Hulumtim: Njerëzit të afërt me PDK-në emërohen t'i mbrojnë sinjalizuesit

Kosova ka ndër ligjet më të avancuara në rajon për mbrojtjen e sinjalizuesve, personat që raportojnë ose shpalosin informacione për shkeljet ligjore që ndodhin brenda institucionit ku punojnë.

Por, KALLXO.com ka gjetur se në të paktën tri institucione të rëndësishme, sinjalizuesit do të mbrohen nga njerëz të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në Administratës Tatimore të Kosovës, zyrtarë për mbrojtjen e sinjalizuesve është emëruar Naim Gashi, vëllai i ish-deputeti i PDK-së, Latif Gashi.

Naim Gashi e ka konfirmuar për KALLXO.com se e ka pranuar detyrën si zyrtar për mbrojtjen e sinjalizueseve.

“Unë jam i caktuar më 19 mars të vitit 2019. Sipas ligjit zyrtar, jam përgjegjës për mbrojtjen e sinjalizues. Kam qenë pjesëmarrës edhe në përpilimin e ligjit”, ka thënë Gashi.

Administrata Tatimore e Kosovës është përgjegjëse për grumbullimin e tatimeve të brendshme, duke përfshirë TVSH-në e brendshme, Tatimin në të ardhurat e korporatave dhe tatimin në të ardhurat personale. Gjatë këtij viti, Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë për Shefi i Njësisë së Hetimeve dhe Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës, Safet Krasniqi.

Kjo aktakuzë është ngritur pas hetimeve të nisura bazuar në rrëfimin e sinjalizuesit, Murat Mehmetit në emisionin Jeta në Kosovë. Mehmeti, zyrtar hetues në ATK, kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë të miliona eurove.

Emërimi i zyrtarëve për për mbrojtjen e sinjalizuesve është obligim që del nga Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

“Punëdhënësi publik i cili ka më shumë se pesëmbëdhjetë (15) të punësuar, dhe punëdhënësi privat, i cili ka më shumë se pesëdhjetë (50) të punësuar janë të obliguar të caktojnë zyrtarin”, thuhet në ligj.

Zyrtari për mbrojtjen e sinjalizuesve, duhet të veproj me ndershmëri, paanshmëri, të ruaj konfidencialitetin, të veproj i pavarur ndaj qëndrimeve politike, të shmangë çdo lloj konflikti potencial të interesit, të ndërmerr të gjitha masat e duhura për të mbrojtur dokumentacionin.

Edhe në Komisionin e Pavarur për Media (KPM), zyrtarë për mbrojtjen e sinjalizuesve është emëruar një person i afërt me PDK-në.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju informojmë se është caktuar zyrtari/ja përgjegjëse për mbrojtjen e sinjalizuesve znj. Ardiana Sejdiu Musmurati, me datën 12 qershor 2019”, thuhet në përgjigjen e KPM-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me Ardiana Sejdiu Musmurati, e cila e ka konfirmuar lidhjen familjare me ish-sekretarit të përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati.

Ajo ka thënë se është reja (gruaja e djalit) e Basri Musmuratit.

Ajo do t’i mbrojë sinjalizuesit, personat të cilët “raportojnë ose shpalos informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin publik ose privat”.

Edhe në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, zyrtarë për sinjalizim është emëruar Novitet Nezaj.

Lajmin për emërimin në këtë pozitë e ka konfirmuar vet Nezaj, duke treguar që më 25 mars të vitit 2019 ka marrë këtë pozitë.

Nezaj ishte kandidat për deputet të Kuvendi të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e 6 tetorit.

Flutura Kusari, juriste e specializuar në fushën e mediave, thotë se emërimi i “njerëzve të politikës” është dështim të zbatimit të ligjit dhe lulëzim të korrupsionit.

“Çdo veprim i tyre që i bënë ata të duken të varur politikisht do të nënkuptonte dështimin e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve”, tha ajo për KALLXO.com.

Ajo tha se emërimi i personave politik si ‘mbrojtës të sinjalizuesve’ është sinjal që ligji nuk do të zbatohet dhe do të ketë rrezikim të mbrojtjes së sinjalizuesve.

“Zbatimi i Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve është çështje e vullnetit politik, pra deri më tani PDK dhe partitë e tjera në pushtet nuk kanë treguar vullnet në zbatimin e këtij ligji. I takon LVV dhe LDK që të tregoj vullnet që ky ligj me u zbatu. Sinjalizimi është një prej metodave më efikase e luftimit të korrupsionit, pra mbrojtja e tyre është me rëndësi , nëse dështon mbrojtja nënkupton që qeverisa aktuale nuk ka vullnet me luftu korrupsionin”, theksoi Kusari.

AKK ‘fsheh’ emrat, shoqëria civile kërkon transparencë

Lista e sinjalizuesve të propozuar nga institucionet e Kosovës është në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Por, kjo Agjenci po refuzon ta bëjë publike këtë listë.

Drejtori i Agjencisë Kundër korrupsion (AKK), Shaip Havolli ka thënë për KALLXO.com nuk kanë të drejtë të publikojnë emrat e zyrtarëve për mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Lista e zyrtarëve nuk është publike sepse ne si Agjenci nuk kemi të drejtë me bo publike atë listë. Sepse kemi emra të zyrtarëve të cilët janë të nominuar nga Institucionet, dhe atë listë ja kemi sqaruar edhe OJQ-ve që ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë publike sepse kemi të bëjmë me persona që janë sinjalizues brenda institucioneve”, ka thënë Havolli.

Havolli ka thënë që janë duke pritur hartimin e rregullores për funksionimin e sinjalizuesve për të marrë vendim nëse mund t’i publikojnë ose jo këta emra.

“Institucioni ka të drejtë me bo publik, ne nuk mundemi me ja ndalu. Ende nuk është hartu rregullorja e punës e funksionimit të personave kontaktues dhe sinjalizuesve që është gati me u finalizu brenda këtij muaji, atëherë ato do të përcaktohen”, tha tutje Havolli.

Flutura Kusarin thotë se emrat e zyrtarëve përgjegjës duhet të jenë publik, dhe mbajtja “fshehët” e tyre ngjallë dyshime në procesin e deritanishëm.

“Është përgjegjësi e ministrisë së Drejtësisë dhe e AKK-së që të  emrat e zyrtarëve që do  të merren me trajtimin e sinjalizimeve të bëhen publik. Fakti që deri më tani AKK i ka mbajtur të fshehura prej publikut ngjallë dyshime që emrat e caktuar deri më tani nuk janë persona të pavarur”, tha  ajo.

Yllka Buzhala, hulumtuese në Lëvizjen Fol në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që zyrtarët për mbrojtjen e sinjalizuesve duhet me qenë me integritet moral, profesional, të pavarur politikisht.

Buzhala ka thënë se gjatë punës në terren ka vërejtur se zyrtarët përgjegjës të emëruar në disa institucione dhe komuna, nuk kanë informacione për pozitën në të cilën janë emëruar.

“Kemi vërejtur që ka pasur në një institucion të caktuar, zyrtarë përgjegjës është emëruar zyrtari i IT ose zyrtar përgjegjës në një komunë të caktuar ka qenë zyrtari i kadastrit. Është shumë e rëndësishme që këta persona me qenë jurista apo që merren me resurse njerëzore, pra që kanë njohuri për specifikat e institucionit që punojnë. Për ne ka qenë shqetësues backroundi, madje këta persona as nuk kanë qenë të informuar me ligjet apo me sinjalizimin si koncept”, tha ajo.

Sipas saj nga institucionet është vërejtur një tendencë ‘vetëm e kanë përmbush një obligim ligjor, ndërsa për mënyrën sesi zyrtari përgjegjës do ti kryej detyrat nuk janë mërzitur shumë’.

Buzhala ka thënë që Agjencia Kundër korrupsion i ka mbajtur të ‘fshehta’ të dhënat sesa zyrtarë janë emëruar dhe kush është emëruar.

“Ne kemi kërkuar qasje për informata zyrtare prej Agjencisë Kundër korrupsion me na dhënë një listë me të gjitha institucionet që kanë emëruar zyrtarin përgjegjës, mirëpo nuk kanë dhënë këtë informatë me arsyetimin që ende janë duke u emëruar”, tha ajo.