Pasuria e Kryepolicëve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe shtatë kryepolicët e komunave kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsion. Në këtë proces ata kanë treguar se paga e tyre kalon mbi 10 mijë euro brenda një viti. E ajo që bie në sy është edhe detyrimi financiar që kanë këta kryepolicë.

Në familjen e drejtorit të përgjithshëm Shpend Maxhuni kredia apo detyrimi financiar është 26 mijë euro,  ndërsa te ushtruesi i detyrës së drejtorit të PK-së për Rajonin e Prishtinës, Rexhep Sijarina është 22 mijë euro. Përveç kredive, kryepolici Sijarina përdor edhe “Starcard”.

Në kredi është edhe Shaban Shala drejtor nga  rajoni i Pejës me 5 mijë e 900 euro,  Gazmend Hoxha nga rajoni i Ferizajt me 30 mijë euro si dhe Nenad Djuric nga veriu i Mitrovicës me 12 mijë e 500 euro. Ky i fundit përveç pagës së tij vjetore dhe borxhit për kredi, nuk ka dhënë detaje të tjera mbi pasurinë që posedon.

Pavarësisht se rroga e tyre vjetore është mbi 10 mijë euro, drejtorët ndihmohen nga familjarët e tyre që jetojnë në botën e jashtme.  U.d i drejtorit të PK-së për Rajonin e Prishtinës Rexhep Sijarina ka deklaruar se merr remitanca nga vajza e tij në Zvicër në vlerë prej 2 mijë eurosh në vit. E të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe drejtori i PK-së në Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili nga vëllezërit e tij në Gjermani ka marrë remitanca prej 4 mijë eurosh.

Pasuria e Shpend Maxhunit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka deklaruar se ka dy banesa- njërën 34 metra katrorë dhe tjetrën 106 metra katrorë. Ai i ka deklaruar këto prona si të  përbashkëta familjare, e të cilat arrijnë vlerën prej 107 mijë euro. 

Përveç kësaj, Maxhuni ka deklaruar pasuri të përbashkët edhe tokën prej 70 arësh, e cila arrin vlerën prej 70 mijë eurosh. Maxhuni paguhet 1.587 euro brenda një muaji që i bie se merr 19 mijë e 44 euro në vit.

E pagë te mirë ka edhe bashkëshortja e tij, e cila punon në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Sipas deklarimit ajo në vit merr 17 mijë e 76 euro. Kjo e fundit sipas deklarimit në AKK ka detyrim financiar prej 26 mijë eurosh për blerjen e banesës. 

Maxhuni në raport ka deklaruar se ka të deponuara në bankë një shumë prej 5.564 eurove.

Në kuadër të Policisë së Kosovës janë edhe drejtorët rajonalë të cilët janë përgjegjës për rajonet e përbëra me komuna të caktuara. Po ashtu ata kanë përgjegjësi për stacionet lokale dhe nënstacionet policore brenda një zone. 

Drejtori i Rajonit të Prishtinës

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Rexhep Sijarina, ka deklaruar se ka shtëpi prej 220 metra katrorë në vlerë prej 150 mijë eurosh dhe oborr prej 350 metrash katrorë, në vlerë prej 70 mijë eurosh që është pronë e përbashkët familjare. Në AKK, Sijarina ka deklaruar se posedon veturë në vlerë prej 5 mijë eurosh si pronë të përbashkët dhe para të gatshme nga kursimet prej 6.500 eurosh. Por Sijarina përveç pasurisë, ka edhe detyrime financiare prej 22 mijë eurove. Madje në AKK ai ka deklaruar se përdor edhe shërbimin “Starcard” të Bankës TEB.

Paga vjetore sipas deklarimit i arrin deri në 11.365 euro, ndërsa shtesa për rrezikshmëri ka vlerën prej 1.260 eurove në vit. Sijarina përveç pagesës nga Policia e Kosovës, merr të holla edhe nga IPKO për qira në vlerë prej 3.600 eurove.  

Ndërsa bashkëshortja e tij merret me punë artizanale ku brenda një viti merr 1 mijë euro. Në deklarim të pasurisë, Sijarina ka potencuar se familja e tij merr remitanca nga vajza në Zvicër në vlerë prej 2 mijë eurosh në vit.

Kryepolici i Pejës 

E kolegu i tij Shaban Shala që vjen nga rajoni i Pejës ka pasuri një banesë të përbashkët prej 64 metrash katrorë që ka vlerë prej 27 mijë euro, truall prej 8.36 hektarë të trashëguar nga prindërit në vlerë prej 16 mijë eurove, si dhe 27 hektarë tokë bujqësore në vlerë prej 20 mijë eurosh që është pronë e përbashkët me vëllezërit.

Ndërsa si pasuri të luajtshme, Shala ka një veturë të tipit “Pasat” e që arrin vlerën prej 6 mijë eurosh, e që në deklarim thuhet se është pronë e përbashkët familjare. Pos këtyre Shala ka edhe detyrime financiare në tri banka të Kosovës. Vlera e kësaj kredie arrin në 5.900 euro. Paga vjetore për punën që ai bën si drejtor i Policisë së Kosovës në Rajonin e Pejës arrin në 911 euro brenda një muaji që i bie se brenda vitit merr 10 mijë e 932 euro, ndërsa bashkëshortja e tij punon në Ministrinë e Arsimit dhe ka pagë  prej 356 eurosh që i bie se brenda një viti merr pagë prej 4 mijë e 272 eurove.

Drejtori i Rajonit të Prizrenit

E Nexhmi Krasniqi, drejtor i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit, ka banesë në vlerë prej 30 mijë eurosh dhe tokë të trashëguar në vlerë prej 480 mijë eurosh. Krasniqi ka deklaruar në AKK se ka para të gatshme prej 5 mijë e 447 eurove. Në këtë deklarim ai tregon se ka veturë në emër të bashkëshortes në vlerë prej 7.500 eurosh. Paga vjetore e Krasniqit është 12.616 euro, ndërsa bashkëshortja e tij e cila punon në kompaninë “INSIG”, merr pagë vjetore prej 9.432 eurove. Si të hyrë vjetore Krasniqi ka deklaruar edhe remitancat nga vëllezërit e tij që janë në Gjermani e që arrijnë shumën prej 4 mijë eurove.

Pasuria e Kryepolicit të Gjilanit

Ndërsa e vetmja femër e cila mban pozitën e drejtoreshës së Policisë së Kosovës është Elmina Mahmuti nga Gjilani. Nga pasuria e saj dhe e bashkëshortit shihet se ajo ua kalon të gjithë kolegëve të saj. Në deklarim të pasurisë ajo ka cekur se ka banesë 64 metra katrorë në vlerë prej 20 mijë euro, pastaj banesë 79 metra katrorë pronë e bashkëshortit në vlerë prej 80 mijë euro, truall prej 3 arësh në vlerë prej 10 mijë euro dhe veturë e cila është pronë e përbashkët në vlerë prej 6 mijë euro. 

Elmina ka treguar se bashkëshorti i saj ka para të gatshme prej 36 mijë eurove, ndërsa ajo vetë ka 2 mijë euro. Por para të gatshme kanë edhe fëmijët e saj në vlerë prej 2.500 eurosh. Përderisa ajo mban vetëm pozitën e drejtoreshës së Policisë së Kosovës për Gjilan paguhet 921 euro brenda një muaji që i bie 11 mijë e 52 euro në vit, ndërsa bashkëshorti i saj është në marrëdhënie punë në pesë vende si në Spitalin Regjional ku paguhet 600 euro, në Agjencinë e Sigurimeve “Kosova e Re” (780 euro), “Graves Elsig” (850 euro),  “Heni Medica” (6 mijë euro), Instituti për Studime “Pjetër Budi” (200 euro).

Drejtori i Rajonit të Ferizajt

Pasurinë e ka deklaruar edhe Drejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Gazmend Hoxha. Ai ka një banesë në vlerë prej 55 mijë eurove, e për të cilën thotë se e ka blerë nga kursimet dhe kredia. Në AKK, Hoxha ka deklaruar se ka edhe pasuri të përbashkët një shtëpi prej 200 metrash katrorë që arrin shumën prej 35 mijë eurove dhe tokë e mal prej 3 hektarësh në vlerë prej 200 mijë eurosh. 

Hoxha dhe bashkëshortja e tij kanë detyrim financiar prej 30 mijë eurove së bashku. Drejtori Hoxha merr pagë vjetore 11 mijë e 40 euro, ndërsa bashkëshortja e tij e cila po ashtu punon në Policinë e Kosovës merr pagë vjetore 5.160 euro. Përveç punës në Polici, Hoxha është edhe kryetar i klubit të volejbollit “Luboteni”. Ai ka deklaruar se ka veturë në vlerë prej 6.500 eurove,  e blerë nga kursimet dhe kredia.

Pasuria e Drejtorëve të Policisë në Mitrovicë 

E për dallim nga komunat si Prishtina, Peja, Prizreni, Gjilani, Ferizaj, komuna e Mitrovicës ka dy drejtorë rajonalë të policisë. Nehat Thaçi, i cili udhëheq policinë e jugut ka deklaruar se ka banesë në vlerë prej 65 mijë eurosh, truall prej 2 mijë e 500 eurove, si pronë të përbashkët: shtëpi në vlerë prej 100 mijë eurove, truall prej 170 mijë eurove, tokë bujqësore prej 10 mijë eurove dhe banesë prej 19 mijë eurove. Në AKK , Thaçi ka deklaruar se ka veturë në vlerë prej 5 mijë eurove, ndërsa paga e tij është 1 mijë euro.

E për dallim nga Thaçi, homologu i tij nga Mitrovica Veriore, Nenad Gjuriq nuk ka deklaruar në AKK pronat e tij. I vetmi deklarim është se ai ka kredi në bankë në vlerë prej 12.500 eurove si dhe pagën e tij prej 912 eurove në muaj që i bie se për punën e tij paguhet 10 mijë e 944 euro.

Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët e lartë të shtetit, klasifikohet si vepër penale. Agjencia Kundër Korrupsion është e obliguar që ndaj të gjithë zyrtarëve të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë e të gjitha kategorive pa ndonjë arsye, të bëjë kallëzim penal konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës.