Lokacioni për ndërtimin e Pallatit të Operës, Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës me versione të ndryshme për pronësinë

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit pretendon se ka pronësinë e lokacionit që është paraparë të ndërtohet objekti i Operës dhe Baletit, “Dr. Ibrahim Rugova”, te Fakulteti Teknik në Lagjen “Kodra e Diellit” në  Prishtinë.

MKRS thotë se tashmë i ka siguruar edhe dokumentet përkatës, (një kopje të të cilave e ka siguruar edhe Kallxo.com) që sipas saj vërtetojnë pronësinë e pronës dhe i japin të drejtë asaj për të filluar ndërtimin e objektit të Operës.

Por, drejtues të Komunës së Prishtinës kanë thënë të kundërtën. Sipas tyre prona është e Komunës së Prishtinës.

Iber Alaj, ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së, ka thënë për Kallxo.com se lokacioni për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit mbetet ai i caktuar më parë, lokacioni afër Fakultetit Teknik.

“Sipas gjendjes kadastrale në Komunës e Prishtinës ajo është pronë e bartur në MKRS. Prona është bartë në MKRS 2009/10 dhe këtë mund ta vërtetoni edhe përmes dokumenteve”, ka thënë u.d. i sekretarit Iber Alaj.

Alaj ka thënë se Komuna e Prishtinës dhe Universitetit i Prishtinës kanë bërë një memorandum bashkëpunimi i cili nuk ndikon në vendimmarrjen e Asamblesë Komunale.

“Vendimet e Asamblesë janë valide për obligimet që dalin nga detyrimet ligjore të Komunës. Në të njëjtën kohë ajo është e përcaktuar dhe konkursi për projektin e objektit të operës është publikuar mbi pronën në të cilën po flasim dhe gjitha ofertat kanë ardhur për atë hapësirë”, ka thënë Alaj, për Kallxo.com.

Ai ka thënë se MKRS ka nisur procedura për hartimin e projekti ideore për objekti dhe pritet që ministria do të dalë me një njoftim rreth projekti.

Për viti 2021, sipas tij MKRS ka planifikuar 400 mijë euro për ndërtimin e Operës.

Por, kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë për Kallxo.com se nuk ka vendim për dhënie të pronës, por, ka vetëm caktim të lokacionit.

“Pra edhe nëse është shënu në kadastër është shënu gabim para më shumë se 12 vitesh. Këtë e qartëson Agjencia Kadastrale”, ka thënë Ahmeti për Kallxo.com.

Sipas tij, objekti Operas nuk është ndërtuar për më shumë se 10 vjet, por siç ka thënë ai, në lokacionin e paraparë ka qenë një gropë e rrezikshme për 3 vjet.

“Opera nuk është ndërtu as sa ka qenë Vlora (Vlora Dumoshi) drejtoreshë në Komunë e as sa kanë qenë krejt partitë në qeveri. Kjo është hera e dytë që shpenzohen para për projekt ideor, por kjo nuk është punë e Komunës”, ka thënë ai.

Kryetari Ahmeti ka thënë se në vitin 2019 Komuna e Prishtinës ka iniciuar ndryshimin e planit rregullativ në atë pjesë (lokacioni ku gjendet Fakulteti Teknik) për t’i akomoduar kërkesat e Universitetit të Prishtinës.

“Është votuar dy herët e para dhe tani në mbledhjen e radhës është votimi i tretë. Vlora ka qenë asambliste gjatë krejt këtij diskutimi. Prandaj, ajo tokë është e Komunës së Prishtinës. I është dhënë më shumë se 10 vjet shansi qeverisë me ndërtu, por ajo çka kemi parë është gropa. Më tutje kemi avancuar në diskutimet me UP, sepse ashtu ka qenë plani origjinal i Prishtinës i 1971. Kanë kaluar zyrtarisht krejt fazat për këtë punë. Në janar aprovohet edhe përfundimisht”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti i ka hedhur poshtë akuzat se Komuna po bllokon ndërtimin e objektit të Operës.

“Ne nuk bllokojmë, thjeshtë nuk presim 20 vjen në qendër por veprojmë. Për pallat të Operës ka vende të tjera. Për fakultetet e UP, jo. Aplikim për leje s’kemi, përndryshe. Prandaj as nuk kemi pas mundësi me blloku”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Vendimi për ndërtimin e Objektit të Teatrit të Operës ishte marrë në vitin 2006, në kohën kur MKRS drejtohej nga Astrit Haraqija, ku edhe ishte vendosur për projekti ideor për ndërtimin e objektit dhe vendin e ndërtimit.

Vetëm në 2009 ishte arritur që të organizohet ceremonia vënies së gurthemelit, një ceremoni ku kishin marrë pjesë krerët e lartë të shteti. Nisën punime u dhanë mbi 700 mijë euro të taksapaguesve kosovarë për fillimin e ndërtimit, por, gjithçka stagnoi dhe mbeti një gropë e madhe e cila u mbyll më pas nga Komuna e Prishtinës.

Në  nëntor të vitit të kaluar Komuna e Prishtinës dhe UP- ja, prezantuan projekt- propozimin e planit rregullues për zonën te Fakulteti Teknik.

Sipas këtij projekt-propozimi lokacioni i cili ishe dedikuar për ndërtimin e objektit të Operës do t’i jepet UP-së.

Më poshtë lexoni dokumentin, që sipas MKRS-së dëshmon pronësinë e ministrisë në lokacionin për ndërtimin e Operës: