Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Pas 3 viteve fillon shqyrtimi i padisë për pretendimet e sinjalizuesve 

 

Majin e këtij viti janë bërë 3 vite prej kur Alban Pozhegu ka bërë padi për kthimin në vendin e tij të punës.

Pozhegu ka paditur shtetin siç pretendon ai se është larguar nga puna pa të drejtë kur po punonte si zyrtar i prokurimit në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Sot Gjykata Themelore e Prishtinës e ka mbajtur seancën e parë gjyqësore lidhur me ketë rast. Ish zyrtari i prokurimit në Fondin për Sigurime Shëndetësore, kërkon nga shteti kthimin në vendin e tij të punës dhe kompensimin e pagave duke shtuar këtu edhe kamatën ligjore. Ai gjithashtu me padi kërkon që t`i kompensohet edhe dëmi material dhe shpirtëror.

Avokati i Alban Pozhegut, Korab Sejdiu, ka kërkuar nga gjykata aprovimin e padisë së klientit të tij.

“Rasti në fjalë ka të bëjë me largimin nga puna të një sinjalizuesi të veprave potencialisht penale të drejtorit të të paditurit, i cili pastaj si rezultat ka filluar me hakmarrjen ndaj paditësit duke e larguar atë nga puna. Këtë e ka bërë në kundërshtim me të drejtën e paditësit sipas së drejtës së punës, por edhe duke cenuar ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve (paraprakisht, ligjin për mbrojtjen e informatorëve)”, tha Sejdiu.

Gjithashtu avokati i Pozhegut, Korab Sejdiu ka kërkuar nga gjykata që të bëhet bashkimi i lëndëve që Pozhegu i ka në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Përveç largimit që është objekt shqyrtimi në këtë lëndë, pas detyrimit të të paditurit për kthim të paditësit në vendin e punës nga Inspektorati i Punës, i padituri sërish i hakmerret paditësit duke e larguar sërish nga puna, largim që është objekt shqyrtimi në një rast tjetër. Bazuar në nenin 255 LPK-së kërkojmë bashkimin e këtyre dy lëndëve për arsye se baza faktike dhe juridike janë të njëjta dhe përbëjnë një tërësi rrethanash. Bashkimi ndihmon gjykatën për të kuptuar thellësisht kundërligjshmërinë e vazhdueshme të veprimeve të të paditurit ndaj paditësit”, theksoi Sejdiu.

Ne anën tjetër Nexhmije Karaqi nga avokatura shtetërore e Kosovës e ka kundërshtuar në tërësi padinë e Pozhegut.

“E kundërshtojmë në tërësi padinë ashtu qysh e kemi cekur edhe në kundërpadi pasi që vendimi për largim nga puna është marr duke u bazuar në vendimin për largim duke u bazuar në performancë të dobët në punë”, tha Karaqi.

Alban Pozhegu pretendoi sot në seancë se vendimet për largimin e tij kanë ardhur pasi ai ka sinjalizuar lidhjen e kontratave të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Gjyqtarja e rastit Naime Ahmeti seancën e radhës e ka caktuar për datën 2 nëntor të këtij viti. Ahmeti theksoi se deri atëherë do i analizoi shkresat e lëndës dhe të vendos për bashkimin ose jo të dy padive qe Pozhegu ja ka bërë Fondit për Sigurime Shëndetësore.