Mbyllja e madhe ndaj qytetarëve

Mungesa e komunikimit të mirëfilltë të institucioneve publike me qytetarët është bërë barrë shtesë për shoqërinë kosovare në një kohë përballje me krizën shëndetësore, ekonomike e sociale.

Janë të panumërta pakënaqësitë me institucionet publike. Por, ajo çfarë i bashkon të gjitha pakënaqësitë dhe është më frustruesja është mungesa e komunikimit dhe informimit të drejt. Kjo mbyllje ndaj qytetarëve fillon nga niveli i lartë i qeverisjes, sikurse është procesi i dialogut me Serbinë, e deri tek politikat lokale, sikurse investimet nëpër lagje. Mbyllja e procesit politikbërës është bërë model i qeverisjes, dhe sikur institucionet dëshirojnë të na surprizojnë për rezultatin final të çdo politike. 

Janë të shumtë ata qytetarë dhe ato biznese që ende nuk kanë pranuar kompensimet nga Pakoja Emergjente Fiskale si pasojë e pandemisë. Edhe pse Kuvendi ka aprovuar ndryshimet në buxhet dhe nuk ekzistojnë pengesa ligjore, kanë kaluar pesë muaj dhe qytetarët e bizneset nuk kanë pranuar kompensim. Më frustruese se kjo është mungesa e informatave dhe e qartësisë se përse bëhet kjo zvarritje kaq e gjatë dhe pa përgjigje.

Në uebfaqen e Ministrisë së Financave dhe Administratës Tatimore nuk ekziston asnjë numër kontakti apo email për ankesa për qytetarët që nuk kanë marr ende kompensimet e tyre nga Pakoja Emergjente. 

Ende pa transferuar ndihmën financiare si pasojë e pandemisë, qeveria hodhi në publik një plan të pamenduar mirë, atë për tërheqjen e 10% të kursimeve pensionale. Kjo bëri që shumë qytetarë të kërkojnë menjëherë tërheqjen e kursmeve nga Trusti, ngase qeveria nuk u morr fare me shpjegimin e hapave dhe afateve kohore se kur mund të bëhet kjo tërheqje. Sot kur flasim, nuk ka asnjë afat të përcaktuar kohor se kur qytetarët mund t’i tërheqin 10% të kursimeve.

Padyshim se kjo forme sjelljeje po manifestohet edhe në nivelin lokal të qeverisjes. Që nga 22 tetori 2019 Komuna e Prishtinës ka filluar investimet në infrastrukturën rrugore dhe nëntokësore në lagjen Pejton. Por, banorët e kësaj lagjeje nuk kanë asnjë infomatë se sa do zgjasin punimet, çfarë do të riparohet, si do të duket infrastruktura e lagjes pas përfundimit të punimeve. Po bëhen gati një vit që bizneset e banorët e kësaj lagjeje spekulojnë se çfarë po ndodhë me rrugën para dyqaneve afariste në atë zonë. 

Dhe natyrshëm më shumë se gjithçka tjetër në kohë krize shëndetësore, është mbyllja apo mungesa e komunikimit nga institucionet publike të shëndetit.

Kur në fillim të këtij viti u detyrova të shtrij vajzën në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ajo çfarë më frustronte më së shumë se papastërtia, dritaret që nuk mbylleshin në dhomë, mungesa e elementeve bazike në dhomat e spitalit, ishte mungesa e komunikimit me stafin mjekësor. 

Nuk ekzistonte asnjë protokoll që në momentin e pranimit të pacientit t’i komunikohej se çfarë pritej, kur do të kryheshin testet e nevojshme, kur do jenë vizitat e rregullta të mjekut kujdestar, çfarë ishte diagnoza. Në mungesë të këtyre informatava bazike, pacientët dhe familjarët e tyre enden korridoreve tërë ditën për të marrë informacione bazike.

Përjashto ditët e para që nga marrja e masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, kur numri emergjent i Institutit Kosovar të Shëndetit Publik ka qenë funksional, në fazat e mëvonshme shumë qytetarë të stresuar për shëndetin e tyre nuk kanë marr asnjë përgjigje nga institucionet se si të veprojnë në rast dyshimeve se janë prekur me Covid-19. 

Pas licencimit të laboratoreve private për kryerjen e testeve për Covid-19, ka munguar transparenca e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP për të informuar publikun për numrin e testeve të kryera.

Për më tepër, as në uebfaqen e Ministrisë së Shëndetësisë, as në atë të IKSHP, nuk ka udhëzime konkrete se si të veprohet në raste të dyshimit për prekje me koronavirus apo si të kryhen testet në institucionet publike. Në faqen kosova.health të hapur nga Ministria e Shendetesisë, ekziston rubrika “Fol me Mjekun”, ku kërkohen të dhënat për kontakt dhe përshkrimi i simptomave dhe në fund të aplikacionit merrni një mesazh që të izoloheni dhe pritni thirrjen nga institucionet shëndetësore. Por thirrja nuk mbërrin asnjëherë.

Përmirësimi i komunikimit institucione-qytetarë është masa më e lehtë që mund të ndërmerret nga institucionet publike. Çdo institucion publik investon me mijëra euro në dizajnimin dhe mirëmbajtjen e uebfaqeve. Por aty shpeshherë mungojnë informacionet kryesore për kontakt. 

Njësoj, të gjitha institucionet kanë hapur llogari në mediat sociale. Sërish, mungon informimi i duhur për investimet dhe politikat tjera publike. Tanimë është bërë traditë e qeverive që të mos emërojnë zëdhënes, përkundër asaj se emërojnë me dhjetëra këshilltar politik dhe zëvendësministra, shpeshherë pa iu dhënë detyra.

Përmirësimi i komunikimit nuk do të zgjidhte të gjitha problemet, por do zbuste në masë të madhe frustrimin me institucionet. 

Një qytetar i cili mund të komunikojë me Ministrinë e Financave dhe të pyes përse nuk ka marrë kompensimin prej 170 eurosh, të paktën nuk do të pëballet me ankthin e mungesës së informacionit. Qytetarët dhe bizneset të cilët informohen për zgjatjen e punimeve në infrastrukturë dhe dinë se si do të duket lagjja e tyre pas përfundimit të punimeve do të kenë më shumë durim kur komuna të hapë punimet.

Një pacient i cili e di orarin e testeve dhe vizitave të mjekut kujdestar është më pak i frustruar, edhe në rastet kur dhoma në të cilën qëndron më shumë i ngjanë morgut se sa spitalit. 

Agron Demi është aktivist i shoqërisë civile, analist i politikave publike në Institutin GAP dhe kolumnist i rregullt në disa media vendore.