Avokati: Shkëndije Himaj Zekaj u largua nga puna në BQK pa iu dhënë mundësia ta mbrojë veten

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e Mehmetit për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.  Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë një muaj më parë.

Ndërprerjes së kontratës për Shkëndije Himaj Zekaj i kishte paraprirë një proces disiplinor brenda BQK-së në muajin mars, për të cilin Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese i ishte refuzuar monitorimi nga Banka Qendrore e Kosovës.

Aleksander Borg-Olivier, avokati i Shkëndije Himaj Zekaj, ka thënë se Komisioni Disipilnor i cili ishte themeluar për çështjen e Himaj Zekaj asnjëherë nuk kishte mbajtur ndonjë seancë dëgjimore në lidhje me rastin.

Pra sipas avokatit, Himaj – Zekajt asnjëherë nuk i është dhënë mundësia për të mbrojtur veten për shkeljet e pretenduara që i ngarkohen asaj. Fakti që asaj nuk i është dhënë mundësia që të mbrojë veten është ngritur edhe nga kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurbonja.

“Komisioni Disiplinor i cili është themeluar me vendimin Nr.29/2022 të datës 12.04.2022, asnjëherë nuk ka nxjerrë vendim për rastin e znj. Himaj. Në fakt, nuk është mbajtur as seancë dëgjimore, ku do të administroheshin provat e propozuara nga palët (BQK-ja dhe znj. Himaj)”, tha avokati, Borg-Olivier për KALLXO.com.

Ndërsa në një përgjigje për KALLXO.com, guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, ka thënë se të gjitha procedurat janë zhvilluar nga Komisioni Disiplinor në përputhje me ligjet në fuqi dhe rregulloret e BQK-së.

“Vendimet për masa disiplinore janë ndërmarr komfor Raporteve për Vlerësimin e Performancës; Marrëdhënia e punës nuk është ndërprerë gjatë periudhës së pushimit të aprovuar mjekësor”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit.

Në vendimin e guvernatorit Fehmi Mehmeti thuhet se Himaj-Zekaj ka qenë në pushim mjekësor deri më 5 korrik 2022, pra gjithsej 14 ditë pushim mjekësor. Por, në dokumentin për mbylljen e pushimit mjekësor që e ka dërguar Himaj-Zekaj thuhet se data e mbylljes së pushimit është më 6 korrik, pra kishte gjithsej 15 ditë pushim mjekësor.

Avokati, Aleksander Borg-Oliver thekson se Guvernatori, Fehmi Mehmeti në asnjë rrethanë nuk duhet të nxirrte ndonjë vendim për ndërprerjen e marrëdhëniës së punës për Shkëndije Himaj Zekaj përdërisa tashmë vec se ishte themeluar një komision disiplinor për këtë cështje. Ai për KALLXO.com tha se një vendim i tillë bie ndësh me dispozitat e Ligjit të Punës.

“Pasi që ishte themeluar Komisioni Disiplinor në rastin e znj. Himaj, Guvernatori në asnjë rrethanë nuk kishte të drejtë të ndërhynte në kompetencat dhe autorizimet e një organi të pavarur (Komisionit
Disiplinor) dhe të nxirrte vendim për ndërprerjen e marrëdhënies së punës të znj. Himaj, ngase një veprim i tillë bie ndesh me dispozitat e Ligjit të Punës dhe me dispozitat e Politikës për Marrëdhënie Pune në BQK dhe për më tepër, është e ndëshkueshme edhe me dispozitat e neneve 218 dhe 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e avokatit.

Për më tepër, BQK-ja nuk e kishte pranuar mbrojtësin e Shkëndije Himaj Zekaj me arsyetimin se i njëjti nuk ka paraqitur dëshmi që është i regjistruar si përfaqësues ligjor në Kosovë.

Ndërsa Ligji i Procedurës Kontestimore, i cili e rregullon procedurën gjyqësore ka përcaktuar se palët përpos përfaqësimit nga avokati kanë të drejtë të përfaqësohen edhe nga personat që ata i autorizojnë.

Ky përfaqësim bëhet kur palët e autorizojnë personin fizik që t’i përfaqësojë para gjykatës. Kushti i vetëm që duhet të plotësohet është që personi të jetë i aftë për të vepruar.

“Palët mund të kryejnë veprime në procedurë personalisht ose me anë të përfaqësuesit me prokurë (autorizim), por gjykata mund ta ftojë palën që ka përfaqësues që në gjykatë personalisht të deklarohet për faktet që duhet vërtetuar në procedurën konkrete”, thuhet në këtë nen.

Mirëpo edhe pse personat që nuk janë avokat kanë të drejtë të përfaqësojnë në çështje civile, roli i tyre në procedurë është më i kufizuar.Kjo pasi neni 91 i Ligjit të Procedurës Kontestimore ka përcaktuar se përfaqësuesit jo avokat i nevojitet çdo herë autorizim shprehimor për tërheqje të padisë, pranim të padisë, lidhje të pajtimit gjyqësor dhe tërheqjen e ankesës.

“Në qoftë se pala në prokurë nuk ia ka caktuar me hollësisht autorizimet përfaqësuesit, përfaqësuesi që nuk është avokat mundet në bazë të prokurës së tillë, t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale, por gjithmonë i nevojitet autorizim shprehimor për tërheqjen e padisë, për pohimin e kërkesëpadisë apo për heqjen dorë nga ajo, për lidhjen e pajtimit gjyqësor, për heqjen dorë nga e drejta e paraqitjes së mjetit të goditjes së vendimit, apo për tërheqjen e tij dhe për kalimin e prokurës një personi tjetër, si dhe për paraqitjen e mjeteve të jashtëzakonshme të goditjes se vendimeve”, thuhet në këtë nen.

Por, tutje në vendim, thuhet se Guvernatori i BQK-së ka kërkuar nga avokati Borg- Olivier që të dorëzojë në BQK dëshmi se i njëjti është i pajisur me licencë profesionale për vazhduar përfaqësimin ligjore të Himaj-Zekaj.

“Më datë 30.05.2022, Guvernatori i është drejtuar (përmes e-mail-it) z. Alexander Borg Olivier përfaqësues ligjor i znj. Himaj Zekaj, nga i cili ka kërkuar që në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të ofrojë një dokument/dëshmi se është i pajisur në licencën profesionale në bazë të kërkesave ligjore (licencë të lëshuar nga institucionet kompetente të Kosovës), për të vazhduar me tutje komunikimet dhe përfaqesimet nga ana juaj në këtë procedurë”, thuhet në vendimin e guvernatorit.

Tutje, Aleksander Borg-Olivier ka vazhduar më dërgu shkresa në emër të Shkëndije Himaj Zekaj, duke përfshirë kërkesën për pushim shtesë mjekësor.Ndërsa, në vendim është cituar një email i Sokol Havollit, U.D Guvernator në BQK pasi Mehmeti ishte në pushim mjekësor, në të cilën thuhet se kërkesat e dërguara nga përfaqësuesi ligjor konsiderohen të refuzuara.

BQK-ja largon nga puna kundërkandidaten e Fehmi Mehmetit për Guvernator