Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cenimi i garancioneve kushtetuese të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë nga ana e Listës Serbe (I)

 

Pas organizimit të suksesshëm të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në të cilat garuan 28 subjekte politike për 120 legjislatorët e Kuvendit, përsëri, sytë e opinionit publik janë kthyer kah Komisoni Qendror i Zgjedhjeve, i cili prej ditësh ka filluar të publikoj rezultatet preliminare, përfshirë edhe rezultatet preliminare të kandidatëve të subjekteve garuese në komunat dhe vendvotimet brenda tyre.

Derisa subjektet politike që përfaqësojnë shumicën në Kuvend, janë duke pritur rezultatet e numërimit të votave me kusht, atyre më postë dhe personave me nevoja të veçanta, me shpresën për përmirësimin e rezultatit të tyre zgjedhor, disa prej përfaqësuesive të komuniteteve joshumicë, pothuajse e kanë humbur fare edhe shpresën e arritjes së përfaqësimit të komunitetit të tyre në Kuvend. Natyrisht këta nuk i përkasin komunitetit serb.

Mjaftoi publikimi i rezultateve në disa komuna të banuara me shumicë nga komuniteti serb, për të ndezur alarmin e shqetësimeve dhe pakënaqësive të disa përfaqësuesëve të deritanishëm të komuniteteteve të tjera jo shumicë, si boshnjak, rom dhe egjiptian, të cilët për fatkeqësinë e tyre, ishin mbivotuar nga “përfaqësuesit” e tjerë, konkurrentë të tyre, e të cilët, po ashtu kanë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin boshnjak apo rom, edhe pse kanë fituar vota në vendbanimet kosovare ku jetojnë me shumicë serbët, por jo edhe boshnjakët apo romët.

Si është e rregulluar ndarja e vendeve për komunitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës?

Për arsyet e njohura, e dimë se Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (26 mars 2007), – Plani i Ahtisarit, dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila e ka integruar në tërësi këtë plan, kanë vendosur garancione të forta kushtetuese, veç tjerash, edhe sa i përket çështjes së përfaqësimit të komuniteteve joshumicë, në pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrjen për politikat publike.

Këto garancione, janë paraparë veçanërisht në nenin 64 (Struktura e Kuvendit), ku parashihet se nga 120 deputetë, sa ka në tërësi Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të ndarjes së vendeve, në mes të partive, koalicioneve, iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, njëzet (20) vende janë garantuar për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë shumicë në Kosovë.

Nga ky përcaktim kushtetues prej njëzet (20) vendesh të deputetëve, të rezervuara për përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë, është bërë ndarja përkatëse, prej dhjetë (10) sosh të garantuara për partitë, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, që janë deklaruar se e përfaqësojnë komunitetin serb dhe kanë marrë pjesë në zgjedhje të hapura, edhe nëse kanë fituar më pak se dhjetë (10) vende, si dhe dhjetë (10) vendeve të tjera të garanatuara për komunitetet e tjera në Kuvend. Rrjedhimisht, komunitetet e romëve, ashkalinjëve, egjiptianëve, kanë nga një (1) vend, por që një (1) vend shtesë i ndahet atij komuniteti që do të marrë më së shumti vota, ndërsa komunitetit të goranëve, po ashtu, i ndahet një (1) vend. Pesë (5) vendet e mbetura në Kuvend, ndahen në mes të komunitetit të boshnjakëve-tri (3) dhe komunitetit të turqve-dy (2).

Pra, shihet qartë se, qëllimi i këtyre dispozitave kushtetuese ka marrë në konsideratë specifikat demografike të Kosovës dhe strukturën e popullsisë që jeton në territorin e saj, për t’ju mundësuar të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, pjesëmarrje proporcionale në marrjen e vendeve të deputetëve në Kuvend, sipas rezultateve të fituara në zgjedhje, edhe përkundër pjesëmarrjes së vogël në trupin zgjedhor, për të mos thënë të papërfillshme në rezultatin e zgjedhjeve, vetëm e vetëm që të garantohet pjesëmarrja e përfaqësuesve të këtyre komuniteteve në jetën parlamentare të Kosovës, duke ua mundësuar së paku një apo më shumë vende të deputetëve në Kuvend.

Megjithatë, sipas rezultateve preliminare të këtyre zgjedhjeve, kjo ndarje do të ekzistojë vëtëm de jure, sepse praktikisht lufta për ulëse në Kuvend, e orkestruar dhe organizuar, siç theksohet publikisht, nga subjekti politik Lista Serbe, de fakto do të bëjë që të zgjerohet terreni dhe fuqia politike e komunitetit serb, respektivisht e këtij subjekti politik, në kurriz të komuniteteve më të vogla, duke siguruar kështu, përveç dhjetë vendeve të saja të garantuara, mbase edhe gjysmën e numrit të garantuar për komunitetet tjera, natyrisht përmes “kontrollimit” të këtyre deputetëve që janë “deklaruar” se përfaqësojnë komunitetin boshnjak apo rom, e të cilët janë votuar në masë nga komuniteti serb.

