Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Cenimi i garancioneve kushtetuese të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë nga ana e Listës Serbe (II)

Debatet aktuale dhe ato në ditët në vijim, për sa i përket çështjes së përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në institucionet qendrore politike, do të na rikthejnë disa vite prapa në kohë, pra në procesin e Vjenës. Në atë proces, përveç tjerash, Kosova, nuk ngurroi të marrë përsipër zotime që lidheshin me të drejtat e komuniteteve. Madje aq proaktive u tregua në çështjet e komuniteteve, saqë, siç thoshte Prof. Mark Weller (një nga ekspertët kryesor juridik), këto zotime i përktheu në dispozita zemërgjera të mishëruara edhe në Kushtetutë.

Duke siguruar kështu një sfond të gjerë garancionesh kushtetuese për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, Kosova, tejkaloi edhe standardet ndërkombëtare, siç është p.sh, Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Nacionale.

Për rrjedhoj, nën dritën e kuadrit të pasur kushtetues e ligjor që ka në qendër mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve, ndër detyrat e para pas Pavarësisë (2008), ishte edhe krijimi i mekanizmave institucional që do të siguronin efikasitet e nevojshëm në zbatimin në praktikë të të drejtave të përcaktuara me akte juridike.

Madje, një detyrë të tillë, Republika e Kosovës e ka marrë edhe përmes nenit  58 (Përgjegjësitë e Shtetit) të Kushtetutës, i cili pos tjerash, përcakton: “Republika e Kosovës, sipas nevojës, do të miratojë masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Masat e tilla nuk do të konsiderohen të jenë vepër e diskriminimit”.

Si më sipër dhe në kontekst të objektit që mëton të trajtoj ky shkrim analitik, le të përqendrohemi te pjesa e përfaqësimit politik.

Cilat janë masat e ndërrmarra që kanë promovuar barazinë e plotë të komuniteteve në përfaqësimin politik dhe cilët janë mekanizmat institucional që sigurojnë apo ndihmojnë zbatimin efektiv të barazisë në përfaqësimin politik?

Gjithsesi kjo është një temë që meriton të trajtohet më gjerësisht, por asessi nuk mund të përkufizohet (për shkak të kompleksitetit dhe rëndësisë), në mënyrë meritore mes rreshtash të një shkrimi si ky.

Sidoqoftë, le ta nisim nga ligji në fuqi për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përveç përcaktimit të formulës së ndarjes së ulseve në Kuvend, nuk parasheh ndonjë mekanizëm për ruajten e garancive të përfaqësimit politik burimor të komuniteteve në organin legjislativ. I njëjti, afirmon përmbajtjen e së drejtës zgjedhore, duke përligjur në parimet e tij themelore, se kjo e drejtë duhet të realizohet përmes një procesi të votimit të lirë, universal, të njëjtë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, ku çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të votojë dhe të zgjedh pa asnjë diskriminim në bazë të racës, përkatësisë etnike, ngjyrës, gjuhës, gjinisë, bindjes fetare apo politike, arsimit apo të ngjashme.

Sa i përket aspektit të sigurimit të legjitimitetit popullor të përfaqësuesve politikë që garojnë në zgjedhje, nuk vendos ndonjë kriter mbrojtës, të paktën për komunitetet më të vogla joshumicë. Mjafton vetëm deklarimi i tyre se cilin komunitet e përfaqësojnë.

Pra, vërehet se mungon një mekanizëm i posaçëm i mbrojtjes së komuniteteve veç e veç, duke u mjaftuar vetëm me faktin e deklarimit – për qëllime të regjistrimit të subjektit garues politik, se i njëjti përfaqëson një komunitet të caktuar, dhe këtu fillon e mbaron mbrojtja e tyre nga orkestrimi e manipulimi i vullnetit burimor politik të një komuniteti të caktuar nga një komunitet tjetër.

Prandaj, pamundësia e pjesëmarrjes proporcionale në marrjen e vendeve të deputetëve në Kuvend, sipas rezultateve të fituara në zgjedhje, është rezultat i mungesës së një mekanizmi të ruajtjes dhe respektimit të vullnetit burimor të një grupi etnik siç janë në rastin konkret boshnjakët, romët dhe egjiptianët apo edhe goranët, të cilët janë viktima të strategjisë së Listës Serbe.

E ky mekanizëm, më shumë se ligjor, mund të jetë edhe politik. Sepse me ligj është e vështirë dhe mjaftë komplekse t’ia kufizosh një apo disa komuniteteve të tëra, votimin, përkatësisht, mosvotimin e një apo disa përfaqësuesve politikë të subjektit/ve tjera. Sepse e drejta për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur, janë të drejta kushtetuese. Mes peshës së tyre dhe orkestimeve politike, Ahtisari/hartuesit e Kushtetutës, kanë menduar për të parat. Me gjasë për të dytat, as nuk kanë imagjinuar të vije një situatë e tillë devijimi e vullnetit politik në përfaqësimin e komuniteteve.

I mbetet, nëse jo ligjvënësve, Gjykatës Kushtetuese, të ridefinoj, mbi bazën e frymës së Kushtetutës, legjitimitetin burimor në përfaqësimin politik në njërën anë dhe raportin me legalitetin e ushtrimit të së drejtës për t’u zgjedhë dhe për të zgjedhur në anën tjetër.

Gjithashtu, mekanizma të tjetër institucional që kanë për detyrë promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve edhe për përfaqësimin politik, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, shtrihen në tre degët e pushtetit. Edhe në Kuvend, edhe në Qeveri por edhe në gjyqësor dhe organet e tjera.

Duke filluar nga Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve, si Komision i përhershëm i Kuvendit të Kosovës, Kryesia e Kuvendit, Komisionet parlamentare, duke vazhduar me Këshillin Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentit, përfaqësimit të garantuar dhe proporcional edhe në Qeveri, udhëheqjen e Ministrisë për Komunitete, përfaqësimin në Gjykatën Kushtetuese, gjykatat e rregullta dhe prokurori etj.

Megjithatë, vlen të ceket se të gjitha veprimet dhe vendimet që lidhen me përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend dhe në Qeveri dhe vendimmarrjen politike, janë të lidhura ngusht me numrin e deputetëve me të cilin komunitetet përfaqësohen proporcionalisht në Kuvend, nga ku buron edhe fuqia e tyre politike.

Vetë dizajnimi i sistemit të përfaqësimit të garantuar proporcional dhe afirmativ të komuniteteve me Planin e Ahtisarit, ka qenë pikënisja e shpresës për funksionim efikas të demokracisë së brendshme elektorale mes subjekteve politike, pa pandehur në ndërhyrjen e terrenit politik të njëra – tjetërs.

Prandaj, devijimi i vullnetit burimor politik të komuniteteve në këto zgjedhje, nga ana e Listës Serbe, është dëshmi e mjaftueshme që shteti ynë të fillojë të mendoj seriozisht që, me qëllim të parandalimit të dukurive të tilla në zgjedhje, dhe parandalimit të obstruksionit parlamentar dhe shantazhit politik pas zgjedhjeve, të nis procesin e konstitucionalizimit dhe kontrollit kushtetues të subjekteve politike përmes filtrimit të tyre paraprak në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është e mundur të bëhet përmes rishikimit të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, duke zgjeruar juridiksionin aktual të Gjykatës, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës (10).

Një shembull i mirë i këtij kontrolli, aplikohet suksesshëm që pas luftës së dytë botërore në Gjermani. Dhe bazuar në kriteret e aplikuseshme në sistemet e ndryshme kushtetuese, nëse të njëjtat do të aplikoheshin edhe në Kosovë, këtë test nuk do të arrinin ta kalonin subjektet që: kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, nxisin dallimet etnike, mbështetën në ideologji totalitare, përdorin dhunën si mjet për të arritur qëllimet e tyre, kanë lidhje me organizata kriminale, veprojnë në fshehtësi, etj.

Pjesën e parë të analizës mund ta lexoni duke klikuar në LINK: Cenimi i garancioneve kushtetuese të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë nga ana e Listës Serbe (I)

Faton Fetahu – Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike