkruar një kontratë ekonomikisht më të pafavorshme për buxhetin e Kosovës.
Bëhet fjalë për Alban Pozhegun, për të cilin kishte raportuar Kallxo.com. Ai kishte respektuar të gjitha procedurat e ligjit për sinjalizim, fillimisht kishte raportuar tek zyrtari për këtë çështje në FSSH, por ky i fundit nuk e kishte proceduar lëndën.
“Zanafilla ka qenë tek nënshkrimi i një kontrate e cila ka qenë më e shtrenjta e që zyrtari i prokurimit kishte refuzuar ta nënshkruaj sepse nuk ka qenë më e favorshme për institucionin. Pozita e sinjalizuesit ishte pezulluar dhe kjo kontratë ishte nënshkruar”, ka thënë Sejdiu.
Ky sinjalizues është i pa punë është duke u ballafaquar me tri padi ndërsa ka fituar edhe një dëmshpërblim pasi që është diagnostikuar me diabet shkaku i presionit nga dhe ngarkesave që ka përjetuar gjatë asaj periudhe.
Sejdiu & Qerkini ndërmarrin iniciativë ligjore strategjike duke përfaqësuar Fadil B. Hoxhën, sinjalizuesin e RTK-së
Korab Sejdiu është avokati që i kishte zhvilluar disa padi strategjike ‘pro bono’ (pa kompensim financiar) në të kaluarën dhe më së paku dy padi të rëndësishme kishin pasur sukses dhe kishin ndërruar qasjen e shoqërisë ndaj paditësve në ato raste.
Padi strategjike quhen ato padi që kanë për qëllim të çojnë një interes publik përpara duke krijuar praktikë të re gjyqësore si dhe duke krijuar precedent në trajtimin e rasteve në interes të publikut.
Padia e parë që kishte përfaqësuar Sejdiu ishte ajo e Diana Kastratit që ishte vrarë në 2011 ndërsa padia e dytë dhe e tretë ishin padi të bëra në 2013 për ta përfaqësuar BIRN-in për të kërkuar qasjen në dokumente zyrtare që iu kishte ndaluar në dy institucione, në Zyre të Kryeministrit (fakturat e shpenzimeve) dhe Këshill Prokurorial të Kosovës (vendimet disiplinore).
Tash në 2023, Sejdiu vendosi të përfaqësojë rastin e Fadil. B Hoxhës, kryetarit të sindikatës dhe sinjalizuesit të RTK-së, padi kjo e deponuar në shkurt si pjesë e iniciativës që tenton t’i bind gjykatat e Kosovës që sinjalizuesit duhen të mbrohen nga shteti, e jo të luftohen.
Arsyeja pse Sejdiu&Qerkini e kanë marrë rastin e Fadil B. Hoxhës ‘pro bono’ është sepse dëshirojnë të lënë gjurmë duke ndryshuar praktika gjyqësore.
“Jemi një grup njerëzish që mendojmë se profesioni ynë është pak më tepër se vetëm fitimprurës. Çështja është se qëllimi jonë është edhe të lëmë gjurmë në sistemin e drejtësisë dhe në vendin tonë. Konsiderojmë se është një kontribut, por edhe si obligim që për secilin avokat, një pjesë të kohës t’ia dedikojmë këtyre shërbimeve, pra pro bono (pa kompensim financiar). Por ne nuk jemi të vetmit që ofrojmë shërbime të tilla”, ka shtuar Sejdiu.
Avokati Burim Azemi i cili është duke punuar në kuadër të avokatisë “Sejdiu&Qerkini” e spjegoi rastin e Hoxhës në #KallxoPernime.
Azemi e shpjegoi se si e kishte deponuar padinë strategjike në Gjykatën Themelore të Prishtinës duke bërë propozim për masë të sigurisë për sinjalizuesin e RTK-së që është Fadil Hoxha, njëherësh kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në RTK.
“Ngjarja ka filluar më 2022, kur është ndërruar menaxhmenti i RTK-së, paditësi Hoxha ka sinjalizuar drejtorin e përgjithshëm të RTK-së për keqpërdorim të detyrës zyrtare, rasti është lajmëruar te AKK-ja, por tash është tek Prokuroria Speciale”, ka thënë Azemi.
Në fund të vitit 2022 Hoxha është degraduar në pozitë për 5 shkallë. Sindikata e Pavarur e RTK-së e ka quajtur këtë vendim hakmarrës për shkak të llogaridhënies që Sindikata po kërkon për menaxhimin e RTK-së, ndërsa Ahmetxhekaj thotë se nuk kishte ndikim në proces.
Hoxha është degraduar në pozitën “Inxhinier përgjegjës” nga pozita udhëheqës i njësisë së hulumtimit në fillim të këtij muaji. Hoxha është ekonomist i diplomuar dhe është degraduar në pozitën e inxhinierit për të cilën nuk është i kualifikuar sepse nuk e ka kryer elektron.
Hoxha si udhëheqës i Sindikatës qe gati një dekadë kishte bërë sinjalizime për shkeljet që menaxhmentet e RTK-së të udhëhequr nga drejtorë e borde të ndryshme i kishin bërë.
Rastet strategjike ligjore që udhëhiqen nga Sejdiu & Qerkini bazohen në praktikën e ushtruar në SHBA për raste specifike ku viktimat kanë ra pre e ndonjë padrejtësie institucionale dhe beteja e të cilëve u shërben edhe atyre që vinë pas këtyre viktimave me raste të ngjashme.
Në rastin e Diana Kastratit, gruas që u vra nga ish burri i saj i cili kishte urdhër mbrojte të rrinte larg, familja e viktimës zgjodhi të përfaqësohej nga Korab Sejdiu duke e fituar betejën epike disa vjeçare për të marrë kompensim nga shteti që kishte dështuar ta mbrojë Kastratin.
Rasti i dytë kishte qenë padia strategjike me BIRN ku Korab Sejdiu në fillim me një projekt të Ambasadës Amerikane, por pastaj disa vite komplet ‘pro bono’ (ngase rasti zgjati 7 vite e projekti i ambasadës pagoi për 3 vite), arriti t’i bind gjykatat e Kosovës që BIRN kishte të drejtë të ketë qasje në fakturat e ushqimeve që pushtetarët i paguanin me taksa publike. Kjo padi filloi në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, vazhdoi në kohën kur kryeministër u bë Isa Mustafa dhe pastaj Ramush Haradinaj. Në fund, me urdhër për përmbarim të zbatimit të vendimit, BIRN arriti të ketë qasje në këto faktura duke botuar kështu hulumtimin “Sa han shefi”, një seri artikujsh që zbuluan kështu që taksat e Kosovës ishin harxhuar për të blerë verëra të shtrenjta të mbi 80 eurove dhe lukse të tjera të cilat krijuan një standard të ri në shpenzimin e parasë publike. Që nga ajo ditë, shumica e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, kryetar komunash dhe udhëheqës të nivelit qendror, i bëjnë vetë publike shpenzimet e zyreve të tyre për dreka e darka pas kritikave të shumta që buxheti i Kosovës po shpenzohej pa kurrfarë kulture të shpianikut të mirë.
Leposhtica: Sinjalizuesit kanë cilësi të heronjve – rruga e heronjve nuk është asnjëherë e lehtë
Burim Azemi, avokat nga avokatura “Sejdiu & Qerkini” spjegon historinë e rastit të Fadil B. Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve në RTK për të cilin ai tregon që ka bërë propozimin për masë të sigurisë krahas padisë për të mbrojtur sinjalizuesin në këtë rast.
“Historia procedurale ose tërësisht historia e këtij rasti është goxha e gjatë sepse paditësi në këtë rast është sinjalizues shumë i suksesshëm, i cili ka mbrojtur në masë të konsiderueshme interesin publik ose të vendit të tij ku punon”, tha Azemi.
Azemi spjegon që ngjarja ka filluar në vitin 2022, kur është ndërruar menaxhmenti (i RTK-së).
“Paditësi ka përdorur sinjalizimin dhe drejtorin gjeneral e ka sinjalizuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare tek Agjencia Antikorrupsion, e cila më pas kishte dalur me një njoftim se kjo tejkalon kompetencat e saj dhe rasti tash është marr të shqyrtohet nga Prokuroria Speciale. Aty paditësi ka bërë deklarim (si dëshmitar)”, spjegoi Azemi.
Azemi spjegoi edhe konfrontimet tjera që Hoxha i kishte pasur me menaxhmentin.
“Sinjalizuesi (Hoxha) kishte kërkuar qasje në dokumente publike, të njëjtit i është refuzuar kjo kërkesë nga ana e të paditurës (RTK). Rasti ka kaluar tek Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila i ka dhënë sinjalizuesit të drejtën për të pasur qasje në dokumente publike. E rëndësishmja është dokumentet që ai i ka kërkuar: Ai ka kërkuar dokumente sepse ka pasur pretendime se drejtori ka kërkuar pushim pa pagesë për një vit … që të shkojë të punojë tek një medie konkurrente. Dmth ka qenë goxha një rast, për një vit pushim pa pagesë, nëse është e vërtet që ka punuar për një medie konkurrente është sinjalizim goxha i suksesshëm edhe mbron interesin publik dhe të kompanisë që punon”, tha Azemi.
Labinot Leposhtica, juristi nga zyra ligjore e BIRN-it e spjegoi rëndësinë publike të këtij sinjalizuesi.
“Këtu duhet me pas parasysh një element shumë të rëndësishëm që ky i ka dy cilësi, në njërën anë (Hoxha) udhëheq Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së, pra e përforcon pozicionin e tij në njëfarë forme atij i imponohet me reagu ndaj krejt keqbërjeve ndaj të cilave ai është dëshmitar dhe që ai i evidenton brenda punës së tij në RTK”, tha Leposhtica.
“Kur e shohim mënyrën se si ai ka vepruar, ka alarmuar në krejt zinxhirin institucional dhe ky alarmim secilën herë atij i është kthyer në veprime denigruese, dëmtuese siç është edhe degradimi i tij në pozitë që e evidenton për 5 pozita më ulët, konsideroj që kjo e bën shumë shqetësuese këtë rast. Me këtë degradim të pozitës ky rrezikon humbjen e vendit të punës sepse është degraduar në një pozicion për të cilin nuk është i kualifikuar”, vazhdoi Leposhtica.
Më tutje Leposhtica alarmoi për rrezikun që paraqitet.
“Nuk do të çuditesha aspak nëse (Hoxhës) në vlerësimin e performancës eventuale në të ardhmen t’i evidentohet se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, thotë Leposhtica.
Leposhtica shtoi se “Procedura e degradimit besoj që është bërë me arsyetime tejet banale për arsye se ka reaguar publikisht në emër të Sindikatës, realisht ka reaguar Kryesia e Sindikatës e pasojën e reagimit për një keqbërje e ka marr për barrë krejt një person i vetëm që as si kryetar i Sindikatës e as si sinjalizues nuk do të duhej ta kishte”.
“Konsideroj që sinjalizuesit e sotëm edhe këta që i përmendëm (në debat) kanë cilësi të heronjve, e rruga e heronjve asnjëherë nuk është e lehtë. Me e nis këtë rrugë në Kosovë duhet tejet guxim, tejet idealizëm”, shtoi Hoxha.
Burim Azemi e shpjegoi se si trendi i menaxhmentit ndaj Hoxhës kishte qenë penalizues, hakmarrës e me standarde të dyfishta edhe para se të ndodhte degradimi.
Dëshmi për këtë Azemi e përmendi rastin kur Hoxha kishte marrë “vërejtje të fundit” në mes të vitit 2022 për shkak se kishte ndarë një lajm të Kallxo.com në profilin e tij të Facebook. Lajmi në fjalë kishte të bënte me BQK-në dhe një punëtore të përjashtuar padrejtësisht nga BQK pikërisht pse kishte ekspozuar shkeljet që ishin bërë në BQK nga menaxhmenti.
Azemi e shpjegoi që kjo ishte absurde ngase vet drejtori i RTK-së që kishte bërë këtë vërejtje të fundit” kishte artikull të botuar në Kallxo dhe anëtarët e bordit të RTK-së kishin shpërndarë edhe ata artikuj të Kallxo, por edhe të mediave tjera. Me këtë rast, asnjëri prej tyre s’kishte marrë vërejtje të fundit për materialin e Kallxo të shpërndarë në rrjetin e Facebook apo që kishin publikuar artikuj në këtë portal.