Ku qëndon djallëzia e kësaj dukurie?

Vlen të theksohet se meqë në këto zgjedhje është evidentuar dukuria e votimit masiv të kandidatëve rom e boshnjakë nga ana e komunitetit serb, përmes një fushate dhe votimi të mirëorganizuar, përtej çdo dyshimi, qëndron konstatimi se Lista Serbe në Kosovë, përveç 10 ulëseve të rezervuara do të marrë mbështetje edhe të komuniteteve tjera në legjislativin e ri, për të realizuar kështu, skenarët e obstruksionit parlamentar, qoftë nga pozicioni opozitar i ardhshëm – nga i cili, si praktikë është i pritshëm nga opozita, por edhe nga pozicioni i saj në pushtet, për të kërcënuar e shantazhaur jetën institucionale në Kosovë.

Se është skenar i organizuar nga Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, e dëshmon fakti se p.sh, në Komunën e Graqanicës të banuar në masë nga komuniteti serb, “Iniciativa e Re Rome”, e udhëhequr nga Gazmend Salivevic, ka marrë rreth 7000 vota, përkundër që 8824 banorë rom janë të regjistruar në tërësi (prej të cilëve rreth 1000 fëmijë). Ndërkaq, jo më larg se në zgjedhjet e vitit 2019, kanë votuar 1367 votues rom, apo në vitet 2017 dhe 2014, kanë votuar 2150 banor respektivisht 1287 banor të këtij komunteti në zgjedhje.

Me gjasë, e njëjta ka ndodhur edhe me znj. Adrijana Hoxhiq nga veriu i Mitrovicës, me subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”, ku ka arritur të dalë e dyta më e votuara në mesin e komunitetit boshnjak, pas koalicionit “Vakat” të udhëhequr nga Rasim Demiri, i cili po prinë me vota në mesin e boshnjakëve, duke i përjashtuar nga përfaqësimi në Kuvend, subjektet tjera boshnjake, siç është ajo e Emilia Rexhepit, Partia e Re Demokratike apo Unioni Socialdemokrat i Duda Baljes.

Se Adrijana Hoxhiq ka marrë mbështetje nga komuniteti serb, mbi bazën e një marrëveshjeje paraprake politike me Listën Serbe, e dëshmon edhe fakti se znj. Hoxhiq aktualisht është nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, që udhëhiqet nga Lista Serbe. Ndërkaq, në Qeverinë e Ramush Haradinajt, ajo ka qenë ministre e Pushtetit Lokal (e porpozuar nga Lista Serbe) si dhe ka qenë Shefe e Zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Si më sipër, kush do të besonte se për një pjesë të konsiderueshme të komunitetit serb, janë më të besueshëm për përfaqësim, se sa përfaqësuesit e tyre serb, dy pjestarë të komuniteteve të tjera si z. Gazmend Salivevic, nga “Iniciativa e Re Rome”, apo Adrijana Hoxhiq “Komuniteti i Bashkuar”, njëri rom e tjetra bosnjake të paktën të deklaruar për qëllime të regjistrimit të subjekteve të tyre në KQZ.

Sidoqoftë, ditëve e javëve në vijim, do t’i shohim përfaqësuesit e “vërtetë” të komuniteteve të dëmtuara në këtë proces, teksa rreken të bëjnë ankesat e tyre në instancat administrative dhe gjyqësore, përfshirë Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykatën Supreme apo edhe Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar drejtësi për “padrejtësinë” e shkaktuar.

Mbetet të shihet po ashtu se si do të argumtohen ankesat e tyre, kur në rastin konkret, do të rezultojë se nuk do të jetë problemi te listat e zgjedhësve, në fletëvotime, në nënshkrimet që lehtë mund të verifikohen apo në procesverbalet e këshillave të vendvotimeve.

Tashmë, ky është rasti kur, nëse jo instancat e tjera, Gjykata Kushtetuese do të vendos për zbatimin e praktik mes parimit të legalitetit dhe legjitimitetit kushtetues e ligjor, të drejtave zgjedhore dhe raportit të tyre me garancionet kushtetuese të përcaktuara shprehimisht në kapitullin III të Kushtetuetës (Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre), natyrisht nëse rasti/et parashtrohet/n në këtë gjykatë.

Në pjesën vijuese të këtij shkrimi, do të analizohen garancionet dhe implikimet kushtetuese në raport me devijimin e praktikës së përfaqësimit të komuniteteve në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Faton FETAHU – Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike