Fundi i Vendimeve të Mëdha

Cili është vendimi i fundit madhor i cili është marrë nga Qeveria ose Kuvendi i Kosovës, e i cili ka pasur konsensus të gjerë politik? Periudha e fundit kur janë marrë vendime të tilla madhore ka qenë shpallja e pavarësisë dhe 120-ditëshi pas shpalljes së pavarësisë. Fatmirësisht, në këtë periudhë kanë kalu ligjet bazike të shtetësisë së Kosovës. Fatkeqësisht, kalimi i këtyre ligjeve është bërë në procedurë të shpejtë e pa debat.

Vështirësisë në marrjen e vendimeve madhore i ka kontribu edhe rregulli i vendimmarrjes përmes shumicës së dyfishtë, ku edhe shumica e minoriteteve duhet të pajtohen për vendime të rëndësisë kushtetuese.

Askush nuk pret që partitë politike të vendosin njëzëri për të gjitha çështjet publike. Është e natyrshme që partitë të kenë dallime për politika të ndryshme të taksave, politikat sociale, privatizimin e të tjera. Por, për çështje më madhore të shtetit, nevojitet një konsensus më i gjerë politik. Më i gjerë se sa numrat që mund të kenë partitë e koalicionit qeverisës.

Që nga 17 shkurti 2014 flitet për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. I tërë diskutimi është përqendru në emër e jo në përmbajtjen që do e ketë ushtria e Kosovës pas ndërrimit të emrit. Por, për shkak të ndasive partiake dhe për shkak të kriterit të shumicës së dyfishtë në Kuvend, as ri-emërtimi i FSK nuk po arrin të aprovohet.

Që nga viti 2011 kanë fillu diskutimet për reformën zgjedhore, e madje ishte kriju edhe një komision i posaçëm parlamentar për reformë zgjedhore. Por për shkak se mungon gatishmëria e partive politike për të reformu sistemin zgjedhor dhe mungesa e konsensusit politik për të kalu një reformë të tillë në Kuvend, edhe më tutje Kosova aplikon ligje të cilat lejojnë procese me “vjedhje industriale të votave”, siç kishte deklaru ish-ambasadori amerikan për zgjedhjet parlamentare të 2010.

Që nga viti 2008 ka fillu procesi për ristrukturimin e Trepçës, janë kriju grupe punuese, janë hartu strategji e janë shkru projektligje, por asnjëherë çështja e statusit ligjor të Trepçës nuk është dërgu në Kuvend për aprovim.

E mos të flasim për ndryshimet kushtetuese, të cilat vështirë të kalojnë, përkundër asaj se Kushtetuta e Kosovës është shndërru në një “djath zviceran”, me plot zbrazëti. Edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në vend se ta plotësojnë dhe lehtësojnë interpretimin e Kushtetutës, vetëm sa i kanë kontribu ngërçit institucional.

Me interpretimet e saj, Kushtetuesja thuajse e ka bërë të pamundur krijimin e koalicioneve pas-zgjedhore parlamentare ose zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, nëse koalicioni nuk përfshin partinë me numrin më të madh të votave.

Në këtë mënyrë, interpretimi i Kushtetueses ka bërë që nga një demokraci parlamentare shumë-partiake, vendi të shndërrohet në një sistem parlamentar qeverisës ku fituesi i merr gati të gjitha! Një interpretim jo i drejtë i Kushtetutës, i cili mund të përmirësohet vetëm me ndryshimet kushtetuese.

Po bëhet gati një vit prej kur Qeveria ka nënshkru në Bruksel marrëveshjen për asociacionin me Serbinë, dhe atë në Vjenë për demarkacionin me Malin e Zi. Por asnjëra nga këto vendime nuk është procedu në Kuvend për aprovim. Por, as nuk janë anulu në tërësi. Kësisoj është kriju një situatë e paqartë në të dy këto çështje.

Pamundësia e qeverisë për t’i shtyrë këto marrëveshje deri në fund, si dhe kryeneçësia e saj për t’i anulu ato në mungesë të një konsensusi politik, ka kriju një gjendje të ngërçit institucional tani e një vit.

Në pamundësi për të gjetur zgjidhje për problemet e mëdha dhe për t’i shndërru ato në vendime që bartin obligime ligjore, institucionet merren me vendime të vogla dhe me çështje ditore. Natyrisht, përgjatë këtyre muajve janë aprovu edhe vendime të mëdha, por të cilat më shumë i kanë kontribu shthurjes institucionale dhe delegimi të përgjegjësive. Të tilla mund të konsiderohen vendimet për Gjykatën Speciale, apo edhe vendimi për zgjatjen e mandatit të EULEX.

Shiku nga fuqia e votës, koalicioni aktual qeverisës ka shumicën absolute të votave për të kalu çdo vendim të agjendës së saj politike. Por në anën tjetër, problemi qëndron tek dallimet e mëdha të partive në koalicion për agjendën politike.

Dy partitë politike të cilat kundërshtaren më të madhe zgjedhore përgjatë këtyre viteve e kanë konsideru njëra-tjetrën, suksesin apo dështimin në qeverisje më shumë e shohin si sulm apo përfitim ndaj njëra-tjetrës së sa ndaj partive opozitare.

Përveç kësaj, ndërtimi i partive politike të cilat më shumë i ngjajnë grupeve të interesit e ka bërë të vështirë të ndryshohet gjendja aktuale dhe të ndërmerren reforma pa prekur interesat klanore dhe financiare të politikanëve.

Sipas publicistit Moises Naim, “situata politike në të cilën çdokush ka fuqi të mjaftueshme për të pengu çfarëdo iniciative politike, por askush nuk ka fuqi të mjaftueshme për të imponu agjendën e tij, është situatë ku vendimet nuk merren, merren me shumë vonesë ose shtyhen deri në atë pikë sa bëhen jo relevante”.

I tillë është rasti i të gjitha qeverive pas qershorit 2008, apo pas shpalljes së pavarësisë dhe aprovimit të pakos së ligjeve bazike të shtetësisë. Çdo vendim i cili ka qenë i vështirë e i cili ka pengu interesat e ngushta të partnerëve qeverisës, është shtyrë deri në atë shkallë ku inercioni ka sjellë dëme milionëshe në ekonomi e politikë, sa që rikuperimi prej tyre do të jetë i pamundur apo shumë i vështirë.

Vendimmarrja nuk është e lehtë në asnjë vend demokratik. Por, për çështjet e rëndësisë shtetërore, edhe partitë kundërshtare bëhen bashkë për të marrë vendime madhore, të cilat tejkalojnë ndasitë partiake.

Andaj, qeveria dhe kuvendi, do të duhej që sa më parë të reformonin sistemin zgjedhorë, të ndryshohet Kushtetuta, të forcohet FSK, të funksionalizohet Trepça dhe të procedohen vendimet tjera madhore që mund të sjellin ndryshime pozitive në këtë vend.