Dritëhijet e Pakos së re Fiskale

Pakoja e re fiskale që hyri në fuqi në 1 shtator të këtij viti, solli një sërë ndryshimesh në taksa, të cilave u nënshtrohen të gjitha subjektet tatimpaguese. Ndryshimi më i njohur është ai i përshkallëzimit të TVSh-së në dy nivele, në 8% dhe 18%.

Në thelb, këto ndryshime bazohen mbi vlerësime të cilat synojnë të sjellin efekte të caktuara në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës. Këto njihen si politika fiskale.

Politikat fiskale mbështeten në përdorimin e tatimeve dhe shpenzimeve qeveritare si mjete në pajtim me objektivat e ekonomisë. Nga to u prodhua pakoja e re fiskale.

Më 30 Mars 2015, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me deklaratë përmbyllëse të misionit i sugjeroi qeverisë së Kosovës masa shtesë si dhe reformë në TVSh për rritjen e të hyrave.

Banka Botërore në korrik 2015 publikoi raportet “Rishikimi i financave publike të Kosovë: Politikat fiskale për një shtet të ri” dhe “Politikat tatimore dhe boshllëku tatimor në Kosovë”. Sipas BB-së, Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë.

Rreth 70 për qind janë të hyrat që vijnë nga kufiri dhe BB-ja identifikon si rrezik rënien e këtyre të hyrave me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për shkak se importet nuk kanë doganë dhe se këto të hyra duhet të kompensohen me të hyra vendore .

Në muajin korrik të këtij viti erdhi në jetë një pako e re fiskale ku materie e kësaj pakoje ishte Ligji përTatimin në të Ardhurat Personale, Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave si dhe Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe zbatimi i saj filloi në muajin shtator.

Fokusi kryesor në pritje të kësaj pakoje ishte Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, ku pjesë përbërse të këtij ligji ishin pragu prej 30,000 euro për t’u regjistruar në TVSh, norma standarde 18 për qind si dhe norma e reduktuar 8 për qind, lirimi nga TVSh-ja në importimin e lëndës së parë, linjat e prodhimit, pajisjet e teknologjisë së informacionit.

Kosova më parë kishte një normë standarde të TVSh-së 16 për qind. Sipas një studimi të Open Data Albania (ODA), Kosova në raport me vendet e rajonit kishte normën standarde më të ulët 16 për qind, me dallim për 1 për qind nga Bosnja dhe Hercegovina, e cila ka normën standarde 17 për qind.
Kroacia prin për nga shkalla standarde e TVSh-së me 25 për qind. Me ligjin e ri për TVSH-në Kosova del para Bosnjes dhe Hercegovinës prapë me një dallim për 1 për qind.

Sipas Institutit GAP, numri i bizneseve që kanë paguar TVSH-në në vitin 2014 është 14,560, përderisa me uljen e pragut të TVSh-së në 30,000, do të rrisë numrin për 1,800 biznese më shumë.

Në anën tjetër, BB-ja në bazë të një ankete, vëren se mbi gjysma e të anketuarve thonë se së paku disa nga konkurentët e tyre nëndeklarojnë para admininistratës tatimore të hyrat e tyre për të shmangur pagesën e TVSh-së.

Bazuar në këto të dhëna, ulja e pragut të TVSh-së në 30 mijë euro pasqyron dy anë të medaljes. Në njërën anë do të tentohet të rritet numri i bizneseve që do të deklarojnë dhe paguajnë TVSh-në, në anën tjetër vija e demarkacionit të TVSh-së do të rrezikojë të lë jashtë ato të ardhura që bizneset kanë deklaruar deri në kufirin prej 50 mijë eurove.

Me uljen në 30 mijë euro të kufirit, bizneset ka gjasa të mundohen të nëndeklarojnë të ardhurat e tyre në mënyrë që t’i ikin pagesës së TVSH-së që do të ketë efekt në rënien e pagesave të tremujorëve nga këto biznese.

Norma e reduktuar e TVSh-së 8 për qind duhet të ketë ndikim pozitiv në uljen për artikujt esencialë, nëse kalkulohet saktë çmimi i artikullit, gjithashtu edhe lirimet për lëndën e parë, linjën e prodhimit.

Kjo normë do të ketë ndikim pozitiv për prodhuesit vendorë. Përderisa rritja e normës standarde të TVSh-së në 18 për qind do të japë kundër efektin e vet që do të zbehë lehtësirat fiskale.
Se cilat janë efektet e pakos së re fiskale priten të shihet me publikimin re raportin të indeksit të çmimeve nga Agjencia e Statistikave të Kosovës-ASK, si dritare e parë e shtetit.