Ministria e Kulturës heq dorë nga lokacioni për ndërtimin e objektit të Operës te Fakulteti Teknik

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hequr dorë përfundimisht nga lokacioni që e kërkonte me ngulm para 15 vitesh për ndërtimin e objektit të Operës.

Muaj më parë zyrtarë të MKRS-së patën deklaruar për KALLXO.com se Ministria posedon të gjitha dokumentet nga kadastra lidhur me pronën.

Heqja dorë nga lokacioni është marrë pak kohë para se Kuvendi të themelojë Operën e Kosovës.

Duke arsyetuar heqjen dorë nga lokacioni, zyrtarë të MKRS kanë thënë për KALLXO.com se lokacioni që ka qenë i menduar fillimisht, afër Fakultetit Teknik, është vlerësuar si i papërshtatshëm për nevojat e Teatrit të Operas.

“Për më tepër, në atë lokacion parashihet ndërtimi i Fakultetit të Shkencave të Matematikës dhe Natyrës me fondet e BE-së. Për të mos i rrezikuar këto fonde dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të Fakultetit në fjalë ne jemi pajtuar që të kërkojmë një lokacion të ri për ndërtimin e TOB, (Teatrit të Operas dhe Baletit)”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të MKRS-së, Hajrulla Çeku.

Sipas saj, lokacionin për ndërtimin e objektit të TOB-së do të caktohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Po ashtu, shton më tej Fetiu, do të bëhet thirrja për dizajn dhe sigurimi i fondeve për ndërtimin e objektit.

“Por, derisa të bëhet ndërtesa, nuk kemi nevojë të humbim kohë, prandaj po e themelojmë institucionin që të kemi program të rregullt operistik në Kosovë. Institucioni do të sistemohet me trupën artistike dhe të gjithë strukturën e vet administrative në një nga objektet e Komunës së Prishtinës, për të cilën çështje jemi në diskutim me Komunën”, ka thënë Fetiu.

Përgjigjja e Komunës

Në anën tjetër Zyra për marrëdhënie me media nga kabineti i kryetarit të Komunës së Prishtinës kanë thënë për KALLXO.com se Komuna dhe MKRS kanë pasur  takime ku është diskutuar rreth lokacionit për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

“Ende nuk është vendosur rreth lokacionit, por ju e dini që ky vendim i takon Kuvendit Komunal të Prishtinës. Nuk ka ndonjë vendim akoma rreth lokacionit të saktë. Prandaj mbetet që në takimet e radhës të definohet kjo çështje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të Komunës së Prishtinës.

Sipas kësaj zyre, Komuna e Prishtinës do të bashkëpunojë me MKRS-së për gjetjen e hapësirave për akomodimin e Operës së Kosovës pas themelimit nga Kuvendi deri në ndërtimin e objektit adekuat për Operën.

Vendimi për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit është marrë më 2006. Ishte caktuar edhe vendi për ndërtimin e objektit, te Fakulteti Teknik dhe objekti do të mbajë emrin “Dr. Ibrahim Rugova”.

Ndërsa më 2009 ishte vënë gurthemeli për ndërtimin e këtij objekti.

Por, deri më sot, përveç shpenzimit të rreth 1 milion eurove, hapjes dhe mbylljes së gropës te Fakulteti Teknik, asgjë nuk ka ndodhur.

Kujtojmë që sot Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e institucionit të Operës.

Themelimi i institucionit të Operës së Kosovës parashihet me ligjin nr. 02/L-59 për Filarmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës, të miratuar në kohë e UNMIK-ut.

 

MKRS nuk heq dorë nga ndërtimi i Objektit të Operës dhe Baletit, ‘Dr. Ibrahim Rugova’

Shpend Ahmeti: Objekti i Operës nuk do të ndërtohet te Fakulteti Teknik

 

Rikthehet debati për lokacionin për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës  

https://kallxo.com/simfonite-e-bretkosave-ne-mocalin-e-operas-dhe-baletit/