Leposhtica: Sinjalizuesit kanë cilësi të heronjve e rruga e heronjve nuk është asnjëherë e lehtë

Burim Azemi, avokat nga Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” shpjegon historinë e rastit të Fadil B. Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së Punëtorëve në RTK-së për të cilin ai tregon që ka bërë propozimin për masë të sigurisë krahas padisë për të mbrojtur sinjalizuesin në këtë rast.

“Historia procedurale ose tërësisht historia e këtij rasti është goxha e gjatë sepse paditësi në këtë rast është sinjalizues shumë i suksesshëm, i cili ka mbrojtur në masë të konsiderueshme interesin publik ose të vendit të tij ku punon”  -tha Azemi.

Azemi shpjegon që ngjarja ka filluar në vitin 2022, kur është ndërruar menaxhmenti i (RTK-së).

“Paditësi ka përdorur sinjalizimin dhe drejtorin gjeneral e ka sinjalizuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare tek Agjencia Kundër Korrupsionit, e cila më pas kishte dalë me një njoftim se kjo tejkalon kompetencat e saj dhe rasti tash është marrë të shqyrtohet nga Prokuroria Speciale. Aty paditësi ka bërë deklarim (si dëshmitar)” – shpjegoi Azemi.

Burim Azemi shpjegoi edhe konfrontimet e tjera që Hoxha i kishte pasur me menaxhmentin.

“Sinjalizuesi (Hoxha) kishte kërkuar qasje në dokumente publike. Të njëjtit i është refuzuar kjo kërkesë nga ana e të paditurës (RTK). Rasti ka kaluar tek Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila i ka dhënë sinjalizuesit të drejtën për të pasur qasje në dokumente publike. E rëndësishmja është dokumentet që ai i ka kërkuar: Ai ka kërkuar dokumente sepse ka pasur pretendime se drejtori ka kërkuar pushim pa pagesë për një vit … që të shkojë të punojë te një medie konkurrente. D.m.th. ka qenë goxha një rast, për një vit pushim pa pagesë, nëse është e vërtetë që ka punuar për një medie konkurrente është sinjalizim goxha i suksesshëm edhe mbron interesin publik dhe të kompanisë që punon” – tha Azemi.

Labinot Leposhtica, juristi nga Zyra Ligjore e BIRN-it, e shpjegoi rëndësinë publike të këtij sinjalizuesi.

“Këtu duhet me pasë parasysh një element shumë të rëndësishëm që ky i ka dy cilësi, në njërën anë (Hoxha) udhëheq Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së, pra e përforcon pozicionin e tij. Në njëfarë forme atij i imponohet me reagu ndaj krejt keqbërjeve ndaj të cilave ai është dëshmitar dhe që ai i evidenton brenda punës së tij në RTK” – tha Leposhtica.

“Kur e shohim mënyrën se si ai ka vepruar, ka alarmuar në krejt zinxhirin institucional dhe ky alarmim secilën herë atij i është kthyer në veprime denigruese, dëmtuese siç është edhe degradimi i tij në pozitë që e evidenton për 5 pozita më ulët, konsideroj që kjo e bën shumë shqetësuese këtë rast. Me këtë degradim të pozitës ky rrezikon humbjen e vendit të punës sepse është degraduar në një pozicion për të cilin nuk është i kualifikuar” – vazhdoi Leposhtica.

Më tutje Leposhtica alarmoi për rrezikun që paraqitet.

“Nuk do të çuditesha aspak nëse (Hoxhës) në vlerësimin e performancës eventuale në të ardhmen t’i evidentohet se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij” – thotë Leposhtica.

Labinot Leposhtica shtoi se “procedura e degradimit besoj që është bërë me arsyetime tejet banale për arsye se ka reaguar publikisht në emër të Sindikatës, realisht ka reaguar kryesia e Sindikatës e pasojën e reagimit për një keqbërje e ka marrë për barrë krejt një person i vetëm që as si kryetar i Sindikatës e as si sinjalizues nuk do të duhej ta kishte”.

“Konsideroj që sinjalizuesit e sotëm edhe këta që i përmendëm (në debat) kanë cilësi të heronjve, e rruga e heronjve asnjëherë nuk është e lehtë. Me e nisë këtë rrugë në Kosovë duhet tejet guxim, tejet idealizëm” – shtoi Leposhtica.

Burim Azemi e shpjegoi se si trendi i menaxhmentit ndaj Hoxhës kishte qenë penalizues, hakmarrës e me standarde të dyfishta edhe para se të ndodhte degradimi.

Dëshmi për këtë Azemi e përmendi rastin kur Hoxha kishte marrë “vërejtje të fundit” në mes të vitit 2022 për shkak se kishte ndarë një lajm të Kallxo.com në profilin e tij të facebook.

Lajmi në fjalë kishte të bënte me BQK-në dhe një punëtore të përjashtuar padrejtësisht nga BQK pikërisht pse kishte ekspozuar shkeljet që ishin bërë në BQK nga menaxhmenti.

Azemi e shpjegoi që kjo ishte absurde ngase vetë drejtori i RTK-së që kishte bërë këtë vërejtje të fundit kishte artikull të botuar në Kallxo.com dhe anëtarët e bordit të RTK-së kishin shpërndarë edhe ata artikuj të Kallxo.com por edhe të mediave të tjera.

Me këtë rast, asnjëri prej tyre s’kishte marrë vërejtje të fundit për materialin e Kallxo.com të shpërndarë në rrjetin Facebook apo që kishin publikuar artikuj në këtë portal.