Reklama Vë në Pah Planet Vdekjeprurëse të BB-së në Kosovë

Këto plane janë kundërshtuar qartas nga shoqëria civile në vend. Megjithatë, edhe pse udhëhiqet nga një aktivist i përbetuar për përmirësime klimatike dhe të shëndetit, Banka Botërore refuzon ndërrimin e kursit. Tani, shoqëria civile kosovare është duke e hapur një front të ri në betejën kundër thëngjillit, edhe atë duke u shërbyer me statistika të Bankës Botërore dhe me disa reklama shumë të prekshme që adresojnë shëndetin publik.

Premisa e kësaj beteje është një e vërtetë e thjeshtë, por shkatërrimtare: termocentralet me thëngjill shkaktojnë vdekje. Sipas statistikave të Bankës Botërore, në Kosovë termocentralet e tilla i vrasin 835 persona çdo vit. Këto statistika mund t’i gjeni në një raport (PDF) të nxjerrë në shtatorin e vitit 2012. I njëjti raport përmban edhe të dhëna alarmante mbi ndikimin e ndotjes në shëndetin e qytetarëve të Kosovës:

835 vdekje të parakohshme;
310 raste të reja të bronkitit kronik;
22 900 raste të reja të sëmundjeve të traktit respirator tek fëmijët (më së shpeshti astmë);
11 600 vizita urgjente në spitalet e vendit.

Më shumë se 100 milionë euro janë shpenzimet e drejtpërdrejta të ndërlidhura me këtë problem, shumë kjo e paguar nga xhepat e popullatës së varfër të Kosovës.

Kosovarët i preku shumë ky lajm. Ata e shfrytëzuan të njëjtin si bazë për një seri reklamash të cilat u emituan në televizionet kombëtare (adaptime të reklamave të shfrytëzuara nga Shoqata e Pulmologëve Amerikanë për të luftuar ndotjen nga thëngjilli në SHBA). Këto reklama vënë në spikamë vendimin që duhet marrë nga ky shtet i ri – një e ardhme e ndotur nga thëngjilli, apo një e ardhme me energji të pastër nga burimet e ripërtëritshme.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/mnBCGMTFKNA” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Ashtu siç bëhet qartë në këto reklama, njëri nga opsionet është vërtet vdekjeprurës. Por, ato gjithashtu tregojnë se ka edhe mundësi të tjera. Kjo për shkak se 40% e energjisë elektrike të prodhuar në vend humbet në rrjetin elektroenergjetik. Nëse autoritetet e vendit dhe Banka Botërore do ta trajtonin këtë problem, do ta shtonin efiçiencën e energjisë (për shembull përmes izolimit të ndërtesave) dhe do të zhvillonin sasi modeste të energjisë së ripërtëritshme (disa projekte të rrymës nga era janë në pritje), atëherë Kosovës thjeshtë nuk do t’i duhej fare një termocentral i ri me thëngjill.

Kjo do të thotë se nuk ka nevojë që dikush të vdesë, as sot e as pas dyzet vitesh kur termocentrali i ri ende do të jetë duke nxjerrë ndotje toksike për çdo ditë mbi qytetin më të madh të Kosovës – Prishtinën. Ndotja e tillë do t’ia shkurtojë jetën fëmijëve në vend.

Dr. Kim ka qenë një kritik i ashpër i shkurtpamësisë së tillë në të kaluarën: “Imperativi i rritjes me çdo kusht çdo ditë e më shumë po i përcakton politikat ekonomike dhe sociale dhe mënyrën e sjelljes së korporatave anembanë globit, ndërsa për çdo ditë më shumë njerëz po varfërohen dhe më shumë njerëz po vuajnë dhe vdesin”.

Tani, ai ka e ka mundësinë që t’u përmbahet fjalëve të tij. Rritja të cilën po e përkrah institucioni që ai udhëheqë ka një kosto reale – jetët dhe shëndetin e popullatës së Kosovës. Vetëm ai mund ta ndalë këtë projekt. Vetëm ai mund t’ua sigurojë një të ardhme të sigurt dhe të shëndetshme qytetarëve të Kosovës.

(Ky artikull është shkruar bashkërisht nga Justin Guay i Sierra Club dhe Nezir Sinani i KOSID. Fillimisht është publikuar në Huffington Post)