Palagaqa për Telenovelën Kosovare

Ngjyra e lapsit me të cilën u nënshkruan marrëveshjet në Bruksel rrodhi edhe në 2016-ën, duke vërshuar pakënaqësi te një pjesë e qytetarëve të Kosovës.

Përveç kësaj, vendi po përballet edhe me hallet e tij të brendshme – përderisa vazhdon të rrjedhë koha, ajo ujit problemet e mbledhura që rriten dita-ditës.

Gjersa kaloi 17 shkurti ku shteti kosovar mbushi 8 vjet, do të duhej që edhe vendi ynë të jetë i ulur në bankat e shkollës së madhe evropiane, për të mësuar vijat e para të liberalizimit të vizave, investimeve të huaja qe i kontribuojnë zhvillimit ekonomik të vendit, që e bëjnë Kosovën ë jetë e pranishme në mesin e të tjerëve.

Përkundrazi, ne kemi mbetur të vetmit jashtë këtyre tryezave, mes problemeve të shumta që na rrethojnë, duke e kërkuar një pjesë të fajit (dhe jo krejt pa të drejtë) edhe te BE-ja.

Problemet mund të krahasohen deri diku me natyrën e përgatitjes së palagaqave. Ato kanë nevojë për vaj, kripë dhe temperaturë të lartë.

Vaji

Marrëveshjet e Brukselit më shumë prodhojnë lëndë të parë për mediat sesa prodhime të gatshme për qytetarë. Në temat e trajtuara në këto takime, është dashur që si prioritet ndër prioritete të diskutohet për të pagjeturit që janë rreth 1,754 persona, kërkim të faljes nga ana e Serbisë dhe marrëveshjet për kompensimin e dëmeve të luftës.

Dhe vetëm më pas të diskutohen tema të tjera ku në mesin e tyre edhe liria e lëvizjes, të cilën pala serbe e “respektoi” kohëve të fundit, duke hapur dyert që mundësuan eksodin e qytetarëve tanë drejt Hungarisë.

Kripa

Elitat politike kosovare e kanë kohën e tyre ku shpalosin programet e veta, dhe atë në fushata zgjedhore ku flitet për potencialet dhe mundësitë që do t’i krijojnë me marrjen e pushtetit.

Këtu renditen çështje si hapja e qindra mijë vendeve te punës, fondi i privatizimi dhe i kursimeve pensionale që do të investohet në vend, liberalizim të vizave e shumë e shumë premtime tjera që mbjellin shpresa tek qytetarët.

Me zgjimin nga kjo ëndërr, pas 15 ditësh shfaqin mbi 300 mijë të papunë, fondi prej 1.5 miliardësh bëhet i padukshëm, dhe Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend i izoluar në Ballkan etj.

Temperatura

Papunësia e madhe, çmimet e shtrenjta të artikujve të konsumit përkundër dështimit të reformës fiskale për t’i ulur ato, reduktime të energjisë elektrike, madje edhe fryrje e faturave kundrejt xhepave të zbrazur, janë vetëm disa nga çështjet që vlejnë për ta nxehur situatën.

Pastaj vijnë çështje edhe më të konsumuara dhe gati të pashpresa si korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit, grevat si rezultat i procesit të dhimbshëm të privatizimit ku secila valë e saj merrte me vete ato pak asete të mbetura.

E këto kanë thelluar varfërinë, hendekun ekonomik dhe shoqëror, duke ndikuar në mirëqenin e përgjithshme.

Edhe pse po mundohemi te ecim në itinerarin tonë, në mungesë të një vizioni të qartë, mbështetur mbi plane konkrete, reforma të kthjellëta dhe vendimmarrje realiste, reshjet e problemeve po na pamundësojnë të shohim përpara.

Por të paktën dhe më në fund, kemi palagaqat tona.

Kosovari i mesëm mund të ulet rehat para televizionit dhe të hajë palagaqa duke parë telenovelën e radhës, i qetë në sigurinë prej spektatori, i cili vetëm i vështron ngjarjet që nuk e prekin direkt.

Sehirxhiu palagaqa-ngrënës nuk e kupton që edhe ai është aktor, që çdo personazh është në fakt i vërtetë, dhe se ai film është vetë jeta e tij.