Gashi: Kosova ka dështuar të mbledhë dëshmi për masakrat e viteve 1998-1999

Kreshnik Gashi, redaktor në Kallxo.com, në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet rreth politikës së jashtme, ka thënë se është tragjike çka ka bërë Kosova për viktimat e luftës.

Ai ka shtuar se Kosova nuk është duke e argumentuar historinë e viktimave të luftës.

“Nuk jemi duke u kujdesur që të paktën të ketë shënime mbi ato. Përgjigjja e shtetit tonë është që ende nuk i kemi provat e grumbulluara që këtu ka pasur gjenocid, fatkeqësisht ne ende nuk e kemi listën me 20 mijë gra të dhunuara, ne ende nuk e kemi asnjë provë që argumenton këto dy gjëra” – tha Gashi.

Ai ka thënë gjithashtu që janë 13 policë që janë caktuar e të cilët merren me grumbullimin e provave të luftës.

“Ata i kanë dy kerre të këqija, këta 13 njerëz hetojnë çdo masakër makabër që ka ndodhur në Kosovë. Dhe 4 prokurorë. Po dojnë me hetu masakrën e Reçakut a Prekazit me një polic që gradën e ka rreshter ose është veç polic i thjeshtë. Po dojnë me hetu me një polic që ndoshta shpeshherë e ka veç shkollën e mesme” – thotë ai.

Ai ka shtuar gjithashtu që shpejt do të mbetet Kosova edhe pa fakte sepse dëshmitarët po vdesin.

“Kemi fat ende që viktimat janë gjallë. Momentin që këta vdesin ne nuk do të kemi dosje të grumbulluara, e kur s’i kemi këto të cilat i dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, atëherë ne shumë shpejt do të mbajmë mend, ashtu siç mbahen qindra masakra në historinë tonë por për të cilat nuk kemi prova të argumentuara, gjyqësore e historike” – tha më tej Gashi.