Ilustrimi: Trembleta për Kallxo.com

Domosdoja e protestës

Lëvizja Vetëvendosje së voni ka bërë thirrje qytetarëve të moshave dhe vendbanimeve të ndryshme, anëtarëve të partive politike dhe organizatave të ndryshme që të shtunën me 29 shtator 2018 t’i bashkohen protestës që e organizon kjo parti.

Dy janë gjërat mbi të cilat duhet të bazohet përgjigja ndaj kësaj ftese. E para është kuptimi i situatës konkrete, dhe e dyta është mundësia për t’u përdorur në marrëdhënie me këtë situatë.

Presidenti Hashim Thaçi, që duket të jetë një cak kyç i kësaj proteste, dita – ditës nuk po na befason me lëvizjet e tij të shpejta dhe të sigurta autoritare. Mirëpo, përpjekjet autoritare të Hashim Thaçit nuk janë duke u zhvilluar në një vakum, përkatësisht pa një bazë premisash konkrete.

Duhet të na kujtohet që Thaçi erdhi në pushtet më 2007, për ta marrë në duar letrën e shpalljes së pavarësisë që e lexoi me 2008. Si kryeministër, letrën e pavarësisë shpejt e zëvendësoi me çekan për ta goditur edhe atë pavarësi të gjymtë që e kishte në atë letër. Me 2012 e hoqi Republikën për ta zëvendësuar me fusnotën që nuk i hyri në punë Kosovës, veçse Thaçit. Me marrëveshjen e Brukselit të prillit 2013, vuri bazën e zëvendësimit të të drejtave të serbëve në Kosovë me të drejtat e Serbisë mbi Kosovë, që nuk i hyri në punë Kosovës, veçse Thaçit. Pushtetin e tij prej Kryeministri, e zëvendësoi me atë të Presidentit sa të pushtetshëm aq edhe të dëmshëm. Derisa në rolin sa ishte kryeministër me çekan i mëshoi përmbajtjes sa do të gjymtë të Republikës, tash si President me gërshërë mundohet ta shkurtojë territorin e saj gjithnjë të pa kontrolluar. Pra gërshërët e kohëve te fundit në njërën dorë të Thaçit si President, nuk mund të kuptohen pa çekanin në dorë tjetër të tij si Kryeministër.

Që nga viti 2007, pushteti i Thaçit mbi Kosovë ishte pothuajse konstant. Dhe tutje premisat e kësaj konstanteje nuk ishin vetëm çekani e gërshërët në duart e tij, por edhe sëpata mbi qafën e tij. Nuk mund ta kuptojmë pushtetin konstant të Thaçit pa negociatat me Serbinë dhe pa Gjykatën Speciale e cila erdhi si rezultat i akuzave të ndryshme që e goditën po në vitin që i filloi negociatat me Serbinë me 2011. Gjykata Speciale i aktivizohet në debate publike sa herë që ai nuk dëgjon, e i suspendohet se herë që ai dëgjon.

Rasti më i qartë për ne ishte dhjetori i vitit 2017, kur Thaçi filloi të mos dëgjojë, e Gjykata Speciale filloi ta ngacmojë. Komuniteti ndërkombëtar na kërcënoi duke e vënë në pikëpyetje gjoja “të ardhmen e Kosovës”, pas së cilës në fakt fshihej e ardhmja e Thaçit. Ky i fundit filloi të dëgjojë, andaj edhe Gjykata Speciale pushoi. Kësisoj, pushteti i Thaçit jo vetëm që tashmë është i dëmshëm, por edhe i rrezikshëm. Nuk është as problem e as e pasaktë të thuhet se Thaçi e mbajti pushtetin e gjatë (më të gjatë se sa vetë jeta e Republikës) përmes proceseve demokratike dhe institucionale në vend. Mirëpo për ta kuptuar pushtetin e Thaçit dhe kapjen e shtetit, është e pamundur pa i kuptuar çekanin dhe gërshërët në duart e tij, dhe sëpatën në qafën e tij.

Metoda të ndryshme propaganduese janë përdorur një kohë të gjatë për ta bërë qytetarin, përkatësisht studentin, mësuesin, profesorin, punëtorin, të vjetrin, e të renë që këto çështje t’iu duken të paprekshme, rëndom të qëndisura nën petkun e frazës: “çështjet e mëdha”. Dhe si në formë mistike pastaj diskutohet mbi “fuqitë e mëdha”, e “problemet e mëdha”, fraza boshe për ta larguar qytetarin e rëndomtë, të riun e të renë gjithnjë me ndjenja të pafuqisë, nga diskutimi pikërisht për këto çështje të nevojshme. Kësisoj, makineria propaganduese ka bërë që të normalizohet dhe pranohet kuptimi që me “çështjet e mëdha” merren vetëm një grusht burrash e bacash.

Por kuptimi dhe marrja me “çështje të mëdha” është i pashmangshëm për të gjitha çështjet tjera “jo të mëdha”, sepse e para është e qenësishme për të dytën. “Jo, ato janë çështje të mëdha”, është rëndom përgjigja e studentëve, sa herë përfshihesh me ta në diskutime të tilla politike.

Por kjo nuk është krejt e rastësishme. Natyrisht, sepse studenti e studentja nuk duhet lënë ta kuptojnë që “dënimin financiar” që Kosova paguan brenda një sekonde për të kontraktuarin e atëhershëm të Thaçit, Bechtel-Enka-n, tejkalon dyfishin e të mirave materiale që i ndahen Universitetit të Prishtinës brenda një viti të tërë. Bechtel-Enka-s i ndahen kështu 53 milionë Euro me një klik të tastit qeveritar, ndërkaq rreth 45,000 studentëve të UP-së i ndahen 27 milionë Euro brenda një viti të tërë.

Pamje nga takimi i fundit mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel – Foto: Twitter/MajaKocijancic

Po ashtu, studenti e studentja nuk duhet lënë ta kuptojnë që secilit që e futën rrejshëm në listë të veteranëve sa për ta mirëmbajtur paqen e tyre të padrejtë në pushtet, nga buxheti i jonë publik i ndahen tre fish më shumë të mira materiale se sa një studenti të universitetit. Mesatarisht, rreth 170 Euro në muaj i ndahen secilit nga ata që u futen rrejshëm në listat e veteranëve, ndërkaq po për të njëjtin muaj një student i ndahen vetëm 50 Euro.

Si rrjedhojë, studenti e studentja nuk duhet lënë ta kuptojnë që një verë që konsumon Presidenti i vendit më të varfër në Evrope brenda një darke, tejkalon tre fish shumën që një student merr mesatarisht brenda një muaj. E pa u marrë e pa i kuptuar “çështjet e mëdha”, vështirë se mund të kuptohen edhe këto të tjerat sa të rëndësishme, aq edhe të mëdha.

Nëse e kemi kuptuar situatën konkrete si të tillë, atëherë ç’të bëjmë?

I kemi vetëm dy opsione: I pari opsion është të themi se situata është e pashpresë dhe të dorëzohemi. I dyti opsion është që ta përdorim secilën mundësi që jepet për të protestuar e për t’u revoltuar kundër shtetit të kapur dhe krerëve të saj përgjegjës për kapjen. Opsioni i parë na çon jashtë vendit, siç po i çon shumë të tjerë, ndërkaq vendi mbetet në shërbim të atyre që kapin shtetin. Opsioni i dytë na çon aty ku duhet të jemi, në vend dhe kohë të duhur, për ta çkapur vendin nga të paduhurit. E mundësia e radhës që na jepet është të shtunën në Prishtinë, gjithsesi me shpresë për më shumë të shtune, e gjithnjë me më shumë njerëz – deri në çkapjen e përgjithshme.

 

Shpend Kursani është hulumtues doktorant në Departmanetin e Shkencave Politike dhe Shoqërore në European University Institute, ku hulumton rastet e shteteve të kontestuara pas 1945-tës.

Opinionet e shprehura në këtë rubrikë janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht ato të KALLXO.com.