Vetëm 80 nga 180 institucione publike e kanë emëruar zyrtarin për sinjalizim

Të gjithë punëtorët e institucioneve publike të Kosovës kanë të drejtë ta dinë se kush është zyrtar për sinjalizim në atë institucion ku punojnë.

Është obligim i udhëheqësit të secilit institucion t’i informojë punëtorët se kush është zyrtari për sinjalizim por në Kosovë shumica e institucioneve publike hezitojnë ta informojnë punëtorin se kush është ky zyrtar, por hezitojnë madje edhe ta caktojnë këtë zyrtar.

Caktimi i zyrtarit përgjegjës për sinjalizim është fillimi i zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Agjencia Kundër Korrupsionit e ka për detyrë monitorimin e këtij Ligji e në të cilin janë deponuar edhe sinjalizime të jashtme.

Blerim Kelmendi, drejtori i Departamentit të Hetimeve në AKK, ka thënë se në vitin 2020 janë iniciuar 23 kundërvajtje ndaj udhëheqësve të institucioneve publike për moscaktimin e zyrtarit përgjegjës për sinjalizim.

“Është dukuri që punonjësit e institucioneve publike nuk e dinë kush është zyrtari përgjegjës për sinjalizim. Në të kaluarën vetëm përcaktimi i këtij zyrtari ka qenë një hap shumë i rëndësishëm në vazhdimin e respektimit të këtij ligji, megjithëkëtë edhe pas kaq vitesh ende përballemi me këtë dukuri” – ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, secili drejtues i institucioneve e di që duhet të caktohet zyrtari përgjegjës.

“Ne i kemi informuar me anë të e-mailit që këto institucione duhet të njoftojnë stafin për zyrtarin përgjegjës për sinjalizim duke e publikuar në ueb-faqe” – ka shtuar më tej Kelmendi.

Agjencia Kundër Korrupsionit e konfirmoi për Kallxo.com që institucionet për të cilat u fol në debat kanë caktuar zyrtar për sinjalizim.

Në RTK ky zyrtar është Bekim Shehu ndërsa në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është Petrit Bruqi.

Ndryshe në vitin 2019, në AKK kanë qenë vetëm 3 raste të sinjalizuesve të jashtëm, ndërsa në krejt sektorin publik kanë qenë vetëm 2 raste.

Më 2020 kanë qenë 10 raste në AKK ndërsa në sektorin publik 136 raste, shkelje këto të çfarëdo rasti.

E në vitin 2021, janë vetëm 9 raste të sinjalizuesve të jashtëm, ndërsa në gjithë sektorin publik, 37 raste.

Kurse në vitin 2022, janë 14 raste dhe 99 në sektorin publik.

Kallxo.com ka mbi 500 raste të lajmëruara nga sinjalizuesit brenda institucioneve të Kosovës prej 2019 (kur ka hyrë ligji në fuqi) e deri më tash.