Varret e viktimave të Srebrenicës - Foto: REL/ EPA-EFE

Në Srebrenicë nuk janë masakruar  8,372 njerëz, por më së paku 25,116 njerëz

Përshkrim i masakrës në Srebrenicë nga një dimension ndryshe

Kur vret një njeri, e sidomos një fëmijë në të vërtetë aty nuk ka vetëm një viktimë, numërimi fillon nga numri tre e deri në mijëra. Pra, në masakrën në Srebrenicë janë vrarë 25,116 njerëz më së paku (8,372X3).

 

Si ndodh kjo?

Kur vret një njeri ke shkëputur një linjë njerëzore të zhvillimit, ke shkëputur vazhdimësinë e vijës familjare të atij njeriu dhe brezave që do të mund të lindin me të. Pra, vrasja apo masakrimi i një njeriu pamundëson vazhdimësinë e shumimit të njerëzimit. Kur është vrarë një njëri përveç që është shkëputur linja atërore apo mëmrore e vazhdimësisë me të është shkëputur edhe tradita, kultura, zhvillimi, dija dhe puna (e ardhmja).

Nga aspekti biologjik janë zhdukur persona të cilët në kromozomet Y ruajnë një trashëgimi mijëra vjeçare e që ndoshta që nga njerëzit e parë që bartet në vijën atërore përgjithësisht e pandryshuar por vetëm me ndryshime të gjithfarshme ashtu si ADN-ja e mitokondrineve. Vrasja dhe masakra, sidomos e fëmijëve ka zhdukur mundësinë e krijimit dhe evoluimit të qenieve njerëzore në formën biologjike në vëllimin e dijes dhe aftësive të tjera me vrasjen e grave dhe vajzave. Është zhdukur edhe mundësia e vazhdimit të species njerëzore e sidomos të një etnie, paçka edhe ky ka qenë qëllimi i masakrës së Srebrenicës.

Në aspektin social masakra dhe vrasja ndikon në dy kategori: në atë të dijes dhe atë të politikës e punës. Në aspektin e dijes, me vrasjen e një personi apo si në rastin e masakrës së Srebrenicës, janë vrarë potencialisht qindra njerëz të cilët mund të ishin zbulues dhe artikulues të dijeve shkencore të gjërave që ne sot nuk mund t’i imagjinojmë në mungesë të tyre. Po ashtu vrasja e mijëra njerëzve ka shkëputur vijën që më bashkimet biologjike ndërmjet mashkullit dhe femrës të krijohen njerëz të cilët po ashtu mund të kenë dije të lartë shkencore me zbulimet dhe punën e tyre në sfera të shëndetësisë, fizikës, kimisë, inxhinierisë të çdo lloji, arkitekturës, lëmive sociale, politike e historike, etj.

Pra dëmi është i pariparueshëm dhe i pallogaritshëm e as që mund ta dijmë ndonjë herë që sikur ata të ishin sot gjallë bashkë më pasardhësit e tyre çka mund të kishim.

Në aspektin politik dhe të punës, janë zhdukur njerëz dhe gjenerata të cilët drastikisht ulin fuqinë prodhuese të njerëzimit në përgjithësi dhe të një kombi e etnie në veçanti dhe atë politik të gjetjes së modeleve zhvilluese të njerëzimit dhe vendit.

Kjo i bie që një masakër si Srebrenica dhe masakrat në Kosovë, apo edhe vetëm vrasja e një njeriu, e ul vëllimin e njerëzimit në shumë aspekte në përgjithësi dhe jo vetëm kombëtar e më së shumti ka efekte në uljen apo humbjen e tërësishme në aspektin e dijes, trashëgimisë dhe punës.

Vrasja dhe masakra, kur jemi tek Srebrenica mundëson pasoja historike për të ardhmen dhe të tashmen, sepse duke njohur natyrën e njeriut si një rregull shoqëror dhe jo biologjik të prirur nga dhuna, krijon mundësinë që të mos ketë paqe asnjëherë në asnjërën palë por zhvillim të dëshirës për hakmarrje.

Andaj, vrasjet dhe masakrat që i ka bërë Serbia nën regjimin e Millosheviçit në gjithë ish-Jugosllavinë shprehen me numra nominal, pra shumë nën vlerën reale, ashtu shprehen edhe dëmet materiale, përgjithësisht vetëm me vlera nominale.

Vrasjet, masakrat dhe dëmet materiale asnjëherë nuk po paraqiten në formën e një analize të drejtë reale, por si një lloj tregu ku synohet që të tregtohet nëpërmjet një vlere nominale, sa më të ulët, kjo praktikë po bëhet edhe tek dëmet materiale. Nuk është njëjtë sikur kur një shtëpi e ke ndërtuar para 30 viteve e sikur sot apo para 10 viteve, sepse kushtet ndryshojnë duke filluar nga ato atmosferike, inxhinierike, punë dore, materiale, luhatjet ekonomike, etj.

Pra, shumica e dëmeve janë aq të mëdha sa mundësia e tyre është e pallogaritshme kur bëhet fjalë për ato njerëzore, morale, trashëgimore dhe të dijes. Këtu hyjnë edhe dëmet që janë bërë në njerëz nga torturat dhe dëmtimet emocionale e mutacionet gjenetike që ua kanë bërë duke i lënë me pasoja jetësore e trashëgimore.

Këto dëme të pallogaritshme duhet të trokasin në ndërgjegjen e çdo njeriu, populli, shteti, organizate ndërkombëtare dhe vetë OKB-së, që “Përgjegjësia për të Mbrojtur” nuk është vetëm akt ndërkombëtar, por është një obligim njerëzor në emër të homo (të veçantës) dhe sapienc (të dijes).

Llogaritjet duhet të jenë reale edhe pse asnjëherë nuk mund të jenë të sakta duhet të jenë të përafërta. Edhe nëse këto dëme nuk munden në asnjë mënyrë të shpaguhen, të paktën të vlejnë si modele ndërgjegjësimi se çka mund të prodhoj mendja e shprishur e disa njerëzve dhe e ideologjive shoviniste dhe nazo-fashiste.