Mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Rikthehet debati për lokacionin për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës  

Debati dhe mospajtimet e Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës lidhur me lokacionin e ndërtimit të Teatrit të Operas, është hapur sërish.

Një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjen e së premtes të Kuvendit Komunal të Prishtinës ishte edhe shqyrtimi dhe miratimi i planit rregulativ për Zonën e Fakultetit Teknik, në lagjen “Kodra e Diellit”.  

Por, me propozim të grupit parlamentar të  LDK-së, Kuvendi vendosi ta shtyjë miratimin e këtij plani rregullativ për një nga mbledhjet e ardhshme.   

Shkak për shtyrjen e miratimit të këtij plani, të sjellë nga qeveria komunale, është bërë propozimi që lokacioni për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit, te Fakulteti Teknik, të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pretendon se e ka në pronësi, të tjetërsohet për llogari të Universitetit të Prishtinës 

Asamblistët kërkuan që Komuna e Prishtinës dhe MKRS-ja të arrijnë një zgjidhje dhe të sqarohet saktë kjo çështje. 

MKRS dhe Komuna e Prishtinës do të kenë së paku dy javë kohë për të gjetur një zgjidhje për lokacionin për objektin e Operës e Baletit.  

Agim Gashi, këshilltar komunal nga radhët e LDK-së, ka thënë për KALLXO.com se miratimi i planit rregulativ për Zonën te Fakulteti Teknik është shtyrë, përderisa të definohet saktë çështja e lokacionit që është në pronësi të MKRS-së.  

“Me këtë ne nuk jemi kundër ndërtimit të objekteve të fakulteteve të UP-së, por kërkojmë që të gjendet një zgjidhje dhe që aty të ndërtohet edhe Teatri i Operës”, ka thënë Gashi.  

Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, e cila është edhe këshilltare në KK të Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se Komuna e Prishtinës nuk mund ta tjetërsojë pronën e MKRS-së, e cila siç është shprehur Dumoshi, është dedikuar për ndërtimin e objektit të Operës. 

“Prona në afërsi të Fakultetit Teknik është parcelë e alokuar për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, bazuar në vendimet e Kuvendit të Prishtinës, gjegjësisht sipas vendimit për caktimin e lokacionit për ndërtimin e këtij objekti në 2004”, ka thënë ministrja Vlora Dumoshi. 

Sipas saj, çdo tjetërsim i pronës së MKRS-së tek Fakulteti Teknik do të përbënte vepër penale. 

Ministrja Dumoshi ka thënë se MKRS është në procedurë të fillimit të ndërtimit të objektit dhe për këtë janë ndarë 2 milionë euro, për këtë vit. 

Por, pavarësisht vendimit të KK të Prishtinës dhe insistimit të MKRS-së, kryetari i Prishtinës,  Shpend Ahmeti insiston se objekti i Operës nuk duhet të ndërtohet te Fakulteti Teknik. 

Megjithatë, kryetari Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se do të bashkëpunojë me MKRS-në për gjetjen e një zgjidhje për lokacionin për objektin e Operës.  

“Gjithmonë, por te ai vend ne insistojmë të jenë ndërtesat dhe zgjerimi i kampusit të UP-së.  Nuk ka kuptim që studentët si ata të FSHMN-së mos të kenë klasë, e një projekt si opera që mund të gjejë zbatim tjetërkund dhe po ashtu që nuk realizohet që 12 vjet, e për shkak të pandemisë nuk do të realizohet edhe pesë të tjera, ta bllokojë studentin nga klasa”, ka thënë Ahmeti për Kallxo.com, i pyetur nëse do të bashkëpunojë me MKRS-së pas vendimit të KK të Prishtinës. 

Ditë më parë KALLXO.com prezantoi dokumente të cilat, sipas MKRS-së dëshmojnë pronësinë e saj në lokacionin e caktuar për ndërtimin e Pallatit të Operës. 

Fillimet për ndërtimin e objektit të Operës nisën në 2006-tën, kur edhe ishte vendosur për projektin ideor. 

Por, vetëm në 2009 ishte arritur që të organizohet ceremonia e vënies së gurthemelit Por, përveç gurthemelit, largimit të një sasie të dheut dhe shpenzimit të mbi 700 mijë eurove, MKRS-ja nuk bëri më shumë për ndërtimin e objektit të Operës.  

Në 2018 Komuna e Prishtinës mbuloi gropën e lënë nga MKRS-ja dhe në  nëntor të 2019 prezantoi projekt- propozimin e ri të planit rregullues për Zonën te Fakulteti Teknik. 

Sipas këtij projekt-propozimi, lokacioni i cili ishte dedikuar për ndërtimin e objektit të Operës do t’i jepet UP-së.