Persona të afërt me parti politike emërohen në pozitë të zyrtarëve për sinjalizim
Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve, i cili shërben si mjet shtesë për luftimin e dukurive korruptive.
Por, ky Ligj dhe rregullorja e cila përcakton procedurën e trajtimit të rasteve të sinjalizimit, nuk e ka sqaruar qartë se kush mund të emërohet në pozitën e zyrtarit për sinjalizim.
Në Postën e Kosovës së fundmi zyrtar për sinjalizim është caktuar Visar Jonuzi, i cili kishte qenë financues i partisë në pushtet, pra Vetëvendosjes.
Labinot Leposhtica, udhëheqës i Zyrës Ligjore të Kallxo.com ka thënë se në këtë Ligj është lënë një liri shumë e madhe për të caktuar në këtë pozitë këdo që institucioni dëshiron, pa u përcaktuar kriteret kualifikuese të kësaj pozite.
“Në Ligj dhe rregullore thuhet vetëm se personi përgjegjës për sinjalizim duhet të ketë integritet, por nëse lihet si e tillë është abstrakte, e pazbatueshme dhe është tërësisht në diskrecionin e institucionit dhe udhëheqësit të atij institucioni” – ka thënë Leposhtica.
Sipas Leposhticës, personi në pozitën e sinjalizuesit duhet të përfaqësojë besim dhe integritet pasi që, sipas tij, procesit të sinjalizimit i jepet kahje të mbrapshtë apo të mbarë varësisht nga zyrtari për sinjalizim.
Ndryshe KALLXO.com, gjatë javës së kaluar kishte raportuar se Visar Jonuzi është caktuar zyrtar përgjegjës për trajtim të rasteve të konfliktit të interesit në ndërmarrjen publike Posta e Kosovës.
Jonuzit, i cili mban pozitën e koordinatorit për paga dhe benefite në këtë ndërmarrje, i është caktuar edhe kjo përgjegjësi e re nga kryeshefja e Postës së Kosovës, Nora Raci.
Në po të njëjtin vendim theksohet edhe fakti se i njëjti do t’i zbatojë dispozitat ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, evidentimin e sinjalizimit dhe krijimin e regjistrit për ta.
Gjithashtu, Jonuzi, sipas vendimit, me marrjen e sinjalizimit fillon më pas procedurat e brendshme të hetimit administrativ, vlerësimit dhe pretendimet e tjera të ngritura në rast.
KALLXO.com ka gjetur se emri i Visar Jonuzit figuron 12 herë si donator i Vetëvendosjes në raportet financiare të kësaj partie për vitin 2021.
Në pushtetet e kaluara Kallxo.com kishte raportuar se si zyrtarët për sinjalizim kishin qenë të afërt me PDK-në.
Hulumtimi i KALLXO.com i botuar në mars 2020 identifikoi 3 raste të tilla. Vëllai i Latif Gashit, deputetit të PDK-së ishte emëruar sinjalizues në Administratën Tatimore të Kosovës.
Në Komisionin e Pavarur për Media, zyrtar për sinjalizim ishte caktuar Ardiana Sejdiu Musmurati, e reja e Basri Musmuratit, sekretar i PDK-së. Si dhe, në Ministrinë e Integrimeve Evropiane zyrtar për sinjalizim ishte emëruar Novitet Nezaj, ish-kandidat i PDK-së për deputet